Nënpresidenti Mike Pence i telefonon Nënpresidentes së zgjedhur Kamala Harris

Amerika

Nënpresidenti Mike Pence i telefonon Nënpresidentes së zgjedhur Kamala Harris

Më: 16 janar 2021 Në ora: 00:32
Nënpresidenti Pence gjatë një takimi për inaugurimin presidencial të zhvilluar në shtabin e FEMA-s në Uashington (14 janar 2021)

Nënpresidenti Mike Pence i ka telefonuar pasardhëses së tij Kamala Harris për të ofruar urimet e tij, sipas dy njerëzve të njohur me bisedën.

Është kontakti i parë i njohur midis anëtarëve të zgjedhur të administratës që po largohet dhe asaj që vjen. Presidenti Donald Trump nuk ka kontaktuar Presidentin e zgjedhur Joe Biden dhe ka vënë në dyshim në mënyrë të përsëritur legjitimitetin e fitores së zotit Biden.

Por, Nënpresidenti Pence është bërë një mbrojtës i papritur i zotit Biden. Nënpresidenti i rezistoi presionit nga Presidenti Trump për të kundërshtuar fitoren e zgjedhjeve nga rivali demokrat ndërsa drejtonte javën e kaluar çertifikimin nga Kongresi të numërimit të votave të Kolegjit Zgjedhor.

Image

Nënpresidenti Pence gjithashtu do të marrë pjesë në inaugurimin e zotit Biden në 20 janar, në të cilin Presidenti Trump po refuzon të marrë pjesë.

Një prej njerëzve të njohur me bisedën e së enjtes pasdite e përshkroi atë si një "telefonatë pozitive", me zotin Pence që uronte pasardhësen e tij dhe duke i ofruar ndihmë. Personi foli në kushte anonimiteti për të përshkruar bisedën private.

Telefonata erdhi më pak se një javë para se Presidenti i zgjedhur Biden dhe Nënpresidentja e zgjedhur Harris të merrnin detyrën dhe vetëm pak më shumë se një javë pas sulmit në Kapitol nga mbështetësit e Presidentit Trump.

Rritet roli i Nënpresidentit Pence

Ndërsa Presidenti Trump ka qëndruar kryesisht pas dyerve të mbyllura që nga humbja e tij, Nënpresidenti Pence ka rritur rolin e tij dhe ka përmbushur shumë nga detyrat ceremoniale të presidencës, duke përfshirë përshëndetjen të enjten në mbrëmje të anëtarëve të Gardës Kombëtare që mbrojnë Kapitolin.

Telefonata për pasardhësen është një vazhdim i projektimit tradicional të miqësisë midis udhëheqësve në ikje dhe atyre që vijnë, që Presidenti Trump, në të kundërt, e ka lënë mënjanë. Në vitin 2008, Nënpresidenti i atëhershëm Dick Cheney i telefonoi zotit Biden për ta uruar natën e fitores së tij dhe e ftoi zotin Biden dhe bashkëshorten e tij, Jill, të vizitonin rezidencën e nënpresidentit në kompleksin e Observatorit Detar të Shteteve të Bashkuara, pak para inaugurimit të vitit 2009.

Nuk është e qartë nëse Nënpresdenti Pence do të bëjë të njëjtën gjë për zonjën Harris. Pjesa më e madhe e Uashingtonit është nën masa të shtuara sigurie pas kryengritjes së dhunshme të javës së kaluar në Kapitol, me zyrtarë të zbatimit të ligjit që paralajmërojnë për më shumë potencial për dhunë përpara inaugurimit të zotit Biden.

Ndërsa zoti Biden tha se ai e mirëpriti vendimin e Presidentit Trump për të shmangur inaugurimin e tij, ai gjithashtu tha se ai do të ishte i nderuar që të merrte pjesë Nënpresidenti Pence dhe se ishte e rëndësishme të ruhej "precedenti historik" në lidhje me një transferim paqësor të pushtetit sa më shumë që të ishte e mundur. /VOA

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat