Policia e Kapitolit refuzoi ofertat për ndihmë kundër protestës së dhunshme

Amerika

Policia e Kapitolit refuzoi ofertat për ndihmë kundër protestës së dhunshme

Më: 8 janar 2021 Në ora: 06:17
Ilustrim

Tre ditë para protestës së dhunshme të mbështetësve të Presidentit Donald Trump në Kapitol, Pentagoni pyeti Policinë e kompleksit të Kongresit amerikan nëse kishte nevojë për trupa shtesë të Gardës Kombëtare. Ndërsa turma filloi të shkonte drejt Kapitolit të mërkurën, udhëheqësit e Departamentit të Drejtësisë i ofruan policisë në ndërtesën e Kongresin ndihmë me agjentë të FBI-së. Policia e Kapitolit i hodhi poshtë të dyja kërkesat, sipas një zyrtari të mbrojtjes dhe dy personave me njohuri për këtë çështje.

Pavarësisht paralajmërimeve të shumta për një kryengritje të mundshme dhe burimeve të mjaftueshme dhe kohës për t'u përgatitur, Policia e Kapitolit bëri plane vetëm për një protestë të lirisë së shprehjes.

Duke marrë parasysh reagimin e dhunshëm të forcave të rendit ndaj protestave të qershorit të kaluar pranë Shtëpisë së Bardhë, zyrtarët gjithashtu kishin si qëllim të shmangnin krijimin e përshtypjes se qeveria federale po dislokonte ushtarë ose trupa të Gardës Kombëtare për t’u përdorur kundër amerikanëve.

Kjo rezultoi në vërshimin e protestuesve në Kapitol dhe në mbingarkesën e oficerëve të një agjencie të zbatimit të ligjit me një buxhet të madh operativ dhe përvojë në ngjarje të sigurisë së lartë që mbrojnë ligjvënësit, të mërkurën. Katër protestues vdiqën, duke përfshirë një grua, e cila u qëllua me armë brenda ndërtesës.

Trazirat dhe humbja e kontrollit nga policia kanë ngritur pikëpyetje serioze mbi sigurinë në Kapitol për ngjarjet e ardhshme. Veprimet e ditës së mërkurë gjithashtu ngrenë shqetësime në lidhje me trajtimin e mbështetësve kryesisht të bardhë të Preisdentit Trump që u lejuan të endeshin nëpër ndërtesë për orë të tëra, ndërsa protestuesit afrikano-amerikanë dhe ata me ngjyrë që protestuan vitin e kaluar kundër brutalitetit të policisë u përballën me një polici më të fuqishme dhe më agresive.

"Ky ishte një dështim i imagjinatës, një dështim i udhëheqjes", tha Shefi i Policisë së Hjustonit, Art Acevedo, departamenti i të cilit iu përgjigj ndaj disa protestave të mëdha vitin e kaluar pas vdekjes në duart e policisë të afrikano-amerikanit George Floyd. "Policia e Kapitolit duhet të jetë më e përgatitur dhe nuk shoh se si mund ta trajtojmë këtë ndryshe."

Zoti Acevedo tha se ai ka marrë pjesë në ngjarje në Kapitol për të nderuar oficerët e vrarë të policisë që kishin gardhe më të larta dhe një prani më të fortë të sigurisë sesa ajo që ai pa në videot e ngjarjeve të së mërkurës.

Sekretari i Ushtrisë Ryan McCarthy tha se ndërsa trazirat ishin duke u zhvilluar, u bë e qartë se Policia e Kapitolit ishte zbrapsur. Nuk ishin bërë plane paraprakisht për mënyrën se si duhet të vepronin forcat e sigurisë në rast të një problemi në Kapitol. "Ata duhet të na pyesin, kërkesa duhet të na vijë", tha zoti McCarthy.

Një ditë pas protestës së dhunshme, shefi i Sigurisë në Dhomën e Përfaqësuesve dha dorëheqjen dhe Kryetarja e Dhomës së Përfaqësuescve, Nancy Pelosi kërkuan dorëheqjen e shefit të Policisë së Kapitolit.

"Kishte një dështim të udhëheqjes së lartë", tha ligjvënësja demokrate nga Kalifornia, Nancy Pelosi.

Shefi i Policisë së Kapitolit, Steven Sund tha të enjten se do të jepte dorëheqjen duke filluar nga 16 janari sipas një letre të cituar nga mediat, një ditë pasi mbështetësit e Presidentit Donald Trump sulmuan ndërtesën dhe detyruan ligjvënësit të fshiheshin.

Senatori demokrat nga Nju Jorku, Chuck Schumer, udhëheqës i shumicës së re në senat, tha se ai do të pushojë nga detyra Shefin e Sigurisë së Senatit.

Më vonë të ejten, udhëheqësi i shumicës republikane në Senat, Mitch McConnell tha se kishte pranuar dorëheqjen e Shefit të Sigurisë së Senatit, Michael Stenger. Senatori nga Kentaki me herët kishte kërkuar dorëheqjen e zotit Stenger.

Kapitoli amerikan ishte mbyllur për publikun që nga marsi për shkak të pandemisë së Covid-19, e cila ka shkaktuar vdekjen e më shumë se 350,000 amerikanëve. Por normalisht, ndërtesa është e hapur për publikun dhe ligjvënësit krenohen me disponueshmërinë e tyre për qytetarët që i përfaqësojnë.

Nuk është e qartë se sa oficerë ishin në detyrë të mërkurën, por kompleksi 16 hektarësh mbrohet nga një total prej 2,300 oficerësh, të cilët kujdesen për sigurinë e 435 anëtarëve të Dhomës së Përfaqësuesve, 100 senatorëve amerikanë dhe stafin e tyre. Në krahasim me Kapitolin, qyteti i Mineapolisit ka rreth 840 policë që kujdesen për sigurinë e 425,000 banorëve në një zonë prej 6,000 hektarësh.

Në javët para së mërkurës kishte shenja se mund të kishte veprime të dhunshme më 6 janar, ditën kur Kongresi do të mblidhej për të certifikuar rezultatin e zgjedhjeve presidenciale që nxorrën fitues demokratin Joe Biden.

Në platforma të ndryshme të grupeve të ekstremit të djathtë dhe në qarqet grupeve pro-Trump, po bëheshin plane për një gjë të tillë.

Udhëheqësi i grupit ekstremist të djathtë Proud Boys u arrestua kur po vinte në kryeqytetin e vendit këtë javë me akuzën për armëmbajtje, për bartjen e dy karikatorëve me kapacitet të lartë. Ai pranoi në polici se kishte bërë deklarata në lidhje me trazirat në Uashington, thanë zyrtarët lokalë.

Si zoti Acevedo edhe Ed Davis, ish-komisioner i Policisë së Bostonit i cili drejtoi departamentin gjatë bombardimeve në Maratonën e Bostonit në vitin 2013, thanë se ata nuk fajësojnë reagimin e oficerëve të vijës së parë të frontit, por masat e planifikimit dhe udhëheqjen e treguar para trazirave.

"A mund të ketë pasur ndonjë mendim të brendshëm se ata ishin thjesht një grup konservatorësh, dhe nuk do të bënin një gjë të tillë? Ka shumë mundësi," tha zoti Davis. "Pikërisht këtu mendoj se mund të ketë luajtur rol elementi racor. A kishte një mungesë urgjence ose një ndjenjë që kjo nuk mund të ndodhte kurrë me këtë turmë? A është e mundur një gjë e tillë? Absolutisht."

Zoti Trump dhe aleatët e tij ishin ndoshta megafonët më të mëdhenj, duke inkurajuar protestuesit të dilnin në rrugë në masë dhe të mbështesnin pretendimin e tij të rremë se fitorja në zgjedhje ishte grabitur prej tij. Ai i nxiti gjatë një tubimi pak para se të marshonin për në Kapitol dhe të bënin trazira. Avokati i tij personal Rudy Giuliani, ish-kryetar i Bashkisë së Nju Jorkut i njohur për qëndrimin e tij të ashpër ndaj krimit bëri thirrje për "gjykim përmes luftës".

Por Policia e Kapitolit nuk kishte vendosur asnjë perimetër të fortë rreth Kapitolit. Oficerët ishin përqendruar në njërën anë, ku ligjvënësit po hynin për të votuar për të vërtetuar fitoren e zotit Biden.

Barrikadat në sheshin e ndërtesës u vendosën, por policia u tërhoq dhe një turmë njerëzish depërtoi me forcë. Ligjvënësit në fillim të pavetëdijshëm për shkeljen e sigurisë, vazhduan debatin. Shpejt ata po fshiheshin poshtë karrigeve. Përfundimisht ata u nxorrën nga Dhoma e Përfaqësuesve dhe Senati. Gazetarët mbetën vetëm brenda sallave për orë të tëra, ndërsa turma u përpoq të depërtonte në zyrat me dyer të bllokuara.

"Sulmi i dhunshëm ndaj Kapitolit të Shteteve të Bashkuara ishte ndryshe nga çdo gjë që kam përjetuar ndonjëherë në 30 vitet e shërbimit për zbatimin e ligjit këtu në Uashington," tha Shefi i Policisë së Kapitolit, Steven Sund, duke shpjeguar se kishte pasur një plan të fortëpër ato që ai priste të ishin aktivitete në frymën e Amendamentit të Parë, që parashikon lirinë e shprehjes."Por nuk ka diskutim qëkëto trazira masive nuk ishin aktivitete të Amendamentit të Parë; ato ishin një manifestim trazirash kriminale."

Gus Papathanasiou, kreu i sindikatës së Policisë së Kapitolit, bëri thirrje që zoti Sund të zëvendësohet, duke thënë që dështimet në planifikim i lanë oficerët të ekspozuar pa mbështetje ose pajisje për t’u mbrojtur ndaj turmave të mëdha.

"Nuk mund t'i lëmë oficerët tanë dhe komunitetin e zonës përreth Kongresit që ata mbrojnë në mëshirën e sulmeve të mëtejshme mes një mungese të udhëheqjes," tha ai.

Zyrtarë të drejtësisë, FBI-ja dhe agjenci të tjera filluan të monitorojnë hotelet, fluturimet dhe mediat sociale për javë të tëra dhe prisnin turma masive. Kryebashkiakja Muriel Bowser kishte paralajmëruar për dhunë për javë të tëra dhe për këtë shkak bizneset ishin mbyllur. Ajo i kërkoi ndihmë Gardës Kombëtare nga Pentagoni më 31 Dhjetor, por Policia e Kapitolit hodhi poshtë ofertën e 3 janarit nga Departamenti i Mbrojtjes, sipas Kenneth Rapuanos, ndihmës sekretar i mbrojtjes për sigurinë e kombëtare.

Oferta e Departamentit të Drejtësisë për mbështetje nga ana e FBI-së ndërsa protestuesit u bënë gjithnjë e më tëdhunshëm u refuzua nga Policia e Kapitolit, sipas dy personave në dijeni të kësaj çështjeje. Ata nuk ishin të autorizuar të diskutonin publikisht çështjen dhe folën në kushte anonimiteti.

Por atëherë ishte tepër vonë.

Zyrtarët e Departamentit të Policisë Metropolitane arritën. U thirrën agjentë nga pothuajse çdo agjenci e Departamentit të Drejtësisë, përfshirë FBI-në. Po ashtu edhe Shërbimi Sekret dhe Shërbimi i Mbrojtjes Federale. Byroja e Alkoolit, Duhanit, Armëve të Zjarrit dhe Eksplozivëve dërgoi dy ekipe taktike. Policia nga Nju Xhërsi mbërriti për të ndihmuar.

U deshën katër orë për të shpërndarë protestuesit nga kompleksi i Kapitolit. Deri në atë kohë, ata kishin qarkulluar lirisht nëpër sallat e Kongresit, kishin pozuar për foto brenda sallave të shenjta të institucionit amerikan, kishin hyrë në zyra, duke shtyrë me forcë dyert, kishin shkaktuar dëme materiale dhe kishin fotografuar veten duke i bërë këto veprime. Vetëm 13 vetë u arrestuan në vend, dhjetra u arrestuan më vonë.

Si pasojë, një gardh prej 7 metrash do të ngrihet përreth territorit tëKapitolit për të paktën 30 ditë. Policia e Kapitolit do të kryejë një rishikim të ngjarjes, si dhe planifikimin dhe politikat e tyre. Ligjvënësit planifikojnë të hetojnë se si autoritetet i trajtuan trazirat.

Prokurori i Përgjithshëm në detyrë i Uashingtonit, Michael Sherwin, tha se fakti që nuk u arrestuan më shumë njerëz, po e bën punën e tyre më të vështirë.

"Tani do të na duhen urdhra për informacionet e kullave të celularëve, të mbledhim pamje videosh që të përpiqemi të identifikojmë njerëzit dhe më pas t'i akuzojmë, dhe pastaj të përpiqemi të realizojmë arrestimin e tyre. Kështu që kjo i ka bërë gjërat të vështira, por nuk mund të përgjigjem pse ata njerëz nuk u ndaluan ndërsa po largoheshin nga ndërtesa nga Policia e Kapitolit."/Voa/

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat