Biden: Lufta është me virusin, jo me njëri-tjetrin

Amerika

Biden: Lufta është me virusin, jo me njëri-tjetrin

Më: 25 nëntor 2020 Në ora: 22:19
Joe Biden

Presidenti i zgjedhur Joe Biden u bëri thirrje amerikanëve që "të dyfishojnë përpjekjet dhe të ri-angazhohen në luftë" kundër koronavirusit.

Zoti Biden i bërë komentet drejtpërdrejt përpara kamerës në Uilmington të shtetit Delauer.

"Duke i hedhur një vështrim historisë sonë, do të shihni se pikërisht në rrethanat më të vështira është farkëtuar shpirti i kombit tonë.” Tani, tha ai, “e gjejmë veten përsëri përballë një dimri të gjatë dhe të vështirë."

Ai u bëri thirrje njerëzve të heqin dorë nga grumbullimet e mëdha familjare, të mbajnë maska mbrojtëse dhe të ruajnë distancimin social.

"Unë e di që ne mund dhe do ta mposhtim këtë virus," shtoi zoti Biden, duke pranuar se amerikanët po e ndjejnë lodhjen nga pandemia. "Jeta do të kthehet në normalitet. Ju premtoj. Kjo do të ndodhë. Nuk do të zgjasë përgjithmonë,” tha ai.

"E kuptoj se sa e vështirë është të heqësh dorë nga traditat familjare. Por është shumë e rëndësishme,” tha zoti Biden, pasi përshkroi se si ai dhe anëtarët e familjes së tij po festonin veçmas njëri-tjetrit, për të shmangur infektimet nga koronavirusi.

Presidenti i zgjedhur ka deklaruar se do ta bëjë trajtimin e COVID-19 një përparësi kryesore pas marrjes së detyrës në 20 janar.

Në një mesazh bashkimi për amerikanët, zoti Biden tha se lufta është me virusin, jo me njëri-tjetrin:

"E kuptoj që vendi është i lodhur nga lufta. Por duhet të kujtojmë, ne jemi në luftë me virusin, jo me njëri-tjetrin. Ky është momenti ku ne duhet të forcojmë shtyllën kurrizore, të dyfishojmë përpjekjet dhe të angazhohemi përsëri në këtë luftë,” tha ai.

“Të mos harrojmë se ne i kemi hyrë kësaj të gjithë së bashku," tha zoti Biden.

Presidenti i zgjedhur shprehu optimizëm, duke thënë se “kjo stinë e zymtë ndarjesh do t'i hapë rrugën një viti "drite dhe bashkimi".

“Ky është një vend i shkëlqyer. Ne jemi një popull i mirë. Pikërisht këto janë Shtetet e Bashkuara të Amerikës,” tha ai.

Fjalimi ishte konceptuar si mesazh i stilit presidencial për Ditën e Falenderimeve, me synimin për të bashkuar popullin amerikan përballë sfidave si dhe për sakrificat e përbashkëta që amerikanët po bëjnë këtë këtë stinë festash. /VOA

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat