Dokumentat e udhëtimit për azilantët dhe refugjatët në SHBA: sqaron avokati amerikan

Amerika

Dokumentat e udhëtimit për azilantët dhe refugjatët në SHBA: sqaron avokati amerikan

Më: 28 nëntor 2020 Në ora: 16:18
Foto ilustrim

Për çështje të emigracionit në SHBA,  sqaron avokati Kieran Both.

"Jam azilant. Si të marr dokument udhëtimi?"

Ata që kanë statusin e azilantit politik apo të refugjatit dhe dëshirojnë të udhëtojnë jashtë Shteteve të Bashkuara duhet të pajisen me dokumentin përkatës të udhëtimit (Refugee Travel Document) i cili u mundëson rikthimin në Shtetet e Bashkuara. Në shumicën e rasteve refugjati ose azilanti mund të përdorin këtë dokument në vend të pashaportës. Dokumenti i udhëtimit ngjan në pamje të jashtme me pashaportën amerikane.

Dëshiroj të udhëtoj në pranverën e 2021-shit. Kur të aplikoj?

Aktualisht, koha që i duhet Shërbimit të Emigracionit dhe të Nënshtetësisë së Shteteve të Bashkuara për shqyrtimin e aplikimeve për udhëtim është përafërsisht 90 ditë, ndaj do t’ju këshillonim që ta dërgoni menjëherë aplikimin për dokument udhëtimi.

Si të aplikoj për dokument udhëtimi (Refugee Travel Document)?

Për të aplikuar për dokument udhëtimi, duhet të mbushni formularin I-131, Application for Travel Document. Formularët dhe udhëzimet mund t’i gjeni në faqen e internetit www.uscis.gov Ndiqni me kujdes udhëzimet në formular. Për më shumë informacion ju këshillojmë të shkoni në faqen e internetit të USCIS-it ose të telefononi në numrin 1-800-375-5283 të vënë në shërbim të publikut.

Kur skadon dokumenti i udhëtimit?

Dokumenti i udhëtimit është i vlefshëm për një vit.

Kam marrë statusin e azilantit (ose të refugjatit) në Shtetet e Bashkuara dhe më duhet të udhëtoj jashtë shtetit. A mund të dërgoj formularin I-131 për t’u pajisur me dokument udhëtimi pasi të jem larguar nga SHBA-ja?

Duhet ta dërgoni formularin I-131 përpara se të largoheni nga Shtetet e Bashkuara. Rekomandohet që ta dërgoni formularin jo më pak se 60 ditë përpara largimit nga SHBA-ja. Nëse nuk e dërgoni formularin I-131 për dokumentin e udhëtimit përpara se të largoheni nga Shtetet e Bashkuara, zyra e USCIS-it jashtë Shteteve të Bashkuara ka kompetencë diskrecionale për ta pranuar aplikimin tuaj. Mund të aplikoni vetëm në rast se keni qenë jashtë territorit të Shteteve të Bashkuara për më pak se një vit nga koha e aplikimit. Gjithsesi, mos e merrni të mirëqenë që zyra e USCIS-it aty do ta ushtrojë automatikisht kompetencën diskrecionale, sidomos kur është e qartë që mund ta kishit paraqitur formularin I-131 përpara largimit nga Shtetet e Bashkuara.

Nëse e paraqes formularin I-131 për të marrë Refugee Travel Document gjatë kohës që jam në Shtetet e Bashkuara, a do të ma refuzonte USCIS-i kërkesën nëse largohem nga Shtetet e Bashkuara ndërsa jam ende në pritje të përgjigjes?

USCIS-i ju këshillon që ta dërgoni formularin I-131 sa kohë që gjendeni ende në Shtetet e Bashkuara. Megjithatë, nuk kërkohet që të jeni në Shtetet e Bashkuara që USCIS-i t’jua aprovojë formularin I-131 dhe t’ju japë dokumentin e udhëtimit sa kohë që i ka marrë të dhënat tuaja biometrike (shenjat e gishtave dhe fotografinë) përpara largimit. Mund të shënoni në formularin I-131 që dëshironi që USCIS-i t’ia dërgojë dokumentin tuaj të udhëtimit konsullatës ose ambasadës, ose një zyre të Departamentit të Sigurisë Kombëtare (DHS) të Shteteve të Bashkuara jashtë shtetit, në mënyrë që të mund të shkoni dhe ta merrni aty dokumentin në fjalë.

Nëse e paraqes formularin I-131 për dokument udhëtimi gjatë kohës që ndodhem në Shtetet e Bashkuara, a mund t’i jap të dhënat biometrike gjatë kohës që jam jashtë Shteteve të Bashkuara?

Jo. Kur dërgoni aplikimin I-131 për të marrë dokument udhëtimi, USCIS-i do t’ju njoftojë se kur duhet të paraqiteni pranë zyrës përkatëse (ASC) për t’ju marrë të dhënat biometrike. Është e domosdoshme që t’i jepni të dhënat biometrike gjatë kohës që gjendeni në Shtetet e Bashkuara. Nëse largoheni nga SHBA-ja përpara se t’ju jenë marrë të dhënat biometrike, USCIS-i mund t’jua refuzojë aplikimin. Nëse zyra e USCIS-i jashtë shtetit ushtron kompetencën diskrecionale dhe ju lejon që të aplikoni për dokument udhëtimi gjatë kohës që gjendeni jashtë Shteteve të Bashkuara, ajo zyrë do t’ju këshillojë dhe lidhur me proçedurën që duhet ndjekur për të dhënat biometrike. Për të përmbushur këtë kërkesë, do t’ju duhet që të shkoni dhe të jepni shenjat e gishtërinjve në një zyrë të USCIS-it, të ambasadës, konsullatës apo pike ushtarake të Shteteve të Bashkuara në vendin përkatës.

A mund të udhëtoj në vendin ku më kanë persekutuar në të kaluarën ose ku kam deklaruar se kam frikë se mund të persekutohem në të ardhmen?

Nuk ju këshillojmë të udhëtoni në atë vend, sidomos në situatën e tanishme. Gjithsesi, gjasat janë që aplikimi t’ju miratohet, por kjo nuk do të thotë që mund të mos ju hapen probleme. Duhet të keni parasysh se nëse ju është dhënë statusi i azilantit, ky status mund t’ju hiqet nëse, mes të tjerash, vendosët që të përfitoni me vullnetin tuaj të lirë nga mbrojtja që ju ofron vendi nga vini, nëse keni marrë një nënshtetësi tjetër ose nëse nuk i përmbushni më kriteret për strehim politik pasi rrethanat kanë ndryshuar në mënyrë rrënjësore. Në mënyrë të ngjashme, aplikimi mund t’ju hidhet poshtë dhe nëse në aplikim keni futur fakte të rreme të cilat bëjnë që të mos përmbushni kriteret për strehim politik pasi në fakt nuk ju kanë persekutuar. Prandaj, nëse udhëtimi që po ndërmerrni krijon idenë që po shfrytëzoni sërish mbrojtjen që ofron vendi juaj, duhet të jeni të përgatitur të shpjegoni se si arritët të ktheheni në vendin prej të cilit u arratisët.

Nëse jeni pranuar në Shtetet e Bashkuara si refugjat, statusi në fjalë mund t’ju hiqet nëse qeveria amerikane vendos që në fakt nuk keni qenë refugjat në kohën kur u lejuat të hyni në Shtetet e Bashkuara si i tillë. Si rrjedhim, nëse itinerari i udhëtimeve tuaja tregon që nuk jeni persekutuar në të kaluarën, që frika e persekutimit ka qenë e pabazë ose që keni qenë ju në fakt që keni persekutuar të tjerët, që të mos humbisni statusin e refugjatit do mund t’ju duhet të jepni shpjegim lidhur me udhëtimin në atë vend.

Nëse keni ndërmend të riktheheni në vendin ku jeni persekutuar ose keni frikë që do të persekutoheni, ju këshillojmë fort që përpara së të ndërmerrni udhëtimin, të konsultoheni me një avokat me përvojë në fushën e emigracionit!?

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat