Në mbështetje të Trump, komuniteti hispanik feston fitoren e presidentit në Florida

Amerika

Në mbështetje të Trump, komuniteti hispanik feston fitoren e presidentit në Florida

Më: 4 nëntor 2020 Në ora: 15:41
Florida

Disa qindra persona me prejardhje latine mbajtën një miting në mbështetje të presidentit Donald Trump në Havanën e Vogël, siç njihet distrikti i banuar nga komuniteti kubanez në Majemi të Floridës.

Edhe pse blloku i kubano-amerikanëve në kontenë Majemi Dejd ka qenë tradicionalisht një bazë e besueshme për republikanët, përgjatë vitit elektoral komuniteti latin kishte lënë të kuptohej se preferonte Biden për president.

Por natën mes së martës dhe së mërkurës, ata dolën të festonin me shpresën se presidenti në detyrë do të qëndrojë edhe 4 vite të tjera në krye të Shtëpisë së Bardhë.

 “Ne vijmë nga Kuba dhe e dimë mirë se çfarë janë komunizmi dhe socializmi. Fidel Castro ishte presidenti ynë, ose diktatori ynë, që e mbajti vendin në komunizëm. Nuk besoj se situata atje do të ndryshojë, ndoshta do të duhet një kohë e gjatë, por ne e dimë sesi janë gjërat. Gjithashtu, ne i kuptojmë premtimet e rreme që bën dikush dhe Biden po na bën premtime të tilla”, tha Carolyna Mesquida, studente infermierie.

Mbështetësit hispanikë të presidentit mbanin gjithashtu kapele me parullën “Make America great again” dhe ngrinin flamujt amerikanë teksa parakalonin me makina.

 “Jam këtu për të mbështetur presidentin. Mendoj se ai ka bërë një punë të mirë pavarësisht pandemisë. Ai ka ringjallur ekonominë, ka krijuar vende pune dhe ka përmirësuar marrëveshjet tregtare. Ai po kujdeset për qytetarët amerikanë si asnjë politikan më parë, sepse Donald Trump nuk është thjesht një politikan”, u shpreh Ernesto Valdes, kubano-amerikan.

Turma shpërtheu në brohoritje kur u njoftua se presidenti Trump kishte fituar shtetin kritik të Floridës. Pavarësisht shtetrrethimit të detyrueshëm, mbështetësit e kreut të shtetit vijuan festimet deri në orët e para të mëngjesit.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat