SHBA, emigrantja hap biznes në kohë pandemie

Amerika

SHBA, emigrantja hap biznes në kohë pandemie

Më: 11 janar 2021 Në ora: 06:12
Adina Kavazovic, një emigrante boshnjake

Pas një periudhe të gjatë mbylljeje për shkak të masave për frenimin e pandemisë shumë restorante, floktore dhe palestra sportive mund të mos hapen më kurrë. Por, përkundër sfidës së pandemisë, një emigrante hapi një biznes të ri.

Para pandemisë së koronavirusit, Adina Kavazovic, një emigrante boshnjake, e cila arriti në Shtetet e Bashkuara në vitin 2003, punonte në një sallon të madh flokësh në zonën e Uashingtonit. Pandemia detyroi mbylljen e këtij biznesi dhe Adina humbi vendin e saj punës.

Por, megjithë rreziqet ekonomike, ajo gjeti guximin për të hapur floktoren e saj në korrik.

"Isha e frikësuar ta nënshkruaja kontratën, pasi kishin kaluar dy muaj që unë isha pa punë. Në atë moment e kuptova se gjithçka do të varej nga unë. Por e bëra këtë, me ndihmën e familjes sime. Është vendimi më i mirë që kam marrë ndonjëherë për veten time. Unë isha e lumtur dhe njëkohësisht e tmerruar", thotë ajo.

Në fillim kishte një mungesë të produkteve të flokëve dhe probleme të tjera me të cilat përballen shumë pronarë biznesesh.

"Kur punoni për një kompani të madhe nuk duhet të paguani për asgjë, por ata marrin 50 përqind të fitimit tuaj. Por kur keni sallonin tuaj është ndryshe. Duhet të plotësoni dokumente për marrjen e një lokali të vogël me qera. Nuk ju duhet një hapësirë e madhe si ato të dyqaneve të mëdha. Por ju mbështeteni tek vetja, i bëni gjërat në mënyrën tuaj, dizajnin e brendshëm, reklamat, gjithçka!"

Emigrantja boshnjake Larisa Spirtoviç kujton ditët e vështira kur filloi biznesin e saj pas krizës financiare globale të vitit 2008.

Ajo kishte mbaruar shkollën për stomatologji dhe po punonte në një klinikë kur vendosi të hapte zyrën e saj më 2010.

“Ishte ndoshta një nga momentet më të vështira për të hapur biznes. Por ne ishim të durueshëm dhe patëm sukses falë punës së palodhshme dhe këmbënguljes”.

Dentistja Spirtoviç u detyrua të mbyllte zyrën e saj në mars për shkak të pandemisë së koronavirusit, por ajo arriti ta rihapte klinikën e saj “Kiss Dental” në qershor, duke marrë masat e nevojshme të sigurisë.

“Ne mbajmë dy maska gjatë ditës, dhe një mburojë për fytyrën. Ne gjithashtu veshim pallto të posaçme laboratorike të padepërtueshme, të prodhuara me poliestër."

Kavazoviç thotë se ajo gjithashtu ka marrë të gjitha masat për t'u siguruar që klientët e saj të jenë të sigurt.

“Më së shumti, kam pesë klientë në ditë. Unë punoj nga ora 11 e mëngjesit deri në orën 8 të mbrëmjes dhe lë shumë kohë ndërmjet shërbimeve që u ofrojë klientëve për të dezinfektuar dhe pastruar gjithçka. Të gjithë duhet të mbajnë maska dhe unë kontrolloj temperaturën e tyre.”

Këto dy emigrante thonë se kanë arritur të mbijetojnë në këtë periudhë, por mezi presin të bëjnë biznes në një botë pa pandemi.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat