Amerikanët presin të shohin një kapitull të ri për vendin

Amerika

Amerikanët presin të shohin një kapitull të ri për vendin

Më: 21 janar 2021 Në ora: 17:08
SHBA

Presidenti Joe Biden u betua të mërkurën në një skenë të ruajtur nën masa të rrepta sigurie, para Kapitolit të Shteteve të Bashkuara ku vetëm dy javë më parë kishin hyrë me forcë mijëra protestues pro-Trump. Korrespondentja e Zërit të Amerikës, Carolyn Presutti foli me disa persona që morën pjesë në inaugurim, në lidhje me kalimin historik të pushtetit.

Ishte një inaugurim ku mungonin turmat e zakonshme të entusiazmuara. E vetmja gjurmë e normalitetit ishin një ose dy shitës ambulantë. Mungonin ekranet gjigande.

Vetëm grupe të vogla amerikanësh të interesuar për atë që po ndodhte tek Kapitoli dhe për të ardhmen e vendit nën Presidentin Biden.

"Mendoj se e pret një punë gjigante”, thotë Thèrése Addington, nga Riçmondit i Virxhinias.

Thèrése Addington ka kaluar COVID-in. Zoti Biden thotë se administrata e tij do të vaksinojë 100 milion njerëz në 100 ditët e para në detyrë.

"Nuk jam e sigurt se mund të bëjë gjithçka që ka premtuar, por kam shpresë se të paktën do të përpiqet”, thotë zonja Addington.

Presidenti i ri po propozon një plan ndihmash prej 1.9 trilionë dollarësh për të stimuluar ekonominë e rënduar nga pandemia. Frank Beal, konsulent financiar nga Karolina e Veriut, e mbështet një gjë të tillë.

"Në mënyrë të pashmangshme, ne po marrim nga diku, për ta dhënë diku tjetër, por për momentin është i nevojshëm një stimul për t’i dhënë shtytje ekonomisë”, thotë zoti Beal.

Presidenti Biden menjëherë i dërgoi Kongresit një propozim për një rrugë tetë-vjeçare drejt shtetësisë për rreth 11 milion emigrantë pa dokumente.

"Njerëzit që na ushqejnë, duke mbledhur të korrat tona, duke punuar në ndërtim, të gjitha këto janë punë emigrantësh dhe ata do të ndërtojnë këtë vend ashtu siç është ndërtuar nga imigrantët që në ditën e parë", thotë Jimmy Ortiz, banor i Uashingtonit.

"Mendoj se ai do të japë amnisti për njerëzit që shkelën ligjin. Kjo është e tmerrshme për çdo vend," thotë Tom Kelly nga Florida.

Presidenti Biden foli edhe për ndryshimin e klimës.

"Një thirrje për mbijetesë vjen nga vetë planeti. Një thirrje që nuk ka si të jetë më e dëshpëruar ose më e qartë."

Courtney Thomas mirëpret vendimin për t’iu rikthyer marrëveshjes për klimën në Paris.

"Duke pasur parasysh që do të veprojmë në bazë të ekspertizës së shkencëtarëve? Sigurisht që jam dakord, ashtu si edhe për ndjekjen e fakteve, në vend të mashtrimeve dhe ndjesive”, thotë zonja Thomas.

200,000 flamuj simbolizonin amerikanët që nuk mund të merrnin pjesë në ceremoni për shkak të pandemisë. Secili prej shteteve dhe territoreve përfaqësohet në bashkim.

“Më jepni një shans. Dhe nëse vazhdoni të mos jeni dakord me mua, ashtu qoftë. Kjo është demokracia. Kjo është Amerika. E drejta për të menduar ndryshe në mënyrë paqësore”, tha Presidenti Biden.

Masat e pashembullta të sigurisë, të nxitura nga trazirat e Kapitolit e shqetësojnë përkrahësin e zotit Trump, Roy Wendell.

"Po inaugurojmë një president të ri dhe kemi trupa që qëndrojnë në rrugë me armë dhe me tela me gjemba pas tyre. Duket si një vend tjetër, jo siç mendoj unë që duhet të jetë Amerika", thotë ai.

Sfida më e madhe për zotin Biden fillon tani: Shërimi i një kombi nga një pandemi virusi dhe nga pandemia e polarizimit politik./VOA

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat