SHBA: Rritje e rasteve me COVID-19, fillon rikthimi i masave kufizuese

Amerika

SHBA: Rritje e rasteve me COVID-19, fillon rikthimi i masave kufizuese

Më: 30 nëntor 2020 Në ora: 20:00
Foto

Shtetet e Bashkuara po përgatiten të shohin nëse festimet me rastin e Ditës së Falenderimeve do të rezultojnë me më shumë raste të COVID-19, sëmundjes që deri tani ka infektuar gati 63 milionë njerëz, ka shkaktuar vdekjen e afër 1.5 milion personave dhe ka dëmtuar ekonomitë në mbarë botën. Sipas të dhënave të Universitetit Johns Hopkins ShBA ka aktualisht mbi 13 milionë e 386 mijë raste ndërsa 266 mijë e 887 veta kanë humbur jetën.

Shumë amerikanë rikthehen në punë këtë javë pas pushimit për Ditën e Falenderimeve.

Ndërsa shumë njerëz vendosën të festojnë në shtëpi, të tjerë udhëtuan për t’u mbledhur me familjet tyre.

Zyrtarët janë të shqetësuar se udhëtimet mund të shkaktojë përhapje më të madhe të koronavirusit. Në nëntor, ShBA regjistruan më shumë se 4 milionë raste, një dyfishim i shifrave të tetorit dhe sipas drejtorit të Institutit Kombëtar për Alergji dhe Sëmundje Ngjitëse, Dr. Anthony Fauci, në dhjetor ato mund të shtohen edhe më shumë.

“Nuk duam të frikësojmë njerëzit, por ky është realiteti. Kemi paralajmëruar se kjo do të ndodhë kur temperaturat të bien dhe të fillojnë udhëtimet. Kjo po ndodh. Do të ndodhë sërish”, thotë ai.

Pas shtimit të rasteve, bashkia me numrin më të lartë të banorëve në ShBA, Los Anxhelosi, lëshoi një urdhër që banorët të qëndrojnë në shtëpi për tre javë.

Në përfundim të sezonit të rregullt, Liga Kombëtare e Futbollit, ndaloi aktivitetet në hapësirat e ekipeve.

Por kryetari i bashkisë së Nju Jorkut, Bill de Blasio, njoftoi hapjen e shkollave fillore, duke ndryshuar vendimin e mëparshëm.

Zyrtarët ishin kritikuar gjithandej në ShBA për lejimin e shërbimit brenda restoranteve dhe hapjen e bareve, por mbylljen e shkollave nga ana tjetër. Ekspertët mjekësorë thonë se fëmijët nuk e përhapin virusin sa të rriturit.

“Le të provojmë rikthimin e fëmijëve, por të mundohemi të pengojmë gjërat që po shkaktojnë përhapjen e sëmundjes në komunitet. Ju e dini se në bare dhe restorante klientët qëndrojnë pa maskë. Këto janë gjërat që përhapin sëmundjen në komunitet dhe jo shkollat”, tha për emisionin “This Week” të rrjetit ABC, Dr. Anthony Fauci, drejtor i Institutit Kombëtar për Alergji dhe Sëmundje Infektive.

Duke shpresuar në krijimin e një vaksine, Anthony Fauci dhe zyrtarë tjerë shëndetësorë po bëjnë thirrje për respektimin e masave të mbrojtëse si mbajtja e maskave, shmangia e grumbullimeve dhe mbajtja e distancës fizike. Ekspertët amerikanë takohen këtë javë për të vendosur menyrën e shpërndarjes së furnizimeve fillestare të një vaksine, sapo një kompani të sigurojë miratimin e qeverisë./VOA

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat