Kthesë totale e politikës amerikane: Kreu i ardhshëm i diplomacisë amerikane është krejtësisht e kundërta e Mike Pompeos

Amerika

Kthesë totale e politikës amerikane: Kreu i ardhshëm i diplomacisë amerikane është krejtësisht e kundërta e Mike Pompeos

Nga: B.S. Më: 25 nëntor 2020 Në ora: 09:50
Joe Biden, Antoni Blinken, John Kerry

Kitarist i pasionuar dhe i sjellshëm, aktivist i të drejtave të njeriut, sekretari i ardhshëm i shtetit i Shteteve të Bashkuara Anthony Blinken është personifikimi i një diplomati me karakter dhe punë dhe krejtësisht i kundërt me ministrin aktual të Jashtëm të SHBA-së Mike Pompeo.

Blinken është bashkëpunëtor për një kohë të gjatë i presidentit të zgjedhur Joe Biden, i cili e emëroi atë sekretar të shtetit në administratën e tij. Flet rrjedhshëm frëngjisht dhe është mbrojtës i flaktë i bashkëpunimit ndërkombëtar dhe aleancave amerikane, të cilat janë kërcënuar nga qasja agresive e presidentit aktual Donald Trump.

I hijshëm dhe me flokë gri, Blinkeni 58-vjeçar, të cilin të gjithë e quajnë Tony, nuk mund të jetë askush më ndryshe se ai ndaj sekretarit të shtetit të Trumpit, të vrazhdit Mike Pompeo. "Ai është me sjellje të butë, aq modest dhe i paimponueshëm sa s'ka", thotw Robert Malley, shoku i fëmijërisë së Blinkenit, i cili tani është kryetar i Grupit jofitimprurës Ndërkombëtar të Krizave. "Nuk kam takuar askënd që e kujton Tonin të ketë shpërthyer ndonjëherë ose të ishtei tërbuar," shton Malley.

Superfuqitë nuk bëjnë blof

Blinken, zëvendës sekretari i shtetit në administratën e Barack Obamas, mund të tregojë instinkte akoma më të ndryshme nga ato të Bidenit, megjithëse, ashtu si në njëzet vitet e kaluara, padyshim se do t'i qëndrojë besnik atij. Nipi i një të mbijetuari të Holokaustit, Blinken mbrojti ndërhyrjet ushtarake në baza humanitare, ndërsa Bideni ishte i kujdesshëm në lidhje me përdorimin e forcës, shkruan agjencia France-Presse. "Superfuqitë nuk bëjnë blof", me këto fjalë thuhet se Blinken paralajmëroi disa herë në kontekstin e operacioneve në luftën Siriane, megjithëse Obama vendosi për një rol të kufizuar amerikan atje.

Në fillim të këtij viti, Blinken, duke folur për humbjen "e tmerrshme" të jetëve në Siri, tha se qeveria e mëparshme duhet të pranojë dështimin në këtë vend. "Është diçka që do ta bart për gjithë pjesën tjetër të jetës sime," i tha ai CBS News-it.

Blinken filloi karrierën e tij në Departamentin e Shtetit nën Bill Clintonin dhe si ndihmës i Biden në Komitetin e Marrëdhënieve të Jashtme të Senatit Amerikan, ai përgatiti përgjigjet e SHBA-së ndaj trazirave politike dhe paqëndrueshmërisë në të gjithë Lindjen e Mesme, duke përfshirë misionet e diskutueshme në Egjipt, Irak dhe Libi, shkruan NY Times.

Rinia jashtë vendit

Pasioni i Blinkenit për ndalimin e krimeve të luftës mund t'i atribuohet njerkut të tij, shtetasit polak Samuel Pisar, një prej të mbijetuarve më të rinj të Holokaustit. Avokat i respektuar, i cili punoi për të përmirësuar marrëdhëniet midis Perëndimit dhe Bashkimit Sovjetik, Pisar transferoi familjen në Paris, ku Blinken ndoqi shkollën prestigjioze "Jeannine Manuel".

Kolegu i tij Malley thekson se Blinken përthithi rolin amerikan në botë si amerikan i ri në Paris gjatë Luftës së Vietnamit. "Toni besonte fuqimisht në vlerat e tij dhe identitetin amerikan, por ai jetoi në një vend të huaj dhe për këtë arsye u detyrua të shikonte botën përmes syve të një shteti tjetër në një kohë kur Amerika nuk ishte më e popullarizuara", tha ai.

Babai biologjik i Blinkenit është një bankier i shquar i investimeve dhe nëna e tij, Judith Pisar, drejtoi Qendrën Amerikane në Paris për vite me radhë, një vend ku takoheshin artistët. Karriera muzikore e Blinkenit gjithashtu filloi në rininë e tij në Paris. Ai luajti xhaz dhe më pas zbuloi rockun, kështu që në vjetarin e shkollës së tij të mesme përmendi albumin "Another Trick in the Wall" nga grupi britanik "Pink Floyd".

Blinken ishte një anëtar i bendit në Uashington që luante përpunime të Beatlesëve, dhe  kohën e  lirë në pandemi e shfrytëzoi për të kompozuar. Dy këngë të alter egos muzikore të tij Ablinken në platformat muzikore deri në këtë javë kanë mbledhur vetëm disa duzina dëgjues.

Besimi në misionin amerikan

Blinken ka studiuar në Harvard, ku ka shkruar për revistën "Harvard Crimson". Atje ai ka shkruar recension për albumin e Bob Dylanit nga faza e tij e krishterë, duke arritur në përfundimin se legjenda e rokut është "shërbëtori i askujt" dhe "gjithmonë bën dhe këndon atë që ai beson". Pasoi karrierë në drejtësi, Partinë Demokratike dhe Komitetin e Senatit për Marrëdhënie me Jashtë.

Blinken thotë se pikëpamjet e tij ende formohen nga njerku, i cili mbijetoi në kampet e përqendrimit Auschwitz dhe Dachau para se të arratisej, i ndjekur nga një shi plumbash gjermanë. Pas dy ditësh fshehjeje në pyll, adoleshenti Pisar dëgjoi një tank. Për habinë e tij, nuk pa një ushtar gjerman, por një afro-amerikan. "U gjunjëzua dhe tha tri fjalët e vetme që dinte në anglisht që nëna e tij i mësoi - 'Zoti e bekoftë Amerikën", tha Blinken. "Ushtari e mori atë në tank, ose, folur metaforikisht, e çoi në Shtetet e Bashkuara dhe në liri". "Ky është vendi me të cilin jam rritur: Shtetet e Bashkuara, të cilat kanë një rol të jashtëzakonshëm, unik, të mirëpritur," përfundoi ministri i ri i jashtëm amerikan.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat