Miçigani çertifikon fitoren e demokratit Joe Biden

Amerika

Miçigani çertifikon fitoren e demokratit Joe Biden

Më: 23 nëntor 2020 Në ora: 23:54
Miçigan

Zyrtarët e zgjedhjeve në Miçigan çertifikuan të hënën fitoren e demokratit Joe Biden me 154,000 vota më shumë në këtë shtet mes përpjekjeve këmbëngulëse të Presidentit Donald Trump për të përmbysur rezultatin e zgjedhjeve.

Bordi i Zyrtarëve të Zgjedhjeve të Shtetit, i përbërë nga dy republikanë dhe dy demokratë, konfirmoi rezultatet në një votim 3-0, me një abstenim. Aleatët e zotit Trump dhe kandidati republikan humbës për Senatin, John James e kishin nxitur panelin të vononte votimin për dy javë për të kontrolluar votat në qarkun me shumicë demokrate Wayne, që përfshin Detroitin.

Ky vendim është një tjetër pengesë në përpjekjet e Presidentit Trump për të përdorur mjete të pazakonta për të minuar rezultatet e zgjedhjeve të 3 nëntorit dhe vjen edhe pasi ai bëri përpjekje të drejtpërdrejta për të ndikuar tek zyrtarët republikanë të këtij shteti, duke i ftuar ata në Shtëpinë e Bardhë javën e kaluar.

Sipas ligjit të Miçiganit, zoti Biden siguron të 16 votat elektorale. Ai fitoi me 2.8 përqind epërsi - një diferencë më e madhe se në shtetet e tjera ku zoti Trump po konteston rezultatet si në Xhorxha, Arizona, Uiskonsin dhe Pensilvani.

Disa aleatë të Presidentit Trump kishin shprehur shpresën se ligjvënësit e shtetit mund të ndërhynin për të zgjedhur elektorë republikanë në shtetet që nuk çertifikojnë. Kjo lëvizje që nuk kishte gjasa për sukses, nuk është më e mundur në Miçigan.

Përpjekjet e zotit Trump për të shmangur pranimin e pashmangshëm zyrtar të humbjes së tij – po përballen me një rezistencë gjithnjë e më të ashpër nga gjykatat dhe republikanët, ndërsa kanë mbetur vetëm tre javë deri në mbledhjen e Kolegjit Zgjedhor për të çertifikuar fitoren e zotit Biden. Sfidat e zotit Trump dhe akuzat e pabazuara për konspiracion dhe mashtrim të përhapur janë pritur një nga një me refuzim ndërsa shtetet vazhdojnë të konfirmojnë rezultatet e tyre.

"Detyra e bordit sot është shumë e qartë," tha Aaron Van Langevelde, nënkryetari Republikan i Bordit të Zgjedhjeve të Miçiganit. "Ne kemi detyrën t'i vërtetojmë këto zgjedhje bazuar në votat që kemi. Kjo është shumë e qartë." /VOA

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat