Drejtuesit e rrjeteve sociale para Senatit lidhur me zgjedhjet në SHBA

Amerika

Drejtuesit e rrjeteve sociale para Senatit lidhur me zgjedhjet në SHBA

Më: 17 nëntor 2020 Në ora: 17:21
Logoja e Facebook-ut dhe Twitterit. Foto nga arkivi.

Një panel i Senatit amerikan i ka thirrur në një dëgjim, shefat e Facebook-ut dhe Twitter-it për të shqyrtuar mënyrën se si ata e kanë menaxhuar dezinformimin në zgjedhjet presidenciale amerikan të mbajtura më 3 nëntor.

Por, senatorët janë thellësisht të ndarë në baza partiake, sa i përket integritetit dhe vetë rezultatit të zgjedhjeve. Sipas projektimeve që kanë bërë mediat kryesore amerikane, kandidati demokrat Joe Biden, ka mposhtur në zgjedhje presidentin aktual, Donald Trump.

Ky dëgjim është ftuar nga Komiteti Gjyqësor i Senatit, ku Mark Zuckerberg i Facebook-ut dhe Jack Dorsey i Twitter-it do të pyeten lidhur me veprimet e ndërmarra nga kompanitë e tyre në këto zgjedhje, që ishin ndër më të ngushtat në histori. Të dy udhëheqësit e rrjeteve sociale do të bëjnë prezantimin e tyre përmes videos, raporton AP.

Senatorët republikanë, duke përfshirë edhe kryetarin e këtij komiteti, senatorin Lindsey Graham nga Karolina e Jugut, kanë refuzuar që të kundërshtojnë pretendimet e pabazuara të presidentit Donald Trump për mashtrim dhe parregullsi në zgjedhje, edhe pse informatat e rreme që e kontestojnë fitoren e Joe Bidenit, janë shpërndarë gjerësisht online.

Graham, që është aleat i ngushtë i presidentit Trump i ka kërkuar atij publikisht: “Mos e prano humbjen zoti president. Lufto fuqishëm”.

Muajin e kaluar, Zuckerberg dhe Dorsey iu premtuan ligjvënësve amerikanë se do të mbikëqyrnin në mënyrë rigoroze platformat e tyre, që të mos lejonin manipulime nga qeveritë e huaja, apo që ato të përdoreshin për nxitje të dhunës për shkak të rezultatit zgjedhor. Në fakt, ata edhe vepruan kështu edhe me raste të profilit të lartë, duke e zemëruar presidentin Trump dhe mbështetësit e tij.

Twitter dhe Facebook kanë bashkangjitur emërtimin për dezinformatë në disa nga postimet e presidentit Trump, veçmas ato postime ku ai e cilësonte votimin me postë si mashtrim.

Të hënën, Twitter vendosi mbishkrimin ‘Burimet zyrtare kanë shpallur rezultatin e zgjedhjeve ndryshe” në një postim të presidentit Trump, ku ai proklamonte se :“Unë i kam fituar zgjedhjet”.

Facebook, dy ditë pas zgjedhjeve, largoi një grup të madh të quajtur “Ndaloni vjedhjen”, të cilin po e shfrytëzonin mbështetësit e presidentit Trump për të organizuar protesta kundër numërimit të votave. Grupi me 350 mijë anëtarë, ngriste zërin për pretendimet e pabazuara të Trump për manipulim të votave, e ku kërkohej që ato të shpalleshin të pavlefshme.

Përderisa numërimi i votave vazhdonte, grupe të ngjashme me “Ndaloni vjedhjen” mund të gjendeshin lehtë në Facebook. Që nga e hëna, Facebook-u duket se e ka bërë më të vështirë që ato të gjinden, por ende ishte e mundur që të lokalizohen, duke përfshirë edhe disa grupe prej mijëra anëtarësh.

Trump dhe republikanët i kanë akuzuar mediat sociale për anshmëri, duke pyetur se si është e mundur që këto kompani kanë fuqi që të filtrojnë fjalimet dhe idetë.

Edhe demokratët i kritikojnë ato, por për arsye të tjera.

Rezultati është se të dyja palët janë të interesuara që t’u heqin kompanive një pjesë të masave mbrojtëse që iu është dhënë atyre, si mbrojtje nga përgjegjësia ligjore, për atë se çka postojnë njerëzit në platformat e tyre.

Por, janë pikërisht këto masa që janë ndërmarrë nga këto kompani në zgjedhjet e fundit që do të dominojnë fokusin e dëgjimit të sotëm.

Shumica republikane në Komitetin e Gjyqësorit i ka kërcënuar me pasoja Zuckerbergun dhe Dorseyin gjatë muajit të kaluar, me përgjegjësi penale, nëse ata nuk pajtohen vullnetarisht që të dëshmojnë në dëgjimin e së martës.

Pavarësisht frikës për sigurinë e zgjedhjeve, ku kompanitë mediale u përgatitën për më të keqen, këto zgjedhje rezultuan të jenë më të sigurtat në historinë e SHBA-së, kanë thënë zyrtarë të të dyja partive, duke mohuar pretendimet e pabazuara për mashtrim nga presidenti Trump.

Facebook insiston se ka marrë mësim nga zgjedhjet e vitit 2016, dhe nuk është më platformë për dezinformata, shtypje të votuesve apo përçarje.

Në vjeshtë, Facebook ka thënë se ka larguar një numër të vogël rrjetesh të llogarive dhe faqeve, të lidhura me Agjencinë ruse të kërkimit në internet, që ka shërbyer si fabrikë e shpërndarjes së lajmeve të rreme, e që në vitin 2016, kishte qëllim të shkaktonte ndasi në politikën amerikane. Twitter ka suspenduar pesë llogari të ngjashme.

Por, kritikët e jashtëm, duke përfshirë edhe disa punëtorë të Facebook-ut, thonë se përpjekjet e kompanisë për të shtrënguar masat mbrojtëse janë të pamjaftueshme, edhe pse kompania ka shpenzuar miliarda për këtë qëllim.

Nuk ka dëshmi se gjigantët e mediave sociale janë të njëanshme kundër lajmeve për konservativët, postimet apo materialet e tyre, apo që e favorizojnë njërën palë në debate./Rel/

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat