Pas arrestimit të Alexei Navalnyt dhe protestueseve të opozitës, Biden: SHBA-ja është e shqetësuar për sjelljen e Rusisë

Amerika

Pas arrestimit të Alexei Navalnyt dhe protestueseve të opozitës, Biden: SHBA-ja është e shqetësuar për sjelljen e Rusisë

Më: 26 janar 2021 Në ora: 14:54
Alexei Navalny

Presidenti amerikan, Joe Biden është shprehur i shqetësuar për shtypjen e protestave në Moskë, në të cilat është kërkuar lirimi i kritikut të Kremlinit, Alexei Navalny.

Navalny është burgosur fundjavën e kaluar teksa ka arritur në Moskë nga Gjermania.

Në shtetin gjerman, Navalny është trajtuar pas helmimit me agjentin nervor Novichok.

Duke folur dy ditë pas arrestimeve masive të protestuesve në gjithë Rusinë kundër presidentit rus, Vladimir Putin dhe arrestimit të Navalnyt, Biden ka thënë më 25 janar se është “shumë i shqetësuar”.

Biden ka thënë se nuk ka vendosur ende si të përgjigjet ndaj situatës së Navalnyt, mirëpo ka thënë se shpreson që Shtetet e Bashkuara dhe Rusia do të mund të bashkëpunojnë në fushat në të cilat të dyja palët përfitojnë.

Ai ka përmendur se të dyja vendet do të duhet të bashkëpunojnë për kontrollin e armëve bërthamore, dhe se ora është duke ecur drejt skadimit të marrëveshjes Starti i Ri, njëherësh paktit të fundit të nënshkruar në mes të Uashingtonit dhe Moskës.

Biden u ka thënë gazetarëve në Shtëpinë e Bardhë se ai po shqyrton mundësinë t’ia bëjë të qartë Rusisë se SHBA-ja është “shumë e shqetësuar për sjelljen e saj” ndërkohë që të dyja shtetet “synojnë interes të përbashkët” në traktat.

Ai ka përmendur edhe hakimet e mëdha që kanë ndodhur në rrjetet kompjuterike amerikane muajin e kaluar, për të cilat janë fajësuar hakerët rusë, si dhe për raportimet e vitit të kaluar se Rusia u ka ofruar përfitime talibanëve, në këmbim të vrasjes së ushtarëve amerikanë në Afganistan.

“U kam kërkuar agjencive që të bëjnë kërkime të thella për secilën nga këto çështje, dhe të më përditësojnë saktë se prej nga janë, pasi unë nuk do të hezitoj të përmend këto çështje me rusët”, ka thënë ai. /REL/

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat