Sfidat e ish të dënuarve për të votuar në zgjedhjet presidenciale amerikane

Amerika

Sfidat e ish të dënuarve për të votuar në zgjedhjet presidenciale amerikane

Më: 31 tetor 2020 Në ora: 21:20
Joe Biden dhe Donald Trump

Gara midis Presidentit Donald Trump dhe rivalit të tij demokrat Joe Biden shënon zgjedhjet e para presidenciale që nga viti 1976, ku numri i atyre që nuk mund të votojnë për shkak të ndonjë krimi ka rënë. Kjo sipas “Projektit të Dënimit”, një grup që kërkon reformë në drejtësinë penale. Megjithatë sipas këtij grupi, një numër i madh qytetarësh që janë liruar nga burgu e kanë të pamundur të votojnë për shkak të procedurave të vështira administrative.

9 vite pas përfundimit të dënimit me burg për një përleshje me armë zjarri, Angel Sanchez voton për herë të parë në zgjedhjet presidenciale amerikane. Ai është një nga shumë amerikanët e dënuar për një krim që rifiton të drejtën e votës.

Por banorit të Majemit iu desh të kalojë disa pengesa administrative. Ai druhej se mos kishte bërë shkelje, duke u regjistruar për të votuar pa paguar plotësisht borxhet e gjyqit.

“E kalova me sukses provën dhe më është thënë se duhet të paguaj gjithçka, gjë që e bëra ashtu si më tha shteti, që nënkuptonte se isha në rregull. Përfundova dënimin tim. Nuk kisha obligime financiare. Për zhgënjimin tim, kuptova pas një viti kur u regjistrova se kisha detyrime ndaj gjykatave. Kjo më hutoi, zemëroi dhe më trembi”, thotë Angel Sanchez, ish i dënuar për krim.

Me ndihmën e oficerit mbikëqyrës 38 vjeçari kuptoi se në fakt kishte paguar më shumë sesa duhej.

Dënimet për krime u pamundësojnë rreth 5.2 milionë amerikanëve të votojnë, por kjo ka rënë me 15 për qind nga viti 2016, sipas grupit që kërkon reformën e drejtësisë penale i quajtur “Projekti i Dënimit”.

Rreth 1.4 milion të dënuar për krime në Florida rifituan të drejtën e votës në janar të vitit 2019 pasi shteti ndryshoi ligjin. Por autoritetet kërkojnë nga ata të paguajnë dëmshpërblimin, gjobat dhe shpenzimet tjera që lidhen me dënimin e tyre.

Por të kuptosh detyrimet mund të jetë e ndërlikuar për shkak të të dhënave konfuze dhe nganjëherë të pasakta.

Për shembull, ish i dënuari Sanchez pagoi rreth 1 mijë e 600 dollarë për gjykimin e tij pasi u lirua nga burgu, por kuptoi në korrik që sipas të dhënave shtetërore ai ende kishte detyrime financiare.

Ai e zgjidhi këtë problem, por thotë se paqartësia u pamundëson shumë ish të dënuarve të votojnë.

Alfonzo Tucker, 53 vjeçar nga Alabama u lirua nga burgu më 1996 pas një dënimi dy vjeçar për sulm. Ai votoi pa problem deri më 2013 kur iu tha se nuk mund të votonte pa paguar një tarifë prej 135 dollarësh.

Kur e pagoi atë, ai thotë se zyrtarët shetërorë e njoftuan se ai ka një borxh prej mijëra dollarësh, për një tarifë që lidhet me kundërvajtjen e tij.

Zoti Tucker kontaktoi menjëherë avokatët ku kuptoi se në fakt kishte paguar 121 dollarë më shumë sesa duhej.

"Ka shumë raste kur njerëzve u thuhet se kanë borxhe të mëdha. Por kur shikojnë, del se detyrohen disa qindra dollarë. Ata ju thonë se keni borxh nga 5 mijë deri 10 mijë dollarë dhe se duhet t’i kryeni këto pagesa. Por nuk është ashtu. Unë jam shembull tipik”, thotë Alfonzo Tucker, ish i burgosur.

Sekretari i shtetit të Alabamas, John Merrill, thotë se zyra e tij është përpjekur të eliminojë mospërputhjet e të dhënave zyrtare.

“Është problematike nëse njerëzit nuk kanë pyetur për statusin e tyre ndërsa nëse e kanë bërë, sigurisht që është përmirësuar”, thotë ai.

Një anketë e grupit të avokatëve “Bowie”, tregon se më pak se 5 për qind e ish të dënuarve për krime në Tenesi rifitojnë të drejtën e votës për shkak të vështirësive administrative.

Page Dukes, 34 vjeçare nga Xhorxhia, u lirua pas 10 vitesh burg për grabitje të armatosur.

Sipas ligjit, asaj nuk i kërkoheshin prova për t’u regjistruar në zgjedhje, por në praktikë procesi ishte më i vështirë.

"Votimi është shumë i rëndësishëm për mua. Ka një pjesë të madhe të popullsisë sonë që nuk është në gjendje të votojë. Dhe kjo është shumë e qëllimshme. Prandaj mendoj se të gjithë kanë përgjegjësi për pjesëmarrje në procesin demokratik. Nuk e shoh thjesht si një të drejtë, por edhe si përgjegjësinë time", thotë zonja Duke./voa

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat