Donatori 'mercenar' që shiste qasje në politikën amerikane

Amerika

Donatori 'mercenar' që shiste qasje në politikën amerikane

Më: 30 nëntor 2020 Në ora: 23:47
Imaad Zuberi dhe Thomas O'Brien

Imaad Zuberi, një grumbullues fondesh politike, hynte në elitën e këtij profesioni dhe fjalën e tij e dëgjonin si demokratët ashtu edhe republikanët e rangjeve të larta. Ai kishte patur takime private me Zëvendës Presidentin e atëhershëm Joe Biden dhe i ishte dhënë një vend i veçantë ndër pjesëmarrësit në inaugurimin e Presidentit Donald Trump.

Ai bënte një jetë luksi, udhëtonte me avionë privatë, rrinte në hotele të njohura dhe ftonte ligjvënës apo diplomatë në restorante me katër yje. Ambasadorët e huaj i drejtoheshin Zuberit sa herë që kërkonin takime në Kongres.


Ai ishte një njeri me lidhje të gjera. Llogaria e tij në Facebook ishte e mbushur me fotografi të tij pranë njerëzve të fuqishëm dhe të famshëm: në darka me Hillary Clintonin dhe Robert De Niron, apo me shefin e dikurshëm të kabinetit të Presidentit Trump, Reince Priebus pranë Mar-A-Lagos. Zuberi mblodhi shuma të mëdha parash për fushatën e zonjës Clinton në zgjedhjet e 2016, ndërsa më pas u bë një donator kryesor për Komisionin Presidencial të Përurimit për Presidentin Trump.

Por prokurorët federalë thonë se jeta e Zuberit ishte ngritur mbi një seri gënjeshtrash, mbi biznesin fitimprurës të financimit të fushatave politike amerikane dhe mbi ndikimin që ai përfitonte nga ky aktivitet.

"Të gjithë duan të vijnë në Uashington për të takuar njerëz," shkruante Zuberi në një email të vitit 2015 të siguruar nga agjencia Associated Press, në të cilin ai kërkonte një takim midis presidentit të Guinesë dhe një kongresmeni të fuqishëm. "Ne marrim kërkesa për takime nga gjithë maskarenjtë e botës, komandantë lufte, mbretër, mbretëresha, presidentë të përjetshëm, diktatorë ushtarakë, shefa klanesh, krerë fisesh etj."

Prokurorët e përshkruajnë Zuberin si një donator politik "mercenar" që i jepte para kujtdo nga i cili mund të nxirrte përfitime, shpesh këtë e bënte në mënyrë të paligjshme, duke përdorur paratë e të tjerëve. Paguaj për të patur influencë, “kështu funksionon Amerika,” u shpjegonte ai klientëve.

Historia e Zuberit nënvizon se sa boshllëqe ka në ligjet amerikane për fushatat dhe lobimet nga të huajt. Ajo ngre pyetjen: Si ka mundësi që një mashtrues kaq cinik arrin të gjejë favorizime nga kaq shumë zyrtarë në nivelet më të larta të qeverisë amerikane?

“Çështja Zuberi flet për ndërhyrjen e huaj korruptive dhe të përhapur tek zgjedhjet dhe proceset tona të politikëbërjes,” tha Ndihmësi Prokurori i SHBA Daniel J. O'Brien.

Vitin e kaluar, Zuberi pranoi në gjykatë fajësinë për shkelje të ligjeve për financimin e fushatave, duke mos u regjistruar si një agjent i huaj si dhe për evazion fiskal. Ai gjithashtu pranoi se kishte penguar një hetim federal në New York për të gjetur nëse shtetas të huaj kishin kontribuar në mënyrë të paligjshme për komisionin e inaugurimit të Presidentit Trump. Zuberi përballet me disa vjet burgim.

Por hetimi i Departamentit të Drejtësisë ka lënë shumë pyetje pa përgjigje në lidhje me implikimet e huaja të Zuberit dhe mbi atë se kush ka përfituar nga veprimet e tij. Përveç një bashkëpunëtori të parëndësishëm, i cili pranoi fajin për shkelje me taksat, ndaj asnjë personi tjetër që ndihmoi Zuberin nuk është ngritur akuzë.

As qeveria nuk i ka shpallur publikisht me emër politikanët që përfituan nga donacionet e Zuberit apo që i bënë atij favore.

Por një hetim i agjencisë Associated Press identifikon bashkëpunëtorët, mundësuesit dhe shënjestrat e përpjekjeve për ndikim të Zuberit, duke arritur të sigurojë email-e private, dokumente gjyqësore, raporte financiare të fushatës dhe intervista me më shumë se 30 njerëz, përfshirë diplomatë, zyrtarë të zbatimit të ligjit, lobistë dhe ish-anëtarë të Kongresit.

Të marrë së bashku, ata japin një ide më të plotë për ngritjen dhe rënien e shpejtë të Zuberit në politikë dhe për të çarat në sistem që e lejuan këtë të ndodhte.

Dokumentet dhe intervistat tregojnë se Zuberi përdorte një skemë, sipas së cilës ai paguante me kartat e tij të kreditit për donacionet e të tjerëve. Për këto pagesa ai përdorte emra të rremë ose të njerëzve të vdekur. Departamenti i Drejtësisë thotë se Zuberi bëri pothuajse 1 milion dollarë dhurime të paligjshme për fushata. Zyrtarët thonë se kjo ishte një nga skemat më të mëdha që ata kanë ndjekur ndonjëherë ligjërisht.

Donacionet që bënte i dhanë Zuberit akses me rëndësi mes diplomatëve, gjeneralëve dhe të tjerëve, veçanërisht personave në Kongres që merreshin me politikën e jashtme. Prokurorët thonë se Zuberi punoi për vite me radhë si një agjent i huaj i paregjistruar për një numër vendesh dhe zyrtarësh, duke përfshirë një oligark ukrainas të afërt me Presidentin rus Vladimir Putin.

Prokurorët thonë gjithashtu se lobimi i fshehtë i Zuberit përfshinte punën për të pezulluar një rezolutë të Dhomës së Përfaqësuesve që kundërshtohej nga Presidenti turk Tayyip Erdogan dhe të tjera.

Zuberi përdori gjithashtu lidhjet e tij të gjera me zyrtarë të zgjedhur amerikanë për të transferuar informacione potencialisht të dobishme për zyrtarët e huaj, përfshirë informacione në lidhje me Zëvendës Presidentin e atëhershëm Joe Biden. Ai mbante kontakte të ngushta me një oficer të CIA-s në Bregun Perëndimor dhe mburrej për lidhjet e tij me komunitetin e inteligjencës.

Zuberi i bëri fshehurazi një kërkesë gjyqtares amerikane Virginia Phillips që t’i njihej merita për informacionet që ai thotë se i ka dhënë agjencive federale ligjzbatuese dhe të inteligjencës.

Prokurorët i kanë kërkuar gjyqtares Phillips ta dënojë Zuberin me të paktën 10 vjet burg. Ata kërkojnë gjithashtu që ai të paguajë një gjobë prej 10 milionë dollarësh dhe të kthejë gati 16 milionë dollarë për taksat e papaguara.

Zuberi kërkon një dënim shumë më të lehtë Ai pranon se ka shkelur ligjet e fushatës duke bërë dhurime në emra të të tjerëve, por thotë se shuma e dhurimeve të paligjshme është më e ulët se ajo që pretendojnë prokurorët.

"Qeveria në fakt synon ta përdorë zotin Zuberi si shembull për të tjerët, mbi atë që ai meriton për veprimet e bëra," thanë avokatët e tij në proceset gjyqësore.

Brendan Fischer, drejtor i reformës në Qendrën Ligjore të Fushatave, tha se është e pamundur të dihet se sa ndërmjetës të tjerë në Uashington janë duke vepruar si Zuberi por që nuk janë zbuluar.

"Nëse Zuberi do të kishte respektuar kërkesat minimale, themelore të transparencës së ligjit… ai mund ta kishte bërë punën e tij në mënyrë të ligjshme," tha zoti Fischer./Voa/

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat