Dhjetra ligjvënës, senatorë republikanë në përpjekje, gati të kotë për të refuzuar fitoren e Bidenit

Amerika

Dhjetra ligjvënës, senatorë republikanë në përpjekje, gati të kotë për të refuzuar fitoren e Bidenit

Më: 5 janar 2021 Në ora: 06:19
Shtepia e Bardhe

UASHINGTON - Më shumë se 100 ligjvënës në Dhomën e Përfaqësuesve dhe 12 senatorë republikanë thanë se do të bashkohen në një përpjekje, gati të kotë, të mërkurën për të bllokuar çertifikimin e votave të Kolegjit Zgjedhor që tregojnë se demokrati Joe Biden fitoi ndaj Presidentit Donald Trump në zgjedhjet e nëntorit.

Çertifikimi i votave të Kolegjit Zgjedhor 306-232 në favor të zotit Biden është hapi i fundit përpara se ai të inaugurohet si presidenti i 46-të i vendit më 20 janar.

Për ta përmbysur rezultatin e zgjedhjeve, të dy dhomat e Kongresit do të duhet të mbështesin përpjekjet që sfidojnë fitoren e zotit Biden. Demokratët që kontrollojnë me një shumicë të vogël Dhomën e Përfaqësuesve janë të sigurtë se do të çertifikojnë fitoren e zotit Biden, ndërkohë që pakica demokrate në Senat, së bashku me disa republikanë që kanë pranuar fitoren e zotit Biden, ka të ngjarë të bëjnë të njëjtën gjë në Senat.

Presidenti Trump, i cili për javë të tëra ka ngritur pretendime të pabaza se zgjedhjet u manipuluan, vazhdon të nxisë protesta kundër humbjes së tij. Ai është presidenti i pestë amerikan në historinë 245-vjeçare të vendit që humbet në garën për t’u rizgjedhur pas një mandati të vetëm në detyrë.

Pretendimet e tij përfshijnë postime të shumta në Twitter, përfshi shumë të bëra të dielën, që e detyruan Twitter-in të shënonte pas tyre paralajmërimin: "Ky pretendim për mashtrim zgjedhor është i debatueshëm"

"Shtetet e lëkundura nuk arritën të ndiqnin as rregullat e legjislaturave të tyre shtetërore," postoi presidenti të dielën në Twitter. "Ligjet zgjedhore të këtyre shteteve u krijuan nga gjykatësit dhe politikanët vendorë dhe jo nga Legjislaturat e tyre dhe për këtë arsye, janë JO KUSHTETUESE! para se të diskutohen parregullsitë dhe mashtrimet".

Trump gjithashtu u ka bërë thirrje mbështetësve të tij të marshojnë të mërkurën në Uashington për të protestuar ndaj çertifikimit të fitores së zotit Biden.

Presidenti Trump ka humbur dhjetëra beteja ligjore për rezultatin e zgjedhjeve, përfshirë dy në Gjykatën e Lartë. Në rastin e fundit, një gjykatë federale e apelit të shtunën në mbrëmje mbështeti vendimin e një gjykate më të ulët për refuzimin e një procesi gjyqësor që kërkonte t'i jepte nënpresidentit Mike Pence pushtet për të skualifikuar votat elektorale të zotit Bidenit në disa shtete dhe në vend të kësaj të caktone elektorë pro Presidentit Trump duke përmbysur rezultatin e zgjedhjeve.

Nënpresidenti Pence ka detyrën kushtetuese të kryesojë të mërkurën një sesion të përbashkët të Kongresit për të hapur dhe numëruar votat elektorale nga 50 shtetet.

Marc Short, shefi i personelit të zotit Pence, tha në një deklaratë të shtunën se nënpresidenti "ndan shqetësimet e miliona amerikanëve rreth mashtrimit të votave dhe parregullsive në zgjedhjet e fundit".

Nënpresidenti, vijon deklarata, "mirëpret përpjekjet e anëtarëve të Dhomës së Përfaqësuesve dhe Senatit për të përdorur autoritetin që kanë në bazë të ligjit për të ngritur kundërshtime dhe për të sjellë prova përpara Kongresit dhe popullit amerikan më 6 janar."

Por në fund, zoti Pence, si nënpresident dhe si kyetar i Senatit, do të ketë për detyrë të shpallë humbjen e tij sapo të numërohen votat elektorale dhe të dëgjohen sfidat e republikanëve që me sa duket do të hidhen poshtë.

Senatori republikan Josh Hawley i shtetit Mizuri njoftoi javën e kaluar se ai do të sfidonte fitoren e zotit Biden, së bashku me dhjetëra ligjvënës në Dhomën e Përfaqësuesve të udhëhequr nga ligjvënësi Mo Brooks i shtetit të Alabamës. Protestës së senatorit Hawley, që sfidon konkretisht fitoren e zotit Biden në shtetin lindor të Pensilvanisë, që ka 20 vota elektorale, iu bashkuan të shtunën 11 senatorë të tjerë republikanë të udhëhequr nga senatori Ted Cruz i Teksasit.

Të 11-të senatorët kërkuan një kontroll 10-ditor të rezultatit të zgjedhjeve në "shtetet e debatueshme", duke thënë se ata do të votonin për të refuzuar elektorët nga ato shtete derisa të përfundonte kontrolli.

Senatori i Pensilvanisë, Pat Toomey, një republikan, nuk u bashkua me protestën kundër çertifikimit të votave të shtetit të tij, duke thënë se "tipari themelor, përcaktues i një republike demokratike është e drejta e njerëzve për të zgjedhur udhëheqësit e tyre. Përpjekja e senatorëve Hawley, Cruz dhe të tjerëve për të përmbysur rezultatet e zgjedhjeve presidenciale të vitit 2020 në shtetet e lëkundura si Pensilvania minon drejtpërdrejt këtë të drejtë ”, shprehej ai.

Senatori Republikan Tom Cotton i shtetit Arkansa tha në një deklaratë të dielën vonë se ndërsa ndan shqetësimet rreth parregullsive zgjedhore dhe mbështet një komision për të studiuar zgjedhjet e nëntorit, ai nuk do të kundërshtojë numërimin e votave elektorale të mërkurën.

Senatori Cotton radhiti disa arsye për pozicionin e tij, duke përfshirë se nëse Kongresi përmbys rezultatet e Kolegjit Zgjedhor, ai do të merrte pushtetin për zgjedhjen e presidentëve nga duart e njerëzve dhe do ta vinte atë në duart e cilësdo parti që kontrollon Kongresin.

Një nga mbështetësit e zëshëm të presidentit Trump, senatori Ron Johnson nga shteti Uiskonsin, tha të dielën në emisionin "Meet the Press" të kanalit NBC, se ai u bashkua me protestën kundër rezultatit të Kolegjit Zgjedhor sepse, "kemi dhjetëra miliona njerëz që mendojnë se këto zgjedhje janë vjedhur."

Por një tjetër mbështetës i presidentit Trump, senatori republikan Lindsey Graham nga Karolina e Jugut, tha se propozimi i ngritjes së një komisioni dy javë para inaugurimit "nuk është mbështetje efektive për Presidentin Trump. Duket se është më shumë një lojë politike sesa një zgjidhje e efektshme".

Udhëheqësi i shumicës në Senat, republikani Mitch McConnell, pasi refuzoi disa javë të pranonte fitoren e zotit Biden, e përgëzoi atë dhe nënpresidenten e zgjedhur Kamala Harris si fituesit e zgjedhjeve pas votimit të Kolegjit Zgjedhor në mes të dhjetorit. Zoti McConnell ishte i pasuksesshëm në përpjekjet e ligjvënësve republikanë, që të hiqnin dorë për të sfiduar rezultatit.

Presidenti Trump gjithashtu shkroi në Twitter të dielën në mëngjes në lidhje me rezultatin në shtetin jugor të Xhorxhias, ku ai humbi ndaj zotit Biden me më pak se 12,000 vota nga 5 milionë votat e hedhura në atë shtet.

"Fola me Sekretarin e Shtetit Brad Raffensperger dje për Qarkun Falton dhe mashtrimet e votave në Xhorxhia," tha Presidenti Trump. “Ai nuk ishte i gatshëm, ose i aftë, për t’iu përgjigjur pyetjeve të tilla si mashtrimi me ‘fletëvotimet e paligjshme, shkatërrimin e fletëve të votimit apo votuesit jashtë shtetit, votuesit e vdekur’ etj. Ai nuk ia ka idenë!”

Zoti Raffensperger, gjithashtu një republikan, u përgjigj, “Me gjithë respektin Presidenti Trump: Kjo që po thoni nuk është e vërtetë. E vërteta do të dalë në dritë ”.

Pas numërimit fillestar, fletëvotimet në Xhorxhi u rinumëruan edhe dy herë, dhe të tre numërimet nxorrën fitues zotin Biden. Kjo është hera e parë që një kandidat presidencial demokrat fiton në këtë shtet që nga viti 1992.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat