SHBA: Shpresa për një fillim të ri në marrëdhëniet me median

Amerika

SHBA: Shpresa për një fillim të ri në marrëdhëniet me median

Më: 21 janar 2021 Në ora: 20:18
Foto ilustrim

Pas katër vitesh armiqësie midis presidentit amerikan dhe shumë prej mediave të lajmeve, mbrojtësit e lirisë së shtypit shpresojnë për një fillim të ri. Jessica Jerreat e Zërit të Amerikës, njofton.

Gazetarët amerikanë po punojnë në një mjedis gjithnjë e më armiqësor, duke u përballur me sulme fizike dhe verbale nga protestues apo nga forcat e rendit, për të mos përmendur sulmet e vazhdueshme verbale nga ish Presidenti Donald Trump.

Turma pro-Trump që sulmoi Kapitolin shkatërroi pajisjet e një ekipi të agjencisë Associated Press. Ata akuzuan dhe shanë gazetarët, sulmuan ekipet e medias dhe shkruajtën "Vrisni Median" në dyert e ndërtesës.

Gjatë katër viteve të fundit, ka patur incidente të rënda. Televizionit CNN i janë dërguar bomba artizanale. Në Anapolis, një njeri i armatosur vrau pesë vetë në redaksinë e medias Capital Gazette. Vitin e kaluar u zbulua se qeveria vëzhgonte gazetarët që mbulonin karvanët me emigrantë në kufirin jugperëndimor.

“Nuk ishte thjesht çështje e presidentit dhe ndihmësve të tij që nuk i pëlqente mbulimi, gjë që është normale. Por ata sulmuan me mënyra të rrezikshme dhe që përbëjnë kërcënime fizike për gazetarët,” thotë Angela Greiling Keane, në Institutin Kombëtar të Gazetarisë.

Donald Trump akuzoi mediat duke i trajtuar ashpër dhe padrejtësisht.

“Mbulimi i çdo presidenti, apo i çdo udhëheqësi, në shumicën e rasteve dihet që nuk mund të jetë me lavdërime. Zakonisht nuk janë lavdërimet që bëjnë lajm. Pra, është e vërtetë që media e mbajti nën vëzhgim të rreptë Donald Trumpin. Por kjo është pikërisht detyra e shtypit,” thotë Angela Greiling Keane.

Kritikët thonë se mbështetja e SHBA për lirinë e shtypit është tkurrur në skenën ndërkombëtare, ku Amerika historikisht ka luajtur rol udhëheqës. Një shembull është reagimi ndaj vrasjes së korrespondentit të Washington Post-it Jamal Khashoggi në konsullatën saudite në Stamboll, që është kritikuar gjerësisht.

Suzanne Nossel e grupit PEN America për të drejtat e njeriut dhe fjalën e lirë i tha Zërit të Amerikës me telefon se "në rastin e Jamal Khashoggit, ata e bënë mjaft të qartë se nuk do të lejonin që masakrimi i një gazetari të prishte marrëdhëniet e tyre me qeverinë saudite."

Ajo thotë se organizata si e saja humbasin fuqinë për të liruar gazetarë të burgosur pa mbështetje nga qeveria e SHBA, pa marrëdhëniet e saj dypalëshe në botë.

Departamenti i Shtetit ka duartrokitur "guximin dhe vendosmërinë" e mediave të pavarura, duke dënuar përndjekjet e motivuara politikisht, pandëshshkueshmërinë dhe kërcënimet ndaj gazetareve.

Shtëpia e Bardhë pati gjithashtu disa suksese, si përpjekjet për të liruar profesionistin e pavarur amerikan Austin Tice, i zhdukur në Siri që nga viti 2012.

Presidenti i ri Joe Biden thotë se do të mbrojë të drejtat e aktivistëve dhe gazetarëve dhe do të punojë për një fillim të ri në marrëdhëniet me mediat. Por analistët thonë se e kaluara e tij sa i përket lirisë së shtypit nuk është plotësisht e pastër.

Gjatë administratës Obama-Biden pati kontrolle më të rrepta të qeverisë ndaj informacionit, ndjekje penale të burimeve dhe konfiskime të tabulateve telefonike të gazetarëve.

"Këto ishin gjëra shumë, shumë të rrezikshme, që ne nuk ishim mësuar t'i shihnim në SHBA dhe ato ndodhën gjatë administratës Obama-Biden. Kështu që padyshim ata prej nesh që përkrahin lirinë e shtypit po vëzhgojnë me kujdes se çfarë mund të ndodhë gjatë administratës Biden-Harris në këtë aspekt.”

Mbrojtësit e shtypit po bëjnë presion për zbutje të retorikës, për më shumë mbrojtje për mediat që mbulojnë protesta dhe trazira, dhe që SHBA t’i dalin për zot lirisë së shtypit.

Suzanne Nossel e organizatës PEN America, thotë se administrata Biden duhet të fillojë të flasë në emër të të gjithë atyre gazetarëve që janë në shënjestër, kudo në botë.

Tani që SHBA kanë një presidencë të re, gazetarët dhe grupet e të drejtave do të bëjnë presion që liria e shtypit të jetë përparësi e saj./VOA

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat