Demokratët zyrtarisht kërkojnë shkarkimin e Trumpit

Amerika

Demokratët zyrtarisht kërkojnë shkarkimin e Trumpit

Më: 11 janar 2021 Në ora: 18:14
Nënpresidenti amerikan, Mike Pence dhe kryetarja e Dhomës së Përfaqësuesve, Nancy Pelosi

Demokratët e Dhomës së Përfaqësuesve kanë prezantuar një rezoutë me një artikull për shkarkimin e presidentit amerikan Donald Trump, të cilin e akuzojnë për "nxitje të kryengritjes" lidhur me rolin e tij në sulmin ndaj Kongresit amerikan më 6 janar.

Në rezolutë theksohet se Trumpi ka mbajtur një fjalim në një tubim, pak para se mbështetësit e tij të sulmonin Kongresin dhe ai bëri deklarata që "inkurajuan dhe çuan" te veprimet e paligjshme ndaj Kongresit.

Kjo është hera e dytë që ndaj Trumpit nis proces gjyqësor për shkarkim në Kongres.

Kërkesa për shkarkimin e Trumpit vjen pasi republikanët në Dhomën e Përfaqësuesve e bllokuan një kërkesë të demokratëve për të nxjerrë një rezolutë, që do t’i bënte thirrje nënpresidentit Mike Pence të aktivizojë Amendamentin 25 të Kushtetutës amerikane, për largimin e presidentit Donald Trump nga zyra.

Amendamenti 25 i Kushtetutës i lejon nënpresidentit që të marrë kompetencat e presidentit. Demokratët kanë paralajmëruar se nëse nënpresidenti Mike Pence nuk e aktivizon këtë amendament, ata do të vazhdojnë me procesin e shkarkimit të presidentit në Kongres.

Më herët, udhëheqësja e Dhomës së Përfaqësuesve, Nancy Pelosi paralajmëroi nisjen e procedurave për gjykimin e Trumpit në Kongres, teksa presidenti po përballet me presion në rritje dhe izolim në ditët e fundit në Shtëpinë e Bardhë, për shkak të rolit të tij në sulmin që i është bërë Kongresit.

Në rezolutën e demokratëve, që u bllokua nga republikanët, Trump akuzohet për rritje të presionit ndaj zyrtarëve zgjedhorë për të përmbysur rezultatin zgjedhor, si dhe për inkurajim të mbështetësve të tij që dhunshëm të hyjnë në Kongres më 6 janar.

Si pasojë e këtij incidenti pesë persona kanë mbetur të vdekur, përfshirë një zyrtar policor.

“Për të mbrojtur Kushtetutën dhe demokracinë tonë, ne do të veprojmë me urgjencë, sepse ky president përbën kërcënim për të dyja”, ka thënë Pelosi.

“Teksa ditët ecin, tmerri i sulmit të organizuar nga ky president është rritur dhe ka nevojë urgjente për veprim”, shtoi ajo.

Dhoma e Përfaqësuesve pritet që të nisë debatin për shkarkim e Trumpit dhe se për këtë gjë do të votohet më 13 apo 14 janar.

Kjo masë ka mbështetjen e më shumë se 200 demokratëve dhe pritet të miratohet duke e bërë Trumpin presidentin e parë, ndaj të cilit nisen dy herë procedurat për shkarkim.

Largimi i Trumpit nga zyra përmes procesit të shkarkimit do të ishte tejet i vështirë në një periudhë kaq të shkurtër kohore, para se të përfundojë mandati i tij.

Edhe nëse Dhoma e Përfaqësuesve nis procedurat për shkarkim, akuzat duhet të paraqiten edhe para Senatit.

Të 100 senatorët duhet të pajtohen për të nisur më herët punimet para 19 janarit, ashtu që të zhvillohet gjykimi, skenar që ka pak mundësi të realizohet.

Lideri i shumicës në Senat, Mitch McConnell u ka nisur letër senatorëve republikanë më 9 janar, duke sugjeruar se asnjë gjykim nuk do të nisë derisa Trump të largohet nga zyra më 20 janar.

Dënimi nga Senati kërkon dy të tretat e votave. Kjo nënkupton se të paktën 17 senatorë republikanë duhet t’iu bashkohen demokratëve për të dënuar presidentin.

Deri më tani, vetëm dy senatorë republikanë kanë shprehur mbështetje të plotë për largim të presidentit, Pat Toomey dhe Lisa Murkowski./Rel/

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat