SHBA-ja i kërkon Kinës respektimin e të drejtave të njeriut

Amerika

SHBA-ja i kërkon Kinës respektimin e të drejtave të njeriut

Më: 6 shkurt 2021 Në ora: 09:18
Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken

Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken i tha diplomatit të lartë kinez, Yang Jiechi se, Shtetet e Bashkuara do të vazhdojnë mbështetjen për të drejtat e njeriut dhe vlerat demokratike në Ksinjiang, Tibet dhe Hong Kong.

Departamenti i Shtetit njoftoi për një telefonatë që ka pasur Blinken me diplomatin Jiechi, në të cilën i ka bërë presion Pekinit për trajtimin e ujgurëve dhe komuniteteve tjera myslimane në Ksinjiang, pastaj ndaj banorëve të Tibetit dhe njerëzve që luftojnë për demokraci në Hong Kong.

Kjo është biseda e parë mes zyrtarëve të lartë të SHBA-së dhe Kinës që kur presidenti amerikan, Joe Biden mori detyrën më 20 janar.

“E kam bërë të qartë se SHBA-ja do të mbrojë interesat kombëtare dhe do të mbështes vlerat demokratike. Ne po ashtu do ta mbajmë përgjegjës Pekinin për shkeljet e sistemit ndërkombëtar”, ka thën Blinken.

Ai gjithashtu i bëri thirrje Kinës që t’i bashkohet kundërshtimit të grusht shteti në Mianmar.

Kryediplomati amerikan tha se Uashingtoni do të punojë me aleatët për të mbajtur Kinën përgjegjëse edhe për kërcënimet e stabilitetit të ngushticës së Tajvanit, u tha në deklaratën e Departamentit të Shtetit.

Blinken u shpreh në mbrojtje të qëndrimit të administratës së ish-presidentit Donald Trump, e cila kishte përcaktuar se Pekini po kryen gjenocid në Ksinjiang.

Kombet e Bashkuara kanë vlerësuar se të paktën 1 milion ujgurë dhe njerëz të tjerë kryesisht myslimanë - turqishtfolës - janë vendosur në kampe internimi.

Pekini këmbëngul se objektet janë "qendra të arsimit profesional" që kanë për qëllim të ndihmojnë njerëzit të largohen nga terrorizmi dhe të riintegrohen në shoqëri.

Pekini gjithashtu ka arrestuar qindra aktivistë pro-demokracisë në Hong Kong si dhe ka miratuar një ligj të sigurisë i cili është kritikuar se minon autonominë e rajonit.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat