Presidenti i Brazilit: Vaksina mund t’i kthejë njerëzit në krokodilë dhe të bëjë femrat me mjekër

Amerika

Presidenti i Brazilit: Vaksina mund t’i kthejë njerëzit në krokodilë dhe të bëjë femrat me mjekër

Më: 21 dhjetor 2020 Në ora: 07:22
Jair Bolsonaro

Presidenti brazilian, Jair Bolsonaro, ka nisur një sulm ndaj vaksinave të koronavirusit. Së fundmi, ai është shprehur se vaksina Pfizer-BioNTech mund t’i kthejë njerëzit në krokodila ose zonja me mjekër.

Lideri brazilian i ekstremit të djathtë ka qenë skeptik ndaj koronavirusit qëkur e quajti atë “një grip i lehtë”. Këtë javë ai këmbënguli se nuk do të vaksinohej, edhe pse vendi ka nisur programin e vaksinimit masiv.

“Në kontratën e Pfizer thuhet shumë e qartë: “ne nuk mbajmë përgjegjësi për ndonjë efekt anësor”. Nëse kthehesh në një krokodil, është problemi yt”,  tha Bolsonaro të enjten.

Pfizer-Biotech u është nënshtruar testeve në Brazil për javë të tëra dhe tashmë po përdoret në Shtetet e Bashkuara dhe Britani.

“Nëse bëheni mbinjerëzorë, nëse një gruaje fillon t’i rritet mjekra ose nëse një burrë fillon të flasë me zë femëror, ata nuk mbajnë përgjegjësi”, tha ai, duke iu referuar prodhuesve të ilaçeve.

Kur nisi fushatën e imunizimit të mërkurën, Bolsonaro gjithashtu tha se vaksina do të ishte falas por jo e detyrueshme.

Por Gjykata e Lartë të enjten vendosi që vaksina ishte e detyrueshme.

Kjo do të thotë që autoritetet mund të gjobisin njerëzit për mos vaksinim dhe t’i ndalojnë ata në hapësira të caktuara publike, por jo t’i detyrojnë ta bëjnë injeksionin.

Brazili ka regjistruar më shumë se 7.1 milion raste dhe pothuajse 185 000 vdekje nga Covid-19.

Vetë Bolsonaro u infektua në korrik, por u shërua brenda tre javësh.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat