Pritet rritje e numrit të dërgesave gjatë sezonit të festave për shkak të pandemisë

Amerika

Pritet rritje e numrit të dërgesave gjatë sezonit të festave për shkak të pandemisë

Më: 28 nëntor 2020 Në ora: 21:36
SHBA

Kompanitë dhe dyqanet e shitjeve me pakicë në Shtetet e Bashkuara po përgatiten për një rritje të porosive me postë që mund të shkaktojnë vonesa në dërgesat e blerjeve gjatë festave të fundvitit. Kompanitë si “FedEx” dhe “UPS” që merren me dërgesa po rrisin numrin e punonjësve të tyre për sezonin e festave, ndërsa u kërkojnë konsumatorëve që të përdorin shërbimet e tyre të dërgesave për të premten, të shtunën dhe të dielën kur zakonisht ka një rënie të aktivitetit.

Dyqanet po i nxisin klientët të blejnë herët ndërsa zgjerojnë shërbimet si marrja artikujve të porositur jashtë dyqaneve për të minimizuar porositë me postë në internet.

Lëvizja vjen në një kohë kur shumica e kompanive të transportimit të mallrave ka punuar me kapacitet të plotë për muaj me radhë pasi konsumatorët filluan të bënin blerjet e tyre në internet gjatë pandemisë.

"Ne po përgatitemi për një rritje të madhe të sasisë së dërgesave.Ashtu si gjithçka tjetër në vitin 2020, edhe ky do të jetë një sezon i paprecedent i arritjes së kulmit. Ne po punësojmë 70,000 punonjës të rinj për ta përballuar këtë", thotë Brie Carere, shefe e marketingut dhe komunikimit në kompaninë “FedEx”.

Kompanitë e dërgesave si “FedEx” dhe “UPS” po kërkojnë nga shitësit që të përdorin rrjetin e tyre për të premten, të shtunën dhe të dielën, kur zakonisht ka një rënie të aktivitetit.

"Zgjerimi i shërbimeve në fundjavë është i rëndësishëm nga pikëpamja e konsumatorit dhe një ndryshim nga pikëpamja e konkurrencës sepse kjo na krijon mundësinë për t'i shpejtuar gjërat. Por gjithashtu na ndihmon të ulim në mënyrë dramatike koston tonë të shërbimit nga aspekti i tregtisë elektronike", thotë zonja Carere.

Kompania tjetër e dërgesave, “UPS” po përgatitet të marrë 100,000 punonjës të tjerë të përkohshëm gjatë sezonit të festave të fundvitit.

Satish Jindel, president i kompanisë “ShipMatrix”, i cili analizon të dhënat e dërgesave, parashikon që 7 milionë pako në ditë mund të ndeshen me vonesa mes Ditës së Falenderimeve dhe Krishtlindjes.

Ai pret që kapaciteti total transportues për industrinë e dërgesave të jetë 79.1 milionë pako në ditë gjatë kësaj periudhës 34-ditore.

"Në këtë sezon festash, ju mund të prisni tre miliardë pako. Dhjetë pako për çdo amerikan që do të dërgohen gjatë sezonit të festave. Ju mund të prisni që miliona pako në ditë të vonohen me një ditë ose më shumë", thotë zoti Jindel.

Vitin e kaluar, kapaciteti total i dërgesave gjatë kësaj periudhe ishte 65.3 milionë pako në ditë.

Zoti Jindel mendon se këtë vit numri i pakove do të tejkalojë kapacitetin edhe më shumë nëse njerëzit marrin ndihmë financiare nga një paketë e mundshme stimuluese për ekonominë.

Shitjet në internet për festat e fundvitit mund të arrijnë në nivelin 189 miliardë dollarë, një rritje prej 33 përqind krahasuar me vitin e kaluar, sipas kompanisë “Adobe Analytics”, e cila mat shitjet e 80 nga 100 kompanitë kryesorë të shitjeve në internet në Shtetet e Bashkuara./VOA

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat