Joe Biden dhe sfidat përballë tij

Amerika

Joe Biden dhe sfidat përballë tij

Më: 24 janar 2021 Në ora: 21:11
Joe Biden

Më 20 janar, Joe Biden mori zyrtarisht frenat e Shtëpisë së Bardhë. Njeriu i cili ka disa dekada përvojë politike, vjen në krye të vendit në një kohë sfidash të vështira, si pandemia, përplasjet e ashpra politike dhe ndarjet e brendshme.

Le t'i hedhim një vështrim karrierës së 78-vjeçarit që do të drejtojë Shtetet e Bashkuara për katër vitet e ardhshme.

U deshën katër ditë me rezultate të pasigurta të zgjedhjeve derisa Joe Biden të mund ta shpallte fitoren.

“Njerëzit e këtij vendi kanë folur. Ata na dhanë një fitore të qartë”, deklaroi zoti Biden.

Donald Trump do të vazhdonte të vinte në pikëpyetje rezultatet, duke mbledhur mbështetësit e tij në një tubim që u pasua me sulmet ndaj Kapitolit të Shteteve të Bashkuara.

Në të njëjtin vend, saktësisht dy javë më vonë Presidenti Joe Biden u inaugurua, mes sfidave të pashembullta.

“Për të rikthyer shpirtin dhe për të siguruar të ardhmen e Amerikës duhen më shumë sesa fjalë. Kërkohet ajo çfarë është më e pakapshme në një demokraci: Uniteti”, tha në fjalimin e tij Presidenti Biden.

"Ai ka një rrëmujë të madhe për të pastruar. Nuk jam i sigurt se mundet të realizojë gjithçka që premton”, thotë Thèrése Addington.

"Nuk e di. Ai ka një sfidë të madhe përpara. Absolutisht”, thotë Courtney Thomas.

Që në ditën kur mori detyrën, presidenti i ri nënshkroi një mori urdhërash ekzekutivë, duke shfuqizuar politikat e administratës Trump. Ai iu bashkua sërish marrëveshjes së Parisit për klimën.

Ai dërgoi një propozim për emigracionin në Kongres, duke krijuar një kuadër drejt shtetësisë për 11 milionë emigrantë pa dokumente. Ai premtoi të vaksinojë 100 milionë njerëz kundër koronavirusit gjatë 100 ditëve të tij të para dhe shtoi se:

"Një nga sfidat e 100-ditëve të para është t'i kërkojmë popullit amerikan të mbajë maska", tha Presidenti Joe Biden.

Zoti Biden ka patur funksione si zyrtar i zgjedhur për gati 50 vjet. Ai shërbeu për dy mandate si Nënpresident i Shteteve të Bashkuara nën administratën e Presidentit Barack Obama dhe është i njohur për aftësinë e tij për të fituar bashkëpunimin dypartiak në Kongres.

Ai konsolidoi aftësitë dhe lidhjet e tij gjatë gjashtë mandateve në Senatin e Shteteve të Bashkuara. Por, tragjedia goditi një muaj pas zgjedhjes së tij të parë në vitin 1972. Gruaja dhe vajza e tij u vranë në një aksident me makinë. Dy djemtë e tij të vegjël, Beau dhe Hunter, u plagosën rëndë.

Në atë periudhë, senatori Biden udhëtonte me trenin Amtrak 90 minuta nga Uashingtoni në Delauer çdo natë për të qenë pranë djemve të tij.

Këto lidhje të thella me shtetin e Delauerit u shfaqën dukshëm në një moment të rrallë sentimental ndërsa ai jepte lamtumirën përpara nisjes për në Shtëpinë e Bardhë.

"Ju e dini të gjithë. Është disi emocionale për mua. Ju keni qenë me mua gjithë karrierën time. Përmes kohërave të mira dhe të këqija", tha zoti Biden.

I biri, Beau vdiq nga kanceri i trurit në 2015. Vetë zoti Biden ka bërë dy operacione në tru për të riparuar aneurizmat. Ai dhe gruaja e tij, Jill, një profesore kolegji, kanë shtëpi në Uillmington dhe në Rehoboth, të Delauerit. Vajza e tyre Ashley lindi në 1981.

Banorët në Uillmington e quajnë presidentin djalin e tyre, të cilit i pëlqejnë ushqimet e zonës. Bob Byrd shpesh e sheh zotin Biden në timonin e makinës së tij të hapur sportive, prodhim i vitit 1967.

"Ai ka një Corvette antike, dhe e shikojmë që e nget herë pas here. Po, atij i pëlqen t'i japë makinës", thotë Bob Byrd, banor i Uillmingtonit.

Tani në moshën 78 vjeçare, ai bëhet presidenti më i vjetër që është zgjedhur ndonjëherë, ndërsa përgatitet për sfidën e tij më të vështirë politike - drejtimin e një kombi të ndarë, drejt së ardhmes./VOA

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat