Si operon Senati deri në përfundimin e balotazheve në Xhorxhia?

Amerika

Si operon Senati deri në përfundimin e balotazheve në Xhorxhia?

Më: 1 janar 2021 Në ora: 22:32
Xhorxhia

Ndikimi i balotazheve për dy vende në Senat është i mirënjohur: këto dy gara do të vendosin cila parti do të kontrollojë Senatin. Por rrethanat dhe momenti kur zhvillohen garat më 5 janar i bëjnë këtë zgjedhje më të komplikuara. Një nga dy garat e Xhorxhias është e radhës, për zgjedhjen e një senatori të ri, siç ndodh çdo gjashtë vjet. Tjetra është në kuadër të zgjedhjeve speciale, për mbarimin e një mandati ekzistues.

Balotazhet zhvillohen vetëm pak ditë pasi mblidhet Kongresi i ri të dhe 15 ditë para se të bëjë betimin presidencial Joe Bideni, duke i ndërlikuar më tej gjërat. Kjo nënkupton se republikanët do të kenë shumicën prej 51 vendesh në Kongresin e ri, duke i dhënë mundësi Senatorit Mitch McConnell të hapë sesionin e Senatit të ri si kreu i shumicës republikane. Kjo garë, për disa arsye, është shumë e rëndësishme:

Klima Politike

Kongresi i ri zgjidhet çdo dy vjet. Zgjedhjet e nëntorit u siguruan republikanëve të paktën 50 vende në Senat për Kongresin e 117-të, i cili mblidhet për herë të parë në janar. Demokratët siguruan 48 vende në Senat. Ende nuk dihet si do të ndahen vendet e Xhorxhias në Senat. Senatorët David Perdue dhe Kelly Loeffler, të dy republikanë, do të konkurrojnë përballë demokratëve, Jon Ossoff dhe Raphael Warnock.

Nëse republikanët fitojnë të paktën një nga garat për Senat, ata do të kenë nën kontroll Senatin për Kongresin e ardhshëm (me kusht që të mos ketë ndryshime të papritura). Demokratëve u nevojitet fitore në të dyja garat, në mënyrë që Senati të ndahet 50-50 mes dy partive. Në kushte kur votat për një propozim legjislativ ndahen barabar, atëherë Nënpresidentja e ardhshme, Kamala Harris do të hidhte votën vendimtare. Një teknikalitet që bie në sy është se republikania Loeffler do të jetë senatore në fillimet e Kongresit të ri, por jo zoti Perdue. Kjo u jep avantazh republikanëve me 51-48 vende deri kur të bëjnë betimin fituesit e balotazhit të pritshëm.

Dy Senatorë, dy mandate të ndryshme

Të 435 vendet e Dhomës së Përfaqësuesve janë në garë çdo dy vjet, por në Senat anëtarët kanë një mandat gjashtë vjeçar. Senatorët zëvendësohen pjesërisht në zgjedhjet për Kongres që zhvillohen çdo dy vjet. Zoti Perdue u zgjodh në 2014. Ai filloi mandatin në janar 2015 dhe e përfundon kur të mbarojë Kongresit aktual. Kjo ndodh para se zoti Perdue të shkojë në balotazh. Kjo nënkuton që ai nuk do të jetë pjesë e Kongresit të ri, deri kur të zyrtarizohet rezultati i balotazhit të 5 janarit.

Nga ana tjetër, zonja Loeffler u emërua senatore për të zëvendësuar Senatorin republikan Johnny Isakson, i cili dha dorëheqjen nga mandati i tij që vazhdonte deri në janar 2023. Ajo konkurron tani përballë demokratit Warnock për kohën që mbetet në këtë mandat. Por ajo do të jetë senatore deri kur të bëjë betimin fituesi i balotazhit të 5 janarit, pra vendi i saj nuk do të mbetet bosh.

Data dhe vendime kyçe

Kongresi i ri mblidhet më 3 janar dhe zonja Loeffler do të jetë pjesë e tij.

Ky Kongres do të ratifikojë më 6 janar zgjedhjen e demokratëve Biden dhe Harris si dyshja fituese e zgjedhjeve presidenciale, por rezultati i balotazhit të Xhorxhias nuk do të jetë zyrtarizuar brenda kësaj date. Pritet që dy balotazhet të jenë gara shumë të forta, duke pasur parasysh që zoti Biden fitoi me një diferencë prej vetëm 12,000 nga 5 milionë vota në Xhorxhia. Duke pasur parasysh një numër të madh votash në mungesë, numërimi mund të vazhdojë për disa ditë, ashtu siç ndodhi për zgjedhjet presidenciale. Po ashtu, zyrtarët presin deri më 8 janar për vota nga personeli ushtarak me shërbim jashtë vendit si dhe votat e pranuara me kusht që kërkojnë konfirmimin e të drejtës së personit për të votuar në këtë shtet.

Komunat në Xhorxhia kanë afat deri më 15 janar për të çertifikuar rezultatin. Sekretari i Shtetit, republikani Brad Raffensperger ka afat deri më 22 janar, dy ditë pas inaugurimit të zotit Biden si president, për të certifikuar rezultatin në shkallë shteti. Zyra e zotit Raffensperger thekson se ligji nuk i kërkon atij të presë aq gjatë nëse çdo gjë duket në rregull, por duke pasur parasysh si rodhën ngjarjet lidhur me rezultatin e zgjedhjeve presidenciale, mund të ketë padi ligjore apo tentativa nga zyrtarët në të 159 komunat e Xhorxhias për të kërkuar shfrytëzimin e plotë të kohës.

Senatorët e rinj

Zyra e Sekretarit të Shtetit konfirmoi se kandidatët që dalin fitues nga dy balotazhet nuk do të bëhen zyrtarisht senatorë deri kur Senati të marrë “një certifikatë të rregullt, zyrtare për ekzekutimin e zgjedhjeve nga Xhorxhia” dhe fituesit të bëjnë betimin. Ligji shtetëror në Xhorxhia specifikon se guvernatori duhet të nxjerrë certifikatën për zgjedhjet “menjëherë” sapo të ketë marrë tabulatet e certifikuara për numrin e votave nga zoti Raffensperger. Zëdhënësi i guvernatorit Kemp, Cody Hall theksoi se eprori i tij “do të respektojë ligjin” ashtu siç bëri kur çertifikoi fitoren e zotit Biden në zgjedhjet presidenciale, megjithëse Presidenti Trump dhe aletët e tij këmbëngulnin se zoti Kemp mund të bllokonte ose të rrëzonte rezultatin. Paditë gjyqësore ose rinumërimet nuk mund të rrëzojnë certifikimin e rezultatit të zgjedhjeve.

Përse këto balotazhe kanë rëndësi

Në terma reale, këto balotazhe diktojnë më shumë sa kufizime do të kenë demokratët në realizimin e axhendës së tyre, sesa çfarë mund të bëjnë republikanët. Zoti McConnell e ka përkufizuar punën e tij nëse bëhet kryetar i shumicës në Senat me dy objektiva: konfirmimin e gjykatësve dhe bllokimin e axhendës së demokratëve.

Nëse demokratët do të kishin siguruar kontrollin e Senatit që me zgjedhjet e nëntorit, do të kishin filluar punën për axhendën e tyre legjislative që me 3 janar dhe me shumicën e tyre në Dhomën e Përfaqësuesve mund të kishin filluar të hidhnin në votë disa nga nismat e presidentit të ardhshëm Biden. Ata mund të kishin hapur seanca dëgjimore për kandidatët e emëruar për kabinetin e presidentit të ardhshëm, duke mundësuar kofirmim të shpejtë të emërimeve të tyre pas inaugurimit të presidentit të ri. Ata mund të kishin zgjidhur sfida ndaj rregulloreve të operimit në Kongres, para ardhjes së zotit Biden në Shtëpinë e Bardhë.

Për momentin, demokratët shpresojnë që të dy kandidatët e tyre, Ossoff dhe Warnock të fitojnë që ata të sigurojnë një avantazh të vonuar që mund të materializohet ndoshta nga data 23 janar. Por edhe një skenar i tillë do të rezultonte pas betejash të pritshme ligjore dhe pasi zoti McConnell të jetë të paktën edhe për disa javë kreu i shumicës në Senat duke vazhduar të diktojë termat e tij në Kapitol./VOA

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat