Fauci: SHBA-ja do t’i bashkohet programit COVAX për shpërndarjen e vaksinave

Amerika

Fauci: SHBA-ja do t’i bashkohet programit COVAX për shpërndarjen e vaksinave

Më: 21 janar 2021 Në ora: 12:04
Anthony Fauci

Nën udhëheqjen e presidentit Joe Biden, Shtetet e Bashkuara synojnë t’i bashkohen programit global për shpërndarjen e vaksinave kundër koronavirusit në vendet e varfëra, i njohur si COVAX.

Kështu i tha Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH), këshilltari kryesor mjekësor në SHBA, Anthony Fauci.

Ky vendim u mirëprit nga shefi i OBSH-së, Tedros Adhanom Ghebreyesus, i cili tha se kjo “është një ditë e mirë për OBSH-në dhe shëndetësinë në botë”.

“Presidenti Biden do të lëshojë një urdhër i cili do të përfshijë synimin e Shteteve të Bashkuara për t’u bashkuar me programin COVAX “, tha përmes një video adresimi Fauci.

Përmes programit COVAX, dërgesa e parë e vaksinave në vendet e varfëra pritet të bëhet në muajin shkurt. Edhe Kosova synon të marrë vaksina nga ky program.

OBSH-ja ka ngritur shqetësime se vendet e pasura po furnizohen me një pjesë të madhe të vaksinave që janë në dispozicion, duke rrezikuar furnizimin e vendeve të varfëra.

Paraardhësi i Bidenit, Donald Trump ndaloi financimin për OBSH-në dhe njoftoi për procesin e tërheqjes nga kjo organizatë deri në korrik të vitit 2021. Por, administrata e presidentit Biden ka vendosur të qëndrojë si anëtare në këtë organizatë.

Trump e ka akuzuar OBSH-në se nuk ka menaxhim të mirë dhe se e ka ndihmuar Kinën në fshehjen e të dhënave për shpërthimin e koronavirusit, në fund të vitit 2019.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat