Argjentina u vë taksë të pasurve për të ndihmuar shtetin në luftën ndaj COVID-19

Amerika

Argjentina u vë taksë të pasurve për të ndihmuar shtetin në luftën ndaj COVID-19

Më: 5 dhjetor 2020 Në ora: 14:52
Argjentinë

Kongresi i Argjentinës ka miratuar një taksë të re ndaj më të pasurve të vendit, duke i ngarkuar ata me mbulimin e pagesave për furnizimet mjekësore dhe masat e ndihmës në kohën e pandemisë së vazhdueshme të koronavirusit.

Senatorët kaluan një taksë të quajtur “taksa e milionerëve” me 42 vota pro kundrejt 26 që ishin kundër, të premten.

Ata me pasuri më shumë se 2.5 milionë dollarë – diku 12 mijë njerëz – do të duhet të paguajnë këtë taksë.

Argjentina ka regjistruar deri tash 1.5 milionë të infektuar dhe gati 40 mijë të vdekur si pasojë e koronavirusit. Ajo është goditur shumë nga pandemia, duke u bërë vendi i pestë në botë që kishte regjistruar një milion raste në tetor, pavarësisht se ka një popullatë prej 45 milionësh – duke u bërë kombi më i vogël që arrin të kalojë këtë shifër.

Masat e izolimit kanë shkaktuar ngecje ekonomike sa i përket punësimit, nivelit të varfërisë e borxhit masiv të shtetit. Argjentina ka qenë në recesion që nga 2018-a.

Një nga autorët e ligjit ka thënë se kjo do të prekë vetëm 0.8 për qind të taksapaguesve. Ata që preken nga kjo do të paguajnë një ratë progresive deri në 3.5 për qind të pasurisë në Argjentinë dhe deri 5.25 për qind për pasurinë jashtë shtetit.

Nga paratë e mbledhura, 20 për qind do të shkojnë për furnizime mjekësore, 20 për qind për lehtësime për bizneset e vogla dhe të mesme, 20 për qind për bursa për studentët, 15 për qind për zhvillime shoqërore dhe 25 për qind për gaz.

Qeveria synon të grumbullojë me këtë masë deri në tre milionë euro, por kundërshtarët frikësohen se do të dekurajohen investitorët e huaj.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat