Biden: SHBA nuk do të heqë sanksionet për të ulur Iranin në tavolinën e bisedimeve

Amerika

Biden: SHBA nuk do të heqë sanksionet për të ulur Iranin në tavolinën e bisedimeve

Më: 8 shkurt 2021 Në ora: 06:12
Presidenti amerikan Joe Biden

Presidenti amerikan Joe Biden tha se Shtetet e Bashkuara nuk do t’i heqin sanksionet e tyre ekonomike ndaj Iranit si masë për ta kthyer Teheranin në tryezën e bisedimeve për të diskutuar se si mund të ringjallet marrëveshja bërthamore e vitit 2015. Këto komente zoti Biden i bëri për rrjetin televiziv CBS gjatë një interviste të regjistruar të premten pjesë të së cilës u bënë publike të dielën.

I pyetur nëse Shtetet e Bashkuara do të heqin fillimisht sanksionet për ta kthyer Iranin sërish në tryezën e bisedimeve, zoti Biden u përgjigj: "jo". Më pas ai u pyet nëse a duhet që Irani të ndalonte fillimisht pasurimin e uraniumit, Presidenti Biden tundi kokën në shenjë miratimi. Një zyrtar i lartë sqaroi se me këtë zoti Biden donte të thoshte se Irani duhet të ndalojë pasurimin mbi kufijtë që lejon marrëveshja bërthamore e vitit 2015.

Ndërkohë të dielën udhëheqësi Suprem i Iranit, Ayatollah Ali Khamenei, tha se Shtetet e Bashkuara duhet të heqin të gjitha sanksionet nëse Uashingtoni dëshiron që Irani të ndryshojë qëndrim mbi pasurimin e uraniumit.

“Irani ka përmbushur të gjitha detyrimet e tij në bazë të marrëveshjes bërthamore të vitit 2015. Kjo nuk është bërë nga Shtetet e Bashkuara dhe tre vende evropiane. Nëse duan që Irani të kthehet në zotimet e tij, Shtetet e Bashkuara duhe të heqin fillimisht të gjitha sanksionet”, shkruante në Twitter Khamenei. “Pas verifikimit nëse të gjitha sanksionet janë hequr, atëherë ne do të kthehemi tek zbatimi i plotë i marrëveshjes”, shkruante ai.

Presidenti amerikan Joe Biden, i cili mori drejtimin e vendit muajin shkuar, ka thënë se nëse Teherani kthehet tek zbatimi me përpikmëri i paktit të vitit 2015, Uashingtoni do të bënte të njëjtën gjë, dhe do ta përdorte këtë si një trampolinë për një marrëveshje më të gjerë që mund të kufizonte zhvillimin e raketave nga Irani dhe aktivitet rajonale.

Në vitin 2018 ish-Presidenti Donald Trump e tërhoqi Amerikën nga marrëveshja bërthamore me Iranin dhe vuri sanksione ndaj këtij vendi.

Irani e ka shkelur marrëveshjen si kundërpërgjigje ndaj politikave të Presidentit Trump për “presion maksimal”, por ka thënë në mënyrë të përsëritur se mund të ndryshojë qëndrim nëse hiqen sanksionet amerikane.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat