Bideni ka pësuar fraktura të vogla në këmbë, Trumpi i uron shërim: Shërohu shpejt!

Amerika

Bideni ka pësuar fraktura të vogla në këmbë, Trumpi i uron shërim: Shërohu shpejt!

Nga: B.S. Më: 30 nëntor 2020 Në ora: 08:11
Joe Biden

Presidenti i sapozgjedhur i SHBA-së Joe Biden ka pësuar fraktura të vogla në këmbë pasi ka rrëshqitur ndërsa luante me një nga qentë e tij dhe ka të ngjarë të duhet të mbathë këpucë sigurie për disa javë, njoftoi të dielën mjeku i tij personal.

Incidenti ka ndodhur të shtunën, ka bërë të ditur zyra e Bidenit në një kumtesë dhe presidenti i zgjedhur amerikan 78-vjeçar nga radhët e Partisë Demokratike ka bërë një skanim me rreze X dhe CT si "masë sigurie" te ortopedi të dielën.

Mjekët fillimisht menduan se ish-nënkryetari i ShBA-së vetëm e kishte vetëm shtrembëruar kyçin e këmbës, por porositën një incizim shtesë të dëmtimit.

"Kontrolli CT ka konfirmuar fraktura të vogla", tha mjeku personal i Biden Kevin O'Connor në një deklaratë të veçantë të lëshuar nga zyra e Bidenit.

"Ai ndoshta do të ketë nevojë për një këpucë mbrojtëse në këmbë për disa javë", shtoi O'Connor.

Si presidenti më i vjetër në histori, Biden pritet të betohet në 20 janar të vitit të ardhshëm dhe aleatët, si dhe rivalët, ka të ngjarë të monitorojnë nga afër shëndetin e tij, përfundon Reuters.

Presidenti i tanishëm i SHBA Donald Trump, i cili nuk ka pranuar humbjen elektorale dhe po sfidon rezultatet në gjykatë, i uroi Bidenit shërim të shpejtë.

"Shërohuni shpejt!" shkroi Trump në Twitter.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat