Shtetet e Bashkuara përpjekje për barazinë racore

Amerika

Shtetet e Bashkuara përpjekje për barazinë racore

Më: 27 janar 2021 Në ora: 19:38
Joe Biden

Presidenti Joe Biden nënshkroi të martën një seri urdhërash ekzekutivë që Shtëpia e Bardhë thotë se do të ndihmojnë për të përmirësuar "barazinë racore për amerikanët e paprivilegjuar që janë lënë mbrapa". Masat e marra nga Presidenti Biden synojnë të luftojnë racizmin dhe ksenofobinë, përfshirë atë me të cilën u përballën aziatiko-amerikanët kur filloi pandemia e koronavirusit.

Beteja për drejtësi racore u shndërrua në tematikë qendrore që nga vdekja e George Floyd-it në duart e policisë majin e kaluar.

"Ishte gjuri në qafën e drejtësisë dhe nuk mund të harrohet kollaj. Trazoi ndërgjegjen e dhjetëra miliona amerikanëve. Në pikëpamjen time shënoi një pikë kthese në përqasjen e këtij vendi ndaj drejtësisë", tha Presidenti Biden.

Të martën, Presidenti Biden nënshkroi katër urdhëra ekzekutivë që Shtëpia e Bardhë thotë se do të avancojnë "barazinë racore për amerikanët e paprivilegjuar që janë lënë pas".

"Këto nuk janë politika për t'u ndjerë më mirë. Evidenca është e qartë. Investimi tek barazia ndihmon rritjen ekonomike dhe krijon vende pune për të gjithë amerikanët", thotë Susan Rice, këshilltare e presidentit për politikat e brendshme.

Këto vendime shfuqizojnë disa nga politikat e administratës së ish presidentit Trump. Presidenti Biden i udhëzon agjensitë të forcojnë ligjet kundër diskriminimit në programet e strehimit federal dhe dhënien fund të kontraktimit nga Departamenti i Drejtësisë të burgjeve private, të cilat aktivistët thonë se rëndojnë pabarazitë racore. Megjithëse niveli i të burgosurve afrikano-amerikanë ka rënë gjatë viteve të fundit, është ende mbi pesë herë më shumë se niveli i burgosjes së të bardhëve.

"Nëse kemi një sistem fitimprurës që mbështetet tek numri i njerëzve në të, atëherë do të duan të fusin sa më shumë njerëz brenda. Pra, motivimi është krejtësisht i gabuar, për sa i përket objektivave sociale të sigurisë publike dhe rehabilitimit të anëtarëve të shoqërisë tonë", thotë Steve Phillips, nga organizata "Demokracia sipas Ngjyrës".

Presidenti Biden gjithashtu angazhohet për një proces më të mirë konsultativ me 574 fiset e indianëve të amerikës të njohur nga qeveria federale. Ai gjithashtu kërkon të luftojë diskriminimin ndaj aziatiko-amerikanëve dhe banorëve të ishujve të Paqësorit që u intensifikua me fillimin e pandemisë.

"Njerëzit që duken aziatikë, njerëzit që duken kinezë identifikohen si bartës të virusit", thotë Tiffany Yu.

Përpjekjet e Presidentit Biden për barazi dhe rishpërndarje të burimeve me përqëndrimin tek nevojat e minoriteteve kritikohen nga konservatorët, të cilët thonë se barazi e vërtetë është t'i jepen secilit të njëjtat burime pavarësisht se kush janë.

"Përkufizimi i barazisë nga e majta është trajtimi i pabarabartë për të përftuar rezultate të barabarta. Kjo nuk na përfaqëson. Këtë pretendon se arrin marksizmi - sjelljen e rezultateve të njëllojta. Ne nuk kemi rezultate të njëjta; ne i lejojmë njerëzit të lulëzojnë", thotë Mike Gonzalez, nga Fondacioni "Heritage".

Axhenda e Presidentit Biden për barazi racore tenton të sjellë rezultate për njerëzit që e ndihmuan të fitojë Shtëpinë e Bardhë. Votuesit afrikano-amerikanë përbëjnë 11% të elektoratit të regjistruar në vitin 2020, 90% e të cilëve votuan për zotin Biden./VOA

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat