Kryediplomati i ri amerikan zotohet për rivitalizimin e aleancave

Amerika

Kryediplomati i ri amerikan zotohet për rivitalizimin e aleancave

Më: 19 janar 2021 Në ora: 13:01
Antony Blinken

Sekretari në ardhje i Departamentit të Shtetit, Antony Blinken, pritet të zotohet të martën se do të punojë për rivitalizimin e diplomacisë amerikane dhe për ndërtimin e një fronti të bashkuar për t’u ballafaquar me sfidat që paraqesin Rusia, Kina dhe Irani.

Në fjalimin që do ta mbajë një ditë para se shefi i tij të inaugurohet zyrtarisht si president i ri i Shteteve të Bashkuara, Blinken do të zotohet për të vepruar së bashku me aleatët e me përulësi. Mandati 4-vjeçar i Trumpit u karakterizua me masa të njëanshme të ShBA-së që shpesh i zemëruan aleatët.

Veterani i politikës së jashtme, i cili është njeri i besuar i Bidenit, pritet që gjatë fjalimit gjithashtu të sqarojë pse udhëheqësia amerikane është jetike për botën, duke premtuar njëkohësisht një politikë të jashtme që do të ofrojë ndihmë për popullin amerikan.

“Kur ne nuk angazhohemi, kur ne nuk udhëheqim, atëherë një nga dy gjëra ndodhin: ose një shtet tjetër përpiqet që ta marrë vendin tonë, por ndoshta jo në atë mënyrë që i avancon interesat dhe vlerat tona, ose askush nuk e merr këtë vend dhe pastaj bëhet kaos”, thuhet në fjalimin e përgatitur paraprakisht të diplomatit Blinken, i cili do t’i drejtohet Komisionit për Marrëdhënie të Jashtme në Senat.

Ndryshe, administrata e re amerikane do të përballet me një skenë globale shumë më ndryshe sesa në kohën kur Bideni ishte nënpresident. Kina ka marrë rol më të madh global, duke ofruar ndihmë për zhvillimin e shteteve në Afrikë dhe në Amerikën Latine, shkruan Reuters.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat