Biden do t'u kërkojë amerikanëve të mbajnë maska ​​për 100 ditë

Amerika

Biden do t'u kërkojë amerikanëve të mbajnë maska ​​për 100 ditë

Më: 4 dhjetor 2020 Në ora: 15:08
Presidenti i zgjedhur amerikan, Joe Biden.

Presidenti i zgjedhur amerikan, Joe Biden, ka thënë se do t'u kërkojë amerikanëve t'i mbajnë maskat mbrojtëse të fytyrës, për 100 ditët e tij të para në detyrë, në mënyrë që të kufizojnë përhapjen e koronavirusit.

“Në ditën e parë pasi të marr detyrën, unë do të kërkoj nga qytetarët që për 100 ditë t'i mbajn maskat ... jo përgjithmonë, vetëm 100 ditë", tha Biden për CNN më 3 dhjetor në intervistën e tij të parë të përbashkët me zëvendëspresidenten e zgjedhur, Kamala Harris.

Ai shfaqi besimin se do të kishte një "ulje të ndjeshme" të rasteve me COVID-19, nëse çdo amerikan do të mbante një maskë në fytyrë. Biden, gjithashtu, tha se ai do të urdhërojë që maskat ​të mbaheshin në të gjitha ndërtesat qeveritare.

SHBA-ja ka regjistruar 14.1 milionë raste dhe 276,000 vdekje nga COVID-19, shifër kjo më e larta në botë.

Megjithatë, Biden e ka pranuar që presidenti nuk mund të ketë autoritetin ligjor për të lëshuar një mandat të mbajtjes së maskave që do të vlente në të gjithë vendin.

Në intervistë, Bideni tha se atje ku ai ka autoritet ekzekutiv, për shembull në pronën federale dhe në transportin ndërshtetëror, duke përfshirë aeroplanët dhe autobusët, ai do të lëshojë një urdhër për mbajtjen e maskave.

Autoritetet shëndetësore amerikane thonë se mbajtja e maskave siguron njëfarë mbrojtje për personin që e mban atë, dhe ndihmon në zvogëlimin e transmetimit të virusit nga njerëzit e infektuar. Linjat ajrore, aeroportet dhe shumica e autoriteteve të transportit publik në SHBA tashmë kërkojnë mbajtjen e maskës.

Rregullat e shteteve ndryshojnë, por zakonisht ato kërkojnë që njerëzit të mbajnë maska në hapësira të brendshme publike dhe jashtë, kur nuk janë në gjendje të mbajnë dy metra distancë nga të tjerët.

Pozicioni i Bidenit është në kontrast me presidentin Donald Trump, i cili e ka minimizuar situatën me pandeminë, duke u tallur me mbajtjen e maskave dhe duke kërkuar rihapjen e ekonomisë. Në tetor, Trump u shtrua në spital pasi ishte sëmurë me COVID-19.

Biden po përgatitet të marrë detyrën në kohën kur kompanitë farmaceutike janë gati të dërgojnë miliona doza të vaksinave kundër koronavirusit në Shtetet e Bashkuara.

Mbretëria e Bashkuar, të mërkurën, u bë vendi i parë në botë që miratoi vaksinën e kompanisë Pfizer. Në intervistë, Biden tha se do të ishte "i lumtur" të merrte vaksinën në mënyrë publike, në mënyrë që të adresohet çdo shqetësim në lidhje me efikasitetin dhe sigurinë e vaksinës.

"Është e rëndësishme t'i komunikosh popullit amerikan se është e sigurt (vaksina)", tha 78-vjeçari Biden.

Presidenti i zgjedhur demokrat, gjithashtu, tha se ai i kërkoi Anthony Faucit, kreut të Institutit Kombëtar të Alergjisë dhe Sëmundjeve Infektive, të qëndronte në administratën e tij.

Ish-presidentët e SHBA-së zotohen se do ta marrin publikisht vaksinën

Tre ish-presidentët amerikanë - Barack Obama, George W. Bush dhe Bill Clinton - kanë thënë se ata, gjithashtu, do të vaksinohen publikisht, për të treguar se vaksina është e sigurt.

"Unë ju premtoj se kur vaksina të jetë gati për njerëzit që janë më pak të rrezikuar, unë do ta marr atë", tha Obama në një intervistë me radion Sirius XM të transmetuar më 3 dhjetor.

Bush, një republikan dhe paraardhësi i Obamës tha se "dëshiron të bëjë atë që mundet për të ndihmuar inkurajimin e bashkëqytetarëve të tij për t'u vaksinuar", tha shefi i tij i stafit të tij, Freddy Ford, për CNN.

Klinton "patjetër" do të ishte i gatshëm të merrte një vaksinë kur është në dispozicion dhe pasi individët me përparësi ta kenë marrë atë, tha zëdhënësi i tij, Angel Urena.

"Ai do të vaksinohet në një mjedis publik, nëse kjo do të ndihmojë në nxitjen e të gjithë amerikanëve të bëjnë të njëjtën gjë", tha Urena, në një deklaratë.

Autoritetet amerikane pritet të lëshojnë autorizimin e përdorimit emergjent për dy vaksina, sa më shpejt këtë muaj.

Një vaksinë e zhvilluar nga kompania amerikane Pfizer me partnerin gjerman BioNTech, u tregua se ishte 95 për qind efektive. Vaksina e firmës bioteknike - Moderna - e SHBA-së ishte gjithashtu gati 95 për qind efektive në provën e saj.

Të dyja këto kompani kanë aplikuar për autorizim emergjent të përdorimit në SHBA dhe Evropë./REL

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat