SHBA: Një gjykatës vendos rifillimin e zbatimit të programit DACA

Amerika

SHBA: Një gjykatës vendos rifillimin e zbatimit të programit DACA

Më: 5 dhjetor 2020 Në ora: 18:07
SHBA

Një gjykatës federal vendosi të premten, se administrata e Presidentit Trump duhet të fillojë të pranojë aplikime të reja për programin që bën të mundur qëndrimin në Shtetet e Bashkuara të emigrantëve pa dokumenta, të sjellë në Shtetet e Bashkuara kur ishin në moshë të mitur.

Gjykatësi Nicholas Garaufis arriti në përfundimin se një dokument i lëshuar në korrik nga Sekretari në detyrë për Sigurinë Kombëtare, Chad Wolf ishte i pavlefshëm. Memorandumi pezullonte aplikimet e reja për programin që mbron disa të rinj emigrantë nga deportimi dhe ulte kohëzgjatjen e rinovimeve, nga dy vjet në një vit.

Vendimi i së premtes pason një vendim të nëntorit nga gjykatësi Garaufis që arrinte në përfundimin se zoti Wolf ishte në mënyrë të paligjshme në pozicionin e tij. Garaufis është një gjyqtar me përvojë në Nju Jork.

Gjyqtari Garaufis tha se qeveria ka tre ditë kohë të nxjerrë një njoftim publik se aplikacionet e reja DACA po pranohen. Ai gjithashtu i dha qeverisë një muaj për të siguruar një raport të statusit të programit.

Agjencia Associated Press ka bërë një kërkesë për koment nga Departamenti i Sigurisë Kombëtare.

"Më shumë se një milion të rinjve pjesë e programit DACA sapo iu është dhënë mundësia dhe liria që të kenë mundësi të arrijnë potenciali e tyre në këtë vend që është shtëpia e tyre," tha Kamal Essaheb, zëvendës drejtor i Qendrës Kombëtare të Ligjit të Emigracionit dhe ish-përfitues i DACA-s.

"Ne gëzojmë për këtë fitore të fundit me ata persona të guximshëm që ngritën padi dhe mezi presim një administratë të re pro-emigrantëve nën Presidentin e zgjedhur [Joe] Biden, dhe një zgjidhje të përhershme të çështjes së të rinjve të DACA-s në ditën e parë të administratës së tij."

Presidenti Donald Trump u përpoq ta shfuqizonte programin DACA që u miratua në 2012 nga paraardhësi i tij, Presidenti Barack Obama, por Gjykata e Lartë vendosi në qershor se administrata Trump nuk kishte ndjekur procedurat e duhura për mbylljen e tij. Ky vendim i gjykatës e shtyu zotin Wolf të nxjerrë memorandumin e tij.

Ka më shumë se 650’000 njerëz që përfitojnë nga programi DACA. Për t'u kualifikuar, ata duhet të kenë ardhur në Shtetet e Bashkuara para 16 vjetorit të tyre, të kenë jetuar në vend pa ndërprerje që nga mesi i vitit 2007, të ishin nën moshën 31 vjeç në mes të vitit 2012, të mos kishin dënime të rënda për kundërvajtje, të mos paraqesin kërcënim të sigurisë kombëtare, dhe ose të kenë një diplomë të shkollës së mesme, të jenë të regjistruan në shkollë, ose të kenë shërbyer në ushtrinë amerikane.

Zoti Biden, që ka qenë nënpresident gjatë administratës së zotit Obama, ka thënë se do ta mbrojë grupin e emigrantëve, të cilëve shpesh u është referuar si "ëndërrimtarë" dhe do t'u japë atyre dhe emigrantëve të tjerë të padokumentuar një proces drejt shtetësisë./VOA

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat