SHBA: Retorika të ashpra para balotazhit në Xhorxhia

Amerika

SHBA: Retorika të ashpra para balotazhit në Xhorxhia

Më: 2 janar 2021 Në ora: 16:48
Xhorxhia

Zgjedhjet e rëndësishme të balotazhit që do të përcaktojnë dy vende në Senat, do të mbahen në shtetin jugor të Xhorxhias javën e ardhshme. Akuzat rreth zgjedhjeve presidenciale të muajit të kaluar në këtë shtet ende vazhdojnë. Siç njofton korrespondenti i Zërit të Amerikës Mike O’Sullivan, retorika rreth mashtrimve zgjedhore ka arritur nivele të rrezikshme, duke hedhur hije mbi balotazhin e 5 janarit.

Protestuesit, të mbështetur nga Presidenti Trump, vazhdojnë të thonë se ai ishte fituesi i vërtetë i zgjedhjeve presidenciale të nëntorit.

Është një pretendim që vetë Presidenti e ka bërë në mënyrë të përsëritur.

“Me një të shtypur të butonit, me ndryshimin e një çelësi, mund të kthesh votën e Trump-it për Biden-in. Çfarë lloj sistemi është ky? ”

Por këto dhe pretendime të tjera të pabazuara për mashtrim, janë hedhur poshtë nga zyrtarët e zgjedhjeve të të dyja partive dhe nga pothuajse të gjithë vëzhguesit, të cilët nuk shohin prova se vota është manipuluar.

William Barr, i cili dha dorëheqjen si prokuror i përgjithshëm më 23 dhjetor, gjithashtu nuk gjeti prova për mashtrim të gjerë. Një profesor i shkencave politike shkon më tej.

“Këto ishin ndoshta zgjedhjet më të mira që Shtetet e Bashkuara kanë bërë ndonjëherë. Në parim, pjesëmarrja ishte kaq e madhe, dhe u menaxhua shumë mirë. Pothuajse nuk ka raste të dokumentuara të ndonjë problemi serioz në zgjedhje”, thotë Raphael Sonenshein me Institutin Pat Brown.

Megjithatë, pretendimet e vazhdueshme po ndikojnë në zgjedhjet e balotazhit të së martës në Xhorxhia për dy vendet e Senatit. Rezultatet e këtij votimi do të përcaktojnë se cila parti kontrollon Senatin.

Pretendimet për parregullsi në fletëvotimet me postë dhe akuzat kundër makinerive të kompjuterizuara të kompanisë Dominion për numërimin e votave, kanë ngritur dyshime tek disa amerikanë.

Dyshime të nxitura nga Presidenti Trump.

“Fatkeqësisht, në Xhorxhia po përdorin të njëjtin sistem të tmerrshëm të kompanisë Dominion”.

Kompania Dominion thotë se punonjësit e saj kanë marrë kërcënime me vdekje bazuar në akuza të pabaza.

Mbështetësit e Trump-it dhe zyrtarët republikanë kanë ngritur më shumë se 50 çështje gjyqësore, duke u përpjekur të përmbysin rezultatin në shtetet e lëkundura ku Biden-i fitoi, por pa sukses. Një përpjekje për ta çuar çështjen e tyre në Gjykatën e Lartë u dënua nga zoti Biden.

"Kjo manovër ligjore ishte një orvatje e zyrtarëve të zgjedhur të një grupi shtetesh për t'u përpjekur që Gjykata e Lartë të skualifikonte votat e më shumë se 20 milionë amerikanëve në shtetet e tjera."

Një rinumërim i votave në Xhorxhia konfirmoi fitoren e zotit Biden atje. Zyrtari më i lartë i zgjedhjeve në Xhorxhia, një republikan, tha se çështja në shtetin e tij kishte përfunduar.

“Unë i përmbahem motos se shifrat nuk gënjejnë”, tha zoti Brad Raffensperger.

Deklarata e tij çoi në kërcënime ndaj punonjësve të shtetit. Një tjetër zyrtar i zgjedhjeve në Xhorxhia bëri një thirrje në fillim të dhjetorit.

“Zoti President, ju nuk i keni dënuar këto veprime dhe këtë lloj gjuhe. Senatorë, ju nuk e keni dënuar këtë gjuhë apo këto veprime. Kjo duhet të marrë fund”, tha Gabriel Sterling.

Disa republikanë të Senatit e pranojnë fitoren e Biden-it, por pretendimet e Trump-it për mashtrime kanë krijuar shqetësime për zgjedhjet në Xhorxhia, shumë të rëndësishme për të dyja partitë./VOA

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat