Ekspertët: Hapësirë për marrëveshje dypalëshe në përparësitë kryesore të Presidentit Biden

Amerika

Ekspertët: Hapësirë për marrëveshje dypalëshe në përparësitë kryesore të Presidentit Biden

Më: 26 janar 2021 Në ora: 20:57
Ilustrim

Ndërsa kanë kaluar disa ditë pas marrjes së pushtetit nga Presidenti Joe Biden, shumica e debateve janë përqendruar tek mosfunksionimi i Kongresit amerikan, një valë urdhërash ekzekutivë nga presidenti i ri dhe gjyqi ndaj ish-Presidentit Donald Trump. Asnjë nga këta tri faktorë nuk ndihmon për një bashkëpunim dypalësh, ndaj pesimizmi mund të duket i justifikueshëm.

Por megjithatë, ndërsa ekspertët shqyrtojnë fushat kryesore të politikave që zoti Biden theksoi gjatë fjalimit të inaugurimit, ata thonë se ka të paktën disa hapësira mbi mundësinë e arritjes së marrëveshjeve dypartiake.

Paketa financiare në përgjigje të pandemisë

Administrata e Presidentit Biden kërkoi 1.9 trilionë dollarë për disa programe që lidhen me pandeminë, përfshi shpenzime të mëdha për të nxitur zhvillimin ekonomik dhe një investim të madh në infrastrukturën federale për shpërndarjen e vaksinës, në mënyrë sa më të shpejtë tek sa më shumë amerikanë që të jetë e mundur.

Republikanët në Kongres u treguan të shpejtë për ta etiketuar propozimin si “të vdekur pa mbërritur ende” për shkak të çmimit të lartë. Disa vëzhgues besojnë se ngurrimi fillestar i republikanëve mund të kapërcehet duke patur parasysh situatën ekonomike në vend.

“Mendoj se edhe pse njerëzit po e quajnë të pamundur propozimin, një masë e madhe e propozimit do të miratohet”, tha Howard Glecman me Qendrën e Politikave të Taksave Urban-Brookings.

Janë të paktë ligjvënësit që duan të bllokojnë programe që synojnë vaksinimin e njerëzve kundër koronavirusit. Edhe pse ka të ngjarë të ketë argumente rreth sasisë monetare të pagesave të stimulit, popullariteti i kësaj pjese të propozimit do ta bëjë të vështirë hedhjen poshtë të propozimit në tërësi.

Kur flitet në mënyrë specifike për politikën e taksave, zoti Gleckman beson se egziston një pajtim dypalësh për një numër propozimesh që mund të paraqiten në paketën e ndihmave, ose në një projektligj të mëvonshëm.

Ka mbështetje për zgjerimin e përfitimit nga taksat për familjet që gjatë kësaj kohe pandemie duhet të rrinë në shtëpi dhe të kujdesen për fëmijët. Po ashtu ka mbështetje edhe për zgjerimin e përfitimeve nga taksat për punonjësit që nuk kanë fëmijë.

Zoti Gleckman thotë se përfitimi nga taksat nga programi i Presidentit Biden “Prodhuar në Amerikë” (Made in America) që synon nxitjen e manifakturës vendase, gjithashtu ka të ngjarë të ketë mbështetje dypalëshe.

Politika për imigracionin

Sikurse me politikën tregtare, Presidenti Biden do të përballet me republikanët që kanë ndryshuar qëndrimin për çështjet e imigracionit gjatë viteve të fundit. Për dekada me radhë, republikanët kanë qënë mbështetës të imigracionit, si nxitës i rritjes ekonomike dhe burim i krahut të punës me kosto më të ulët.

Por ky qëndrim filloi të ndryshonte, madje para daljes në skenë të zotit Trump, ndërsa u bë edhe më i rreptë gjatë administratës së kaluar.

Analistja Sarah Pierce, me Institutin e Politikave të Migracionit në kryeqytetin amerikan, thotë se ka një numër republikanësh që mbështesin imigracionin, të cilët kanë qënë të heshtur gjatë administratës së kaluar, por që mund të mbështesin disa nga ndryshimet që po propozon Presidenti Biden.

Propozimi i Presidentit Biden synon strukturimin dhe zgjerimin e procesit të vizave për punonjës të kualifikuar, një lëvizje që mund të fitonte mbështetjen e republikanëve që kanë lidhje me sektorin e biznesit.

Po ashtu edhe nisma të tjera mund të mbështeten nga republikanët, si përshembull propozimi për të lejuar Departamentin e Sigurisë Kombëtare që të ndryshojë numrin e lëshimit të lejeve të përhershme të qëndrimit çdo vit në varësi të kushteve ekonomike.

“Kjo është diçka që Instituti i Politikave të Migracionit ka mbështetur për vite me radhë, sepse nuk ka kuptim që numri i imgrantëve të përcaktohet nga ligji”, tha zonja Pierce. “Duhet të jetë i bazuar në nevojat e tregut në Shtetet e Bashkuara.”

Një tjetër propozim i Presidentit Biden është rritja e rrogave për punonjësit e përkohshëm. Ky propozim mund të tërheqë ata që kanë kundërshtuar programet për punonjësit me viza në bazë të teorisë se puna e migrantëve tenton të ulë pagat në tregun konkurrent për amerikanët.

Sidoqoftë ka pika të përbashkëta për një marrëveshje dypalëshe për reformën në imigracion. Propozimi më ambicioz i Presidentit Biden, një rrugë tetë-vjeçare drejt shtetësisë amerikane për miliona njerëz pa dokumenta, pasqyron përpjekjet që u venitën dhe u shuan në Kongres gjatë administratave të Presidentit Obama dhe Presidentit Bush.

Ndryshimet klimatike

Me përjashtime të rralla, republikanët në Kongres kundërshtojnë shumicën e nismave për ndryshimet klimatike që mbrohen nga Presidenti Biden dhe shumica e Partisë Demokrate.

Njoftimi se në ditën e parë në detyrë Presidenti Biden e ktheu Amerikën në marrëveshjen e Parisit për klimën, u prit me kundërshtime të ashpra nga shumë republikanë në Kongres.

Sidoqoftë, kundërshtimet e Partisë Republikane për trajtimin e ndryshimeve klimatike anashkalohen rregullisht kur bien ndesh me interesat e sigurisë kombëtare, tha Erin Sikorski, nëndrejtoreshë e Qendrës për Klimën dhe Sigurinë.

“Gjatë katër viteve të kaluara, kemi vënë re që Dhoma e Përfaqësuesve dhe Senati kanë miratuar legjislacione pragmatike për sigurinë klimatike, zakonisht çdo vit përmes Aktit të Autorizimit të Mbrojtjes Kombëtare. Mendoj se kjo është një fushë ku administrata e Presidentit Biden mund të gjejë një konsensus dypartiak në Kongres”, tha ajo.

Ky do të ishte një lajm i mirë, por i ftohtë për shumicën e ambjentalistëve. Sepse masat janë kryesisht më reaguese sesa parandaluese, përfshi financimet e projekteve që mundësojnë shkencëtarët të shkëmbejnë të dhëna me komunitetin e inteligjencës.

Politikat tregtare

Debati mbi tregtinë ka ndryshuar në mënyrë dramatike në katër vitet që kur zoti Joe Biden ishte nënpresident i Shteteve të Bashkuara. Nën Presidentin Trump, Partia Republikane ndryshoi rrënjësisht qëndrimin e saj ndaj tregtisë, duke ndjekur udhëheqjen e ish-presidentit dhe mbështetur tarifat dhe proteksionizmin. Kjo, ndoshta për habi, e bën tregtinë një nga fushat më të mundshme për bashkëpunim dypartiak.

“Tregtia është një çështje në të cilën, për sa i përket politikës aktuale, administrata e Presidentit Biden është më pranë zotit Trump se sa shumicës së ish-administratave të tjera, ose ndoshta pothuajse gjithë administratave të tjera”, tha Gary Hufbauer me Institutin Peterson për Ekonominë Ndërkombëtare.

Brenda administratës së Presidentit Biden, tha ai, pikëpamja mbizotëruese është se, “qëllimi i tregtisë nuk është kryesisht ndjekja e rregullit për përparësitë kryesore dhe përpjekja për zgjerimin e tregtisë së dyanshme, por më tepër të shtyjë përpara të drejtat e punës, mjedisit dhe të drejtat e njeriut, dhe sipas nevojës, të mbrojë vendet e punës”.

Presidenti Biden ka emëruar Katherine Tai në postin e përfaqësueses së qeverisë amerikane për tregtinë. Ajo ka qënë avokate për tregtinë dhe njohëse e mirë e gjuhës mandarin që flitet në Kinë dhe ka një histori të mirë të sfidimit të praktikave tregtare të qeverisë kineze.

Në të kaluarën, mbështetja e saj për politika të ashpra ndaj Kinës ka gëzuar mbështetjen e të dy palëve në Kongres. Kjo le të kuptohet se administrata e Presidentit Biden mund të besojë, sikurse besojnë shumë ekonomistë të tregtisë, se qendra e fuqisë në tregtinë ndërkombëtare është zhvendosur nga Organizata Botërore e Tregtisë drejt një rrjeti marrëveshjes tregtare individuale, me shumë prej tyre dypalëshe.

Një pikëpyetje e mbetur pezull do të jetë pozicioni i Uashingtonit në lidhje me Marrëveshjen Gjithëpërfshirëse dhe Progresive për Partneritetin Ndër-Paqësor (CPTPP), një pakt që krijon një zonë masive të tregtisë së lirë në rajonin e Paqësorit.

Presidenti Trump e tërhoqi Amerikën nga marrëveshja, e cila u ndërmjetësua kryesisht nga administrata e Presidentit Obama dhe u mbështet nga shumë demokratë.

Por tani, Mbretëria e Bashkuar dhe Kina po përpiqen të përfshihen në marrëveshjen CPTPP. Kjo përfshirje në marrëveshje e dy partnerëve të rëndësishëm tregtarë të Shteteve të Bashkuara, dhe kryesisht Kinës, mund të bëjë që ekipi i Presidentit Biden të shqyrtojë preferencën për të patur një vend në tryezë si një kundërpeshë ndaj influencës kineze./Voa/

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat