Senati amerikan shqyrton rolin e Trump-it në trazira në Kapitol

Amerika

Senati amerikan shqyrton rolin e Trump-it në trazira në Kapitol

Më: 2 shkurt 2021 Në ora: 19:46
Donald Trump

Për herë të parë në histori, Senati amerikan zhvillon gjyqin për herë të dytë, ndaj të njejtit president. Ish Presidenti Dnald Trump akuzohet për nxitje të sulmit ndaj Kongresit më 6 janar. Siç njofton korrespodentja e Zërit të Amerikës, Katherine Gypson, ligjvënësit mund të vendosin ta ndalojnë ish presidentin për të kandiduar ndonjëherë tjetër për një post federal.

Në të njëjtat korridore ku sulmuesit u përleshën me policinë vetëm disa javë më parë, demokratët e Dhomës së Përfaqësuesve më 25 janar dorëzuan në Senat akuzat ndaj ish-Presidentit Donald Trump për nxitjen e trazirave pas pretendimeve të tij të pabazuara se zgjedhjet presidenciale të vitit të kaluar ishin vjedhur.

“Ne kurrë nuk do të dorëzohemi. Kurrë nuk do të pranojmë humbjen”, tha ish presidenti Trump.

Më shumë se 160 njerëz janë arrestuar dhe akuzuar në mbarë vendin për sulmin e 6 janarit, ndërsa qindra të tjerë janë nën hetim.

Kërcënimi nga ekstremistët e brendshëm mbetet i lartë, paralajmëroi së fundmi Departamenti i Sigurisë Kombëtare, ndërsa një banor i Kalifornisë u akuzua për komplot për të hedhur në erë ndërtesa në Uashington.

"Trumpi duhet të gjykohet dhe të dënohet në mënyrë që asnjë president i ardhshëm të mos mendojë se mund të nxisë kryengritje", tha kryetarja e Dhomës së Përfaqësuesve Nancy Pelosi.

Pikërisht një javë pas sulmit, ndërsa Trumpi ishte ende president, Dhoma e Përfaqësuesve votoi 232 pro dhe197 kundër për ta fajësuar atë. Ndërsa disa figura të njohura republikane e kanë pranuar rolin e ish presidentit Trump në trazira.

“Turma u ushqye me gënjeshtra. Ata u provokuan nga presidenti dhe njerëz të tjerë të fuqishëm”.

Për ta shpallur fajtor duhen votat e dy të tretave të Senatit. Duke supozuar se të 50 senatorët demokratë do të votojnë për ta dënuar, do të duhen edhe votat e 17 senatorëve republikanë për ta shpallur Trumpin fajtor. Vetëm pesë republikanë votuan për të filluar gjyqin - mes kundërshtimeve të kolegëve të tyre se gjykimi i një ish-presidenti është anti-kushtetues.

“Republikanët në Senat po mendojnë për rolin e mundshëm që ish Presidenti Trump mund të luajë në politikën republikane, qoftë për mirë apo për keq. Ata do të votojnë bazuar në ndjeshmërinë që kanë për drejtimin e Partisë Republikane në të ardhmen", thotë Azul Huq me Universitetin e Çikagos.

Demokratët janë të shqetësuar se nuk do të ketë vota të mjaftueshme nga republikanët për ta dënuar ish presidentin dhe gjyqi në Senat do ta largojë vëmendjen nga javët e para të mandatit të Presidentit Joe Biden. Disa kanë propozuar një votim qortues, por pa pasoja, një opsion që udhëheqësit demokratët e kanë refuzuar.

"Pa diskutim - do të ketë një gjyq dhe provat kundër ish-presidentit do të paraqiten ashtu siç janë, për t'i parë i gjithë vendi dhe secili prej nesh ", tha udhëheqësi i shumicës në Senat, Chuck Schumer.

Ekipi ligjor i Trumpit ka patur disa ndryshime ndërsa ai vazhdon të pretendojë për manipulim të zgjedhjeve. Një votë e thjeshtë e shumicës në Senat mund ta ndalojë atë që të kandidojë përsëri për një post federal, por shpallja fajtor nuk ka të ngjarë të ndodh.

“Askush nuk është dënuar, edhe pse disa janë akuzuar. Është me të vërtetë historike në kaq shumë aspekte, veçanërisht për akuzën. Ideja që një president i Shteteve të Bashkuara në thelb do të provonte një grusht shteti për të qëndruar në detyrë kur i kishin shteruar të gjitha mjetet juridike", thotë për Zërin e Amerikës Elaine Kamarck me Institutuin Brookings.

Trumpi është i vetmi president në historinë amerikane ndaj të cilit ngrihen dy herë akuza për shkarkim dhe do të jetë i pari, që gjykohet pasi është larguar nga posti./Voa/

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat