Kanadaja i përgjigjet planit të SHBA-së, ndalon eksportet masive të barnave me recetë

Amerika

Kanadaja i përgjigjet planit të SHBA-së, ndalon eksportet masive të barnave me recetë

Më: 29 nëntor 2020 Në ora: 14:18
Justin Trudeau

Kanadaja ka ndaluar eksportin e disa ilaçeve me recetë në mënyrë që të parandalojë mungesën e  tyre në vend.

Vendimi është në përgjigje të një plani të SHBA-së i cili do të lejonte, që ilaçet të importohen nga Kanadaja për t’i bërë ato më të lira për amerikanët.

Edhe pse çmimet e barnave me recetë në Kanada janë më të larta se disa vende, ato janë më të lira se SHBA-ja, raporton BBC.

Një numër i furnitorëve të ilaçeve në Kanada kishin paralajmëruar se plani, i zbatuar nga presidenti Trump, do të shkaktonte mungesa.

Pandemia tashmë ka rritur kërkesat për disa ilaçe, sipas agjencisë së lajmeve AFP.

Një deklaratë nga ministria e Shëndetësisë e Kanadasë tha se vendi ka 68% të barnave të tij nga jashtë dhe për këtë arsye ishte e rëndësishme të shmangte çdo ndërprerje të furnizimeve.

“Kompanive tani do t’u kërkohet gjithashtu të sigurojnë informacion për të vlerësuar mungesat ekzistuese ose të mundshme kur kërkohen, dhe brenda 24 orëve nëse ekziston një rrezik serioz ose i afërt shëndetësor,” thuhet në deklaratë.

Presidenti Trump nënshkroi një urdhër ekzekutiv në korrik për të lejuar importimin ligjor të ilaçeve më të lira nga Kanadaja.

Një muaj më vonë, kryeministri kanadez Justin Trudeau tha se ishte i lumtur të ndihmonte kombet e tjera me furnizimet e tyre nëse ishte e mundur, por përparësia e tij ishte mbrojtja e nevojave të kanadezëve.

Prodhuesit e ilaçeve janë përballur me kritika të forta nga politikanët amerikanë, përfshirë Z. Trump – si dhe nga kompanitë e sigurimeve dhe grupet e pacientëve për koston e lartë të ilaçeve të reja dhe rritjen e çmimeve në disa ilaçe të vjetra.

Presidenti i zgjedhur Joe Biden ka folur më parë për importimin e mundshëm të ilaçeve për të ulur koston.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat