Administrata Biden dhe përpjekjet për të rritur nivelin e vaksinimeve

Amerika

Administrata Biden dhe përpjekjet për të rritur nivelin e vaksinimeve

Më: 25 janar 2021 Në ora: 18:22
Ilustrim

Përpjekjet e qeverisë amerikane për të vaksinuar miliona amerikanë ndaj pandemisë së koronavirusit kanë mbetur prapa, sipas zyrtarëve të rinj të shëndetësisë të administratës së Presidentit Joe Biden. Por ata shtuan se shpresojnë që fushata për të frenuar virusin të përshpejtohet ndjeshëm brenda tre muajsh.

I emëruari i Presidentit Biden për postin e Sekretarit të Shëndetësisë, Xavier Becerra tha për televizionin CNN se "ajo që kemi trashëguar nuk ka funksionuar”.

Ai shtoi se problemet nuk do të zgjidhen shpejt, por se "mund të punojmë më me efektivitet për t’u kthyer në normalitet".

Para se të largohej nga detyra javën e kaluar, Presidenti Donald Trump i vlerësoi lart përpjekjet e administratës së tij për të luftuar pandeminë.

Zoti Biden synon të vaksinojë 100 milionë banorë në 100 ditët e para në detyrë. Javën e kaluar, ai nënshkroi urdhra ekzekutivë për të shtuar prodhimin e dozave të dy vaksinave të miratuara për përdorim dhe pajisjeve të tjera mjekësore të nevojshme për të trajtuar ata që janë prekur nga COVID-19.

Ritmi i vaksinimeve tani është pak a shumë në drejtimin e duhur por disa kritikë thonë se ky ritëm duhet të jetë më i shpejtë.

Këshilltari kryesor i zotit Biden për shëndetësinë, dr. Anthony Fauci, tha në një intervistë për CBS News, se shifra 100 milionëshe ishte fillimi, jo fundi.

Shtetet e Bashkuara kanë regjistruar deri tani 25 milionë infeksione me koronavirus dhe më shumë se 419,000 vdekje, të dyja shifrat më të lartat nga çdo vend tjetër./Voa/

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat