Blindohet Washingtoni, 20 mijë trupa do të ofrojnë siguri në ditën e inaugurimit të presidentit

Amerika

Blindohet Washingtoni, 20 mijë trupa do të ofrojnë siguri në ditën e inaugurimit të presidentit

Më: 14 janar 2021 Në ora: 19:54
SHBA

Një javë pasi protestues të dhunshëm sulmuan Kapitolin në Uashington, rrugët përreth tij janë bllokuar, ndërsa ndërtesa e Kongresit është rrethuar me pengesa metalike. Autoritetet njoftuan angazhimin e të paktën 20 mijë trupave të Gardës Kombëtare të cilat do të ofrojnë siguri në ditën e inaugurimit të presidentit të ri të Shteteve të Bashkuara.

Ndërsa Dhoma e Përfaqësuesve ngriti zyrtarisht akuza për shkarkimin e Presidentit Donald Trump, për herë të dytë herë gjatë mandatit të tij, kryeqyteti i vendit pret mijëra trupa të Gardës Kombëtare, të cilët do të ndihmojnë në ruajtjen e paqes gjatë kalimit të pushtetit javën e ardhshme.

Robert Contee, ushtrues detyre i shefit të Departamentit të Policisë Metropolitane të qytetit tha se në Uashington pritet të vijnë mbi 20 mijë trupa të Gardës Kombëtare.

Zyrtarët e mbrojtjes konfirmuan rritjen e numrit, vendim ky që erdhi vetëm disa ditë pasi Garda Kombëtare njoftoi dërgimin e deri në 15 mijë trupave në qytet për të ofruar siguri përpara inaugurimit të Presidentit të zgjedhur Joe Biden më 20 janar.

Autoritetet theksojnë se 10 mijë trupa, pritet të jenë në detyrë në Uashington deri të premten. Pjesa tjetër do të mbërrijë së shpejti.

Më shumë se 6 mijë trupa të Gardës Kombëtare janë tashmë në Uashington që kur mbështetës ekstremistë të zotit Trump sulmuan ndërtesën e Kapitolit të mërkurën e javës që shkoi.

Gjenerali Daniel Hokanson, shef i Byrosë së Gardës Kombëtare, tha se roli i Gardës ishte ofrimi i mbështetjes për siguri, logjistikë, ndërlidhje dhe komunikim. Por që nga e marta vonë, trupat e Gardës që janë të angazhuar në Kapitol janë parë të armatosur.

“Kjo është kërkesë e autoriteteve federale dhe është autorizuar nga Sekretari i Ushtrisë. Siguria e publikut është përparësi”, thuhet në deklaratën e Gardës Kombëtare të Uashingtonit.

Pamje të ushtarëve të armatosur duke ruajtur Kapitolin dhe imazhet nga vendosja e gardheve metalike rreth Kongresit amerikan janë shpërndarë gjerësisht në rrjete sociale.

Video dhe foto të shumta tregojnë gjitahshtu rrugët e bllokuara nga automjetet ushtarake ndërsa punëtorët vendosin edhe më shumë pengesa.

Një pamje shumë më ndryshe nga ajo e inaugurimit të zotit Donald Trump para katër vitesh, kur vetëm 8 mijë pjesëtarë të Gardës Kombëtare po ndihmonin në ofrimin e sigurisë./VOA

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat