Ekipi elektoral i presidentit ngushton akuzat e paraqitura në aktpadinë në Pensilvani

Amerika

Ekipi elektoral i presidentit ngushton akuzat e paraqitura në aktpadinë në Pensilvani

Më: 16 nëntor 2020 Në ora: 18:01
Ilustrim

Ekipi zgjedhor i Presidentit Trump hoqi dorë të dielën nga një element i rëndësishëm i padisë që kishte ngritur në Pensilvani në përpjekje për të ndalur certifikimin e rezultatit të zgjedhjeve. Si rezultat padia fokusohet tani tek një numër më i vogël votash.

Në një variant të modifikuar të padisë së paraqitur në gjykatë federale, ekipi i presidentit ka hequr pretendimin se vëzhguesit zgjedhorë nuk u lejuan të ndiqnin numërimin e votave në Filadelfia dhe Pitsburg.

Aktpadia e re përqëndrohet në pretendimin se komunat me prirje demokrate lejuan në mënyrë të paligjshme votuesit të ndreqnin gabime në fletëvotimet e dërguara me postë, në shkelje të ligjit shtetëror. Zyrtarët kanë thënë se akuzat e ngritura kanë të bëjnë me një numër të vogël fletëvotimesh në një shtet ku pritet që Joe Biden të dalë fitues me një diferencë prej më shumë se 60,000 votash.

Zyrtarët në Pensilvani i kishin kërkuar gjykatësit të mos e pranojë aktpadinë, duke thënë se vëzhguesit u lejuan të ndiqnin procesin e përpunimit të fletëvotimeve dhe se të gjitha komunat ishin lejuar të njoftonin votuesit nëse fletëvotimi i dërguar me postë kishte mungesa, edhe nëse diçka e tillë nuk ishte e detyrueshme.

Në komunën Montgomeri, një ndër më të mëdhatë në Pensilvani, më pak se 100 votues kishin ardhur për të korigjuar fletëvotimin që kishte probleme teknike, sipas dëshmisë së një zyrtari zgjedhor më 4 nëntor.

Ekipi zgjedhor i presidentit vazhdon përpjekjet për të ndalur me urdhër gjykate ratifikimin e rezultatit nga sekretarja e shtetit në Pensilvani.

Kandidati demokrat Biden u shpall fitues pasi media dhe organizata kërkimore Edison deklaruan se ai kishte marrë shumicën e votave në Pensilvani, gjë që i siguroi atij minimalen e nevojshme prej 270 votash elektorale për të siguruar fitoren në zgjedhje.

Të dielën, Presidenti Trump u duk se pranoi fitoren e rivalit, por më pas e tërhoqi, duke thënë se do të ngrejë padi të reja. Ekipi i tij ka paraqitur padi në një numër shtetesh, megjithëse gjasat për fitore nuk duken të mëdha.

Të dielën në Twitter, presidenti tha se shumë prej padive të ngritura nuk janë paraqitur nga ekipi i tij elektoral.

Ekspertë ligjorë thonë se paditë nuk kanë fort gjasa për të ndryshuar rezultatin e zgjedhjeve. Një këshilltar i lartë i zotit Biden i ka cilësuar këto përpjekje si “teatër, por jo çështje të mirëfillta ligjore”.

Pensilvania pritet të certifikojë rezultatin e votimeve më 23 nëntor./Voa/

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat