Emigracioni në SHBA, administrata e re zotohet ta ndryshojë

Amerika

Emigracioni në SHBA, administrata e re zotohet ta ndryshojë

Më: 16 janar 2021 Në ora: 00:01
Emigrantët presin në radhë në mencën e kampit ku mbahen fëmijët në Carrizo Spring, Teksas

Presidenti i zgjedhur amerikan Joe Biden ka premtuar një përmbysje të shpejtë dhe dramatike të politikave kufizuese të emigracionit të vendosura nga paraardhësi i tij Presidenti Donald Trump. Ndërsa zoti Biden u zotua të zhbëjë shumë nga politikat e Presidentit Trump duke filluar që ditën e parë që ai merr detyrën në 20 janar, reformave në nivele të ndryshme do t'u duhen më shumë kohë për t'u zbatuar.

Reforma e emigracionit dhe ‘ëndërrimtarët’

Zoti Biden tha në një mesazh në Twitter në muajin qershor se ai do të dërgojë një projekt-ligj në Kongres "që në ditën e parë" që do të përcaktojë "një rrugëtim të qartë drejt shtetësisë" për gati 11 milionë njerëz që jetojnë në Shtetet e Bashkuara në mënyrë të paligjshme.

Zoti Biden ka thënë se ai do të krijojë mbrojtje të përhershme për emigrantët e rinj në programin DACA, të njohur si "ëndërrimtarët". Iniciativë e ish-Presidentit Barack Obama, kur zoti Biden ishte nënpresident, programi aktualisht ofron mbrojtje nga deportimi dhe përfitime të tjera për gati 645'000 njerëz.

Administrata republikane e Presidentit Trump u përpoq t'i jepte fund DACA-s, por u pengua nga gjykata federale. Programi ende përballet me një sfidë ligjore në një gjykatë në Teksas.

Nënpresidentja e zgjedhur Kamala Harris tha në një intervistë me rrjetin Univision në 12 janar se administrata planifikoi të shkurtojë kohën e pritjes për shtetësinë dhe do të lejojë pjesëmarrësit në DACA, si dhe marrësit e Statusit të Mbrojtur të Përkohshëm (TPS), "të marrin automatikisht karta jeshile", por nuk tha në mënyrë të qartë kur ose si do të ndodhin këto ndryshime.

Presidenti Trump ndërmori hapa për të shfuqizuar TPS-në që jep mbrojtje nga deportimi dhe mundëson lejet e punës për njerëzit nga vendet e goditura nga katastrofa natyrore ose konflikti i armatosur. Më parë në fushatën e tij, zoti Biden premtoi t'u "jepte menjëherë" mbrojtjet e TPS-së venezuelianëve që gjenden tashmë në Shtetet e Bashkuara.

Për vite të tëra, ligjvënësit nuk kanë arritur të miratojnë një projekt-ligj madhor për emigracionin. Demokratët mund të kenë një shans më të mirë për të miratuar ligje pasi balotazhi në Xhorxhia u dha atyre kontrollin e të dyja dhomave të Kongresit.

Rikthimi i azilit dhe refugjatëve

Presidenti Trump kritikoi ato që ai i quajti "boshllëqe" në sistemin e azilit dhe zbatoi politika të ndërlidhura për ta bërë më të vështirë kërkimin e azilit në Shtetet e Bashkuara.

Një program i Presidentit Trump i quajtur Protokollet e Mbrojtjes së Emigrantëve (MPP) detyroi dhjetëra mijëra azilkërkues të presin në Meksikë për seancat në gjykatën e emigracionit në Shtetet e Bashkuara. Zoti Biden tha gjatë fushatës se ai do t'i jepte fund programit që në ditën e parë. Ekipi i tij i tranzicionit, megjithatë, ka thënë që çmontimi i MPP-së dhe rivendosja e mbrojtjeve të tjera për azilantët do të kërkojë kohë.

Sipas rregullave të vendosura nga Qendrat Amerikane për Kontrollin e Sëmundjeve gjatë pandemisë së koronavirusit, shumica e emigrantëve që mbërrijnë në kufi tani dëbohen menjëherë. Ekipi i zotit Biden nuk është zotuar ta ndryshojë atë politikë menjëherë.

Karvanët me emigrantë kanë qenë në lëvizje në Amerikën Qendrore, me disa që synojnë të arrijnë në kufirin jugperëndimor pas inaugurimit të zotit Biden. Avokatët shqetësohen se pandemia do ta bëjë të vështirë për zyrtarët e kufijve dhe strehëzat e emigrantëve për të menaxhuar një numër të madh njerëzish.

Zoti Biden ka thënë gjithashtu se ai do të rrisë limitin për refugjatët që vendosen nga jashtë në Shtetet e Bashkuara në 125'000, nga niveli i ulët historik prej 15'000 i vendosur nga Presidenti Trump këtë vit.

Bashkimi familjar

Ekipi i tranzicionit i zotit Biden premtoi të krijojë menjëherë një grup pune federal për të ribashkuar fëmijët e ndarë nga prindërit e tyre bazuar në një nga politikat më të diskutueshme të administratës Trump.

Mijëra fëmijë u ndanë nga prindërit e tyre kur Presidenti Trump zbatoi një politikë "tolerance zero" për të ndjekur penalisht të gjithë kaluesit e kufirit, duke përfshirë familjarët, për hyrje të paligjshme. Megjithëse Presidenti Trump zyrtarisht e tërhoqi këtë politikë në qershor 2018 mes protestave ndërkombëtare, disa fëmijë kanë vazhduar të ndahen për arsye të tjera. Aktivistët janë ende në kërkim të prindërve të më shumë se 600 fëmijëve të ndarë.

Ndalimet e udhëtimit dhe vizave

Një nga veprimet e para të Presidentit Trump pas marrjes së detyrës në 2017 ishte ndalimi i udhëtarëve nga disa vende me shumicë myslimane. Pas sfidave ligjore, Gjykata e Lartë amerikane mbështeti një version të rishikuar të ndalimit në 2018. Ai është zgjeruar duke përfshirë tashmë 13 vende.

Zoti Biden ka premtuar të heqë menjëherë ndalimet, të cilat ishin vendosur nëpërmjet masave ekzekutive dhe mund të zhbëhen lehtësisht, sipas ekspertëve të politikës.

Gjatë pandemisë së koronavirusit, Presidenti Trump mori masa që bllokonin hyrjen e shumë punëtorëve të huaj të përkohshëm dhe aplikantëve për karta jeshile. Ndërsa zoti Biden i ka kritikuar kufizimet, ai ende nuk ka thënë nëse do t'i hiqte menjëherë ato.

Muri kufitar

Zoti Biden u zotua të ndalojë menjëherë ndërtimin e murit kufitar SHBA-Meksikë, të cilin Presidenti Trump e shpalli si një arritje të madhe gjatë një vizite në Teksas vetëm disa ditë para se të lërë detyrën.

Nuk është plotësisht e qartë se çfarë do të bëjë administrata e zotit Biden me kontratat për ndërtimin e mureve që janë dhënë, por që nuk janë përfunduar ende, ose me tokën private të marrë nga qeveria në vendet ku ndërtimi është ndalur./VOA

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat