Agjencia mbikqyrëse e Zërit të Amerikës urdhërohet të hetojë akuzat për shkelje

Amerika

Agjencia mbikqyrëse e Zërit të Amerikës urdhërohet të hetojë akuzat për shkelje

Më: 4 dhjetor 2020 Në ora: 06:44
Ilustrim

Enti federal që ka për detyrë të mbrojë punonjësit qeveritarë që raportojnë shkelje apo abuzime brenda institucioneve qeveritare, ka urdhëruar agjencinë që mbikqyr Zërin e Amerikës dhe rrjete të tjera të lajmeve që të hetojë akuzat për shkelje nga drejtuesit e institucionit.

Letrat e 2 dhjetorit, që mbajnë firmën e Zyrës së Kontrollorit Special (Eksperti Ligjor), thonë se Michael Pack, kreu i Agjencisë Amerikane për Median Globale, USAGM, ishte urdhëruar të hapte hetime, pasi Zyra e Kontrollorit Special kishte zbuluar “gjasa të konsiderueshme për shkelje” bazuar në hollësitë e ankesës së raportuesit.

Që nga emërimi i zotit Pack si shef ekzekutiv i Agjencisë USAGM në qershor, krerët e rrjeteve transmetuese janë shkarkuar ose kanë dhënë dorëheqjen, zoti Pack ka bllokuar rinovimin e vizave për gazetarë të huaj që punojnë për agjencinë dhe zyrtarët politikë të emëruar prej tij kanë hapur hetime mbi gazetarë dhe redaktorë.

Letrat janë një goditje tjetër ndaj shefit të ri ekzekutiv, Michael Pack, pasi një gjykatë federale nxori një vendim paraprak ku i ndalon zotit Pack dhe zyrtarëve që ka sjellë ai në agjenci të ndërhyjnë në vendimet redaksionale ose të shkelin të drejtat e gazetarëve të sanksionuara në Amendamentin e Parë.

Atyre gjithashtu u ndalohet të zhvillojnë hetime mbi përmbajtjen e lajmeve ose mbi gazetarët dhe të marrin vendime mbi personelin, lidhur me individë të caktuar që punojnë në rrjetet e mbikqyrura nga USAGM. Urdhri është masë parandaluese për të mos lejuar veprime të mëtejshme deri kur të merret një vendim lidhur me një ankimimin mbi shkelje.

Agjencia Amerikane për Median Globale, USAGM, nuk iu përgjigj kërkesës së Zërit të Amerikës për koment.

Zyra e Kontrollorit Special është një agjenci e pavarur federale e ngritur për të mbrojtur nga përndjekja personat që raportojnë shkelje apo abuzime në vendet e tyre të punës. Kjo zyrë ka autoritetin të urdhërojë hapjen e hetimeve, por nuk ka kompetenca për të marrë masa ndëshkimore.

Zyra e Kontrollorit Special ka dërguar më shumë se dhjetë letra në adresë të avokatëve apo organizatave që përfaqësojnë informatorët. Një ndër to është Projekti për Llogaridhënie në Qeveri, i cili përfaqëson më shumë se 20 individë nga USAGM dhe Zëri i Amerikës që kanë ngritur padi, por pjesa më e madhe e tyre kanë preferuar të mbeten anonimë.

"Letrat përfaqësojnë një kombinim të ankimimeve të personave që kanë informuar për shkelje,” tha për Zërin e Amerikës David Seide, jurist për Projektin për Llogaridhënie në Qeveri.

Zëri i Amerikës i ka parë letrat, të cilat rendisin të njëjtat pretendime, përfshirë:

- Shkelje të përsëritura nga USAGM të pavarësisë redaksionale të Zërit të Amerikës, në bazë të mbrojtjes që gëzon ky rrjet nga presioni politik;

- Probleme serioze në menaxhim, përfshirë shkarkimin e krerëve të rrjeteve Radio Azia e Lirë, Radio Evropa e Lirë/Radio Liria; Rrjeti i Transmetimeve në Lindjen e Mesme; Zyra për Transmetime në Kubë si dhe Fondi për Teknologji të Hapur;

· Zëvendësimi i një bordi dypartiak me të emëruar politikë dhe caktimi i shefit ekzekutiv në krye të tij;

· Transferimi i redaktorit të Standardeve dhe Praktikave më të mira të Zërit të Amerikës;

·Anulimi i certifikimitt të sigurisë të gjashtë zyrtarëve të USAGM;

· Refuzimi i rinovimit të vizave J-1 për gazetarët ndërkombëtarë, për të cilët letrat thonë se "po rrezikon vazhdimësinë e operacioneve të agjencisë dhe sigurinë e atyre individëve";

· Ngrirjet e papërshtatshme të punësimeve dhe pretendimet për transferim të paligjshëm ose presion ndaj stafit për të ndryshuar mënyrën e përdorimit të fondeve të miratuara nga Kongresi;

· Ndalimi i zyrtarëve duke përfshirë atë të Këshilltarit Ligjor që të komunikojnë me palët e jashtme pa pëlqimin e zyrës së shefit ekezekutiv.

"Letrat e Zyrës së Këshilltarit Ligjor (Kontrollorit Special) tregojnë se një agjenci federale e pavarur, OSC, kanë pohuar që klientët tanë kanë treguar se është e mundur që mund të jenë bërë shkelje nga udhëheqja politike e agjencisë", tha zoti Seide për Zërin e Amerikës. "Ky është një hap i rëndësishëm, më i madh se ai i fundit."

Një agjenci federale zakonisht ka 60 ditë për të hetuar ankesat dhe për t'i raportuar Zyrës së Këshilltarit Ligjor (OSC), dhe ajo mund të kërkojë një zgjatje. Gjetjet përfundimtare të OSC-së i dërgohen Kongresit dhe presidentit amerikan.

Letrat OSC-së udhëzojnë kreun e USAGM për të hetuar agjencinë. Edhe nëse zoti Pack do të jepte dorëheqjen ose do të hiqej nga detyra, hetimi do të vazhdonte. Zoti Pack u konfirmua nga Senati si Shef Ekzekutiv në qershor me një mandat tre-vjeçar. Megjithatë, pasi zoti Pack shkarkoi disa redaktorë të lajmeve pas mbërritjes së tij, një zëdhënës i ekipit të fushtatës së zotit Biden i tha agjencisë së lajmeve VOX se nëse fitonte zgjedhjet, kandidati i atëhershëm Joe Biden do ta shkarkonte zotin Pack.

Zoti Pack nuk u paraqit për dëshmi në një seancë dëgjimore të Dhomës së Përfaqësuesve në shtator, ku u shqyrtua gjendja në USAGM, duke zgjuar kritika nga ligjvënësit republikanë dhe demokratë.

Ligjvënësi demokrat nga Nju Jorku, Eliot Engel, kryetar i Komisionit të Punëve të Jashtme të Dhomës së Përfaqësuesve, i tha Zërit të Amerikës muajin e kaluar se, "Unë kam besim se Administrata Biden do të caktojë një udhëheqës kompetent në USAGM i cili i kupton përpjekjet tona të transmetimeve ndërkombëtare, respekton ligjin dhe mund të zhbëjë dëmin që zoti Pack ka bërë gjatë mandatit të tij të shkurtër.”

OSC i tha Zërit të Amerikës se nuk mund të bëjë komente ose të konfirmojë hetimet e hapura.

Në letrat, OSC thotë se ndërsa beson se ankesat duket se tregojnë mundësi për shkelje, ai mbetet një hetim i hapur.

Drejtuesve të agjencive federale u kërkohet nga ligji të kryejnë një hetim në rastet kur Zyra e Këshiltarit Ligjor beson se ka gjasa të konsiderueshme se shkeljet mund të kenë ndodhur.

Nuk ishte i qartë roli i saktë që zoti Pack mund të luajë në hetimin e veprimeve të USAGM-së nën vëzhgimin e tij.

Shpesh Zyrës së Inspektorit të Përgjithshëm i kërkohet të merret me hetimin, por drejtuesit e agjencive kanë të drejtë të përdorin ente të tjera hetimore./Voa/

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat