Trumpi kërkon paradë ushtarake në ditën e fundit si president, Pentagoni i thotë “jo”

Amerika

Trumpi kërkon paradë ushtarake në ditën e fundit si president, Pentagoni i thotë “jo”

Më: 19 janar 2021 Në ora: 09:18
Donald Trump

Presidenti në largim i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, po planifikon që të mërkurën në mëngjes të mbajë tubim lamtumirës në një fushë ushtarake në Maryland, vetëm disa orë para inaugurimit të presidentit të ri, Joe Biden.

Për ceremoninë e tij të fundit presidenciale, raportohet se Trumpi dëshiron një paradë ushtarake dhe lamtumirë zyrtare për forcat e armatosura si komandant suprem. Ai gjithashtu dëshiron që në këtë organizim të jetë i pranishëm një numër i madh i përkrahësve, bashkë me zyrtarë dhe ish-zyrtarë të administratës së tij.

Sidoqoftë, raportet e fundit lënë të kuptohet se Trumpit nuk do t’i ofrohet tubim i madh ushtarak vetëm dy javë pas rrethimit vdekjeprurës të Capitol-it, ku mbetën të vrarë pesë persona, përfshirë një polic.

Shtëpia e Bardhë tashmë ka dërguar ftesa për një organizim në bazën ushtarake “Andrews” në Maryland. Organizimi do të mbahet në orën tetë të mëngjesit të mërkurën, shkruan The Guardian.

Në këtë tubim janë të ndaluara disa gjëra, si armët e zjarrit, municioni, mjetet plasëse, laserët dhe armët lodra.

Gjatë orëve të fundit si president, Trumpi do të udhëtojë me aeroplan në resortin e tij privat në Florida, duke e shfrytëzuar për herë të fundit aeroplanin presidencial, për të qenë gati 1.000 milje larg Shtëpisë së Bardhë në kohën kur Bideni të zyrtarizohet si president. Më pas, aeroplani “Air Force One” do të jetë në dispozicionin e presidentit të ri.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat