Negociatat në Kongres për paketën e ndihmës financiare prej 900 miliardë dollarësh

Amerika

Negociatat në Kongres për paketën e ndihmës financiare prej 900 miliardë dollarësh

Më: 19 dhjetor 2020 Në ora: 22:37
Flamuri valëvitet në selinë e Kongresit të Shteteve të Bashkuara

 Negociatorët po punojnë për të zgjidhur një grusht çështjesh të mbetura, në kuadrin e përpjekjeve për të finalizuar një paketë lehtësimi ekonomik nga COVID-19, me vlerë gati 1 trilion dollarë të shtunën, duke ruajtur kështu optimizmin se bisedimet e vonuara, së shpejti do të prodhonin një marrëveshje. Senati u mblodh në sesion pune të shtunën pasdite, ndërsa anëtarët e Dhomës së Përfaqësuesve qëndruan në gatishmëri për një votim që duket se nuk do të zhvillohet deri të dielën.

Kryetarja e Dhomës së Përfaqësuesve Nancy Pelosi tha se një dispozitë nga Senatori republikan Pat Toomey, që do të frenonte kompetencat në kushte emergjence të Rezervës Federale ishte pengesa më e madhe për arritjen e një marrëveshjeje.

"Kjo duhet të zgjidhet. Dhe atëherë gjithçka do të vejë në vend", tha ajo. "Eshtë një dallim shumë i rëndësishëm".

Demokratët thanë se qëndrimi i Senatorit Toomey për Rezervën Federale do ta privonte Presidentin e zgjedhur Joe Biden nga mjetet thelbësore për të menaxhuar ekonominë.

Afati i së dielës

Një afat i ri i mesditës të së dielës për një mbyllje të qeverisë shërbeu si një shtysë për negociatat e trazuara, të cilat po kryheshin në fshehtësi, kryesisht midis katër udhëheqësve më të lartë në Kongres.

"Ne duhet të përfundojmë bisedimet tona, të hartojmë legjislacionin dhe ta ulim këtë aeroplan", tha udhëheqësi i shumicës republikane në Senat, Mitch McConnell.

Një zëdhënës i zonjës Pelosi tha se ajo u tha kolegëve demokratë në një tele-konferencë të shtunën se "gjendemi fare pranë realizimit"./VOA

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat