Administrata Trump ndalon importet e produkteve të pambukut nga kompania kineze XPCC

Amerika

Administrata Trump ndalon importet e produkteve të pambukut nga kompania kineze XPCC

Më: 3 dhjetor 2020 Në ora: 16:12
Administrata e presidentit Trump

Administrata e presidentit Trump ka vendosur ndalimin e importeve të produkteve të pambukut të prodhuara nga një firmë kineze e kontrolluar nga shteti, për shkak se mbështetet në punën e detyruar të të ndaluarve nga pakicave etnike.

Agjencia për Mbrojtjen e Kufirit dhe Doganat lëshoi një urdhër të mërkurën që ndalon furnizimet nga kompania pothuajse ushtarake kineze Korpusi i Mbrojtjes dhe Ndërtimit, (XPCC) me seli në provincën Xinjiang. Urdhri kërkon gjithashtu që çdo kompani amerikane që kërkon të importojë produkte pambuku nga Kina duhet të provojë se ato nuk vijnë nga kjo kompani, ose se ajo nuk është e përfshirë në zinxhirin e furnizimit. Provinca Xinjiang është burimi kryesor i pambukut dhe tekstileve të përdorura nga shumë prej markave më të mëdha dhe më të njohura të veshjeve në botë. Kompania XPCC prodhoi gati 30% të pambukut të Kinës në vitit 2015.

Zëvendës sekretari i përkohshëm i Departamentit të Sigurisë Kombëtare, Ken Cuccinelli, tha në një deklaratë se çdo veshje me markën "Made in China" duhet të konsiderohet si "një etiketë paralajmëruese" pasi është prodhuar nga "punë skllavëruese".

Kreu i agjencisë për Mbrojtjen e Kufirit dhe Doganave Mark Morgan tha se “abuzimi sistematik i Kinës me punën e detyruar në provincën Xinjiang duhet të shqetësojë çdo biznes dhe konsumator amerikan. Puna e detyruar është një shkelje e të drejtave të njeriut që dëmton punëtorët e pambrojtur dhe përhap konkurrencën e padrejtë në zinxhirët e furnizimit .”

Ndalimi vjen pas studimeve dhe njoftimeve të fundit të medias që dokumentojnë sesi grupe njerëzish në Xinjiang, veçanërisht pakicat myslimane ujgure dhe kazake, rekrutohen në programe që i caktojnë ata të punojnë në uzina, ferma pambuku dhe fabrika tekstilesh./VOA

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat