Kuba synon të imunizojë popullsinë brenda vitit, vaksina e saj kalon me sukses në fazën e dytë

Amerika

Kuba synon të imunizojë popullsinë brenda vitit, vaksina e saj kalon me sukses në fazën e dytë

Më: 21 janar 2021 Në ora: 16:43
Foto ilustrim

Shteti i Kubës synon të vaksinojë popullsinë brenda këtij viti me vaksinën e saj që po zhvillohet në Amerikën Latine.  

Vendi pretendon se mund të bëjë 100 milion doza të vaksinës “Soberana 2”, kandidati më premtues i Kubës.

"Nëse gjithçka shkon mirë, këtë vit e gjithë popullsia e Kubës do të vaksinohet," tha Dr. Vicente Vérez, drejtor i Institutit të Vaksinimit “Finlay”.

Në krahasim me shtetet fqinje të saj, Kuba ka pasur një numër relativisht të ulët të rasteve me COVID-19 dhe viktimave, ku që prej fillimit të pandemisë, shteti ka regjistruar 19,122 raste dhe 180 viktima.

Këtë javë “Soberana 2” kaloi në fazën e dytë të testimit, ku përfshihen 900 vullnetarë, dhe nëse kjo provë kalon me sukses, vendi do të kalojë në fazën III në muajin mars me 150,000 vullnetarë.

Dr. Vérez tha se qëllimi ishte të niste një fushatë vaksinimi në gjysmën e parë të vitit. Vaksina gjithashtu mund të ofrohej si një "opsion" për turistët.

Përfaqësuesi i Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH) Jose Moya, konfirmoi se Kuba kishte vaksinën e parë kandidate në Amerikën Latine dhe Karaibe, për të cilën ai u shpreh optimist.

Arsyeja për optimizmin e tij është se "Kuba ka më shumë se 30 vjet përvojë në prodhimin e vaksinave të saj dhe pothuajse 80% e vaksinave në programin kombëtar të imunizimit prodhohen në vend.

Nën një embargo të SHBA që nga viti 1962, Kubës shpesh i është dashur të gjejë mjetet e veta shëruese.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat