Numërimi i votave në Kongres, hapi i fundit drejt presidencës

Amerika

Numërimi i votave në Kongres, hapi i fundit drejt presidencës

Më: 3 janar 2021 Në ora: 19:40
Foto ilustrim

Hapi i fundit në procesin kushtetues të zgjedhjes së një presidenti amerikan ndodh të mërkurën me 6 janar dhe normalisht bëhet fjalë për një seancë ceremoniale e cila po tërheq vëmendje të madhe këtë radhë për shkak të akuzave të Presidentit Donald Trump për mashtrim me votat, të hedhura poshtë nga gjykatat.

Joe Biden e di se cili është hapi i ardhshëm në rrugën e tij drejt inaugurimit si president i Shteteve të Bashkuara.

Ai e ka drejtuar atë proces dy herë: në janar 2013.

"Verifikoni certifikatat dhe numëroni votat e zgjedhësve të disa shteteve për president dhe nënpresident të Shteteve të Bashkuara."

Dhe përsëri, katër vjet më pas, më 6 janar 2017.

Nënpresidenti ka detyrën kushtetuese të kryesojë një sesion të përbashkët të Kongresit për të hapur dhe numëruar votat elektorale nga 50 shtetet.

"Donald Trump nga Nju Jorku ka marrë 304 vota për president të Shteteve të Bashkuara."

Amendamenti i 12-të i Kushtetutës së Shteteve të Bashkuara përshkruan detyrimet e nënpresidentit, i cili si "Kreu i Senatit, në prani të Senatit dhe Dhomës së Përfaqësuesve, hap të gjitha certifikimet dhe pastaj votat numërohen. "

Si dhe kur bëhet kjo, parashikohetnë Kodin e Ligjeve të Shteteve të Bashkuara, Kapitulli tre, nënseksioni 15 - Numërimi i votave elektorale në Kongres.

Ky legjislacion daton që nga viti 1887, i ndryshuar dhe i kodifikuar në vitin 1948. Ai përcakton se më 6 janar, në orën 1:00 pasdite presidenti i Senatit kryeson një seancë të përbashkët të Kongresit, ku hapen certifikatat e vulosura që përmbajnë votat elektorale nga 50 shtetet dhe ato numërohen sipas rendit alfabetik.

Nënseksioni 15 gjithashtu ofron mundësinë që anëtarët të kundërshtojnë numërimin e votave të secilit shtet, me kusht që të paraqitet me shkrim dhe të nënshkruhet nga të paktën një senator dhe një anëtar i Dhomës së Përfaqësuesve.

Në 2005, numërimi i votave elektorale u pezullua për të dytën herë, kur një kundërshtim plotësonte kushtet.

Të dyja Dhomat e Kongresit u mblodhën në sallat e tyre për jo më shumë se dy orë debat --- pasuar nga një shumicë e thjeshtë votash mbi kundërshtimin, që u hodh poshtë.

"Ata mashtruan dhe manipuluan zgjedhjet presidenciale."

Mes pretendimeve të pabazuara të Presidentit Donald Trump për mashtrim të votave, do të jetë nënpresidenti i tij, Mike Pence, kryesues i numërimit të votave që shpall Joe Bidenin fitues të zgjedhjeve presidenciale të vitit 2020.

Të paktën një anëtar i Dhomës së Përfaqësuesve --- republikani nga Alabama Mo Brooks dhe një senator --- republikani Josh Hawley i Misurit --- thonë se planifikojnë të paraqesin një kundërshtim gjatë numërimit të votave të mërkurën.

Me një shumicë demokrate në Dhomën e Përfaqësuesve, gjasat janë që çdo kundërshtim do të hidhet poshtë./VOA

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat