Kongresi përballet me paketën e ndihmave dhe gjyqin ndaj ish-presidentit Trump

Amerika

Kongresi përballet me paketën e ndihmave dhe gjyqin ndaj ish-presidentit Trump

Më: 8 shkurt 2021 Në ora: 15:40
Senati amerikan

Këtë javë, Uashingtoni do të përballet me dy çështje të rëndësishme - paketën e ndihmës ekonomike prej 1.9 trilion dollarësh që ka propozuar Presidenti Joe Biden dhe gjyqin e Senatit ndaj paraardhësit të tij, Donald Trump mbi akuzat për nxitje të rebelimit.

Kapitoli i Shteteve të Bashkuara, skena e zhvillimeve dramatike në javët e fundit, do të jetë përsëri në qendër të vëmendjes ndërsa ligjvënësit debatojnë për paketën e stimujve ekonomikë mes pandemisë së koronavirusit dhe paraqesin argumentet në gjyqin ndaj ish-Presidentit Trump.

Komisionet e Kongresit do të fillojnë punën për hartimin e legjislacionit mbi planin e stimujve ekonomikë të Presidentit Joe Biden, që do të siguronte ndihmë për familjet, punonjësit, bizneset dhe autoritetet lokale.

Shumë republikanë argumentojnë se plani është shumë i kushtueshëm dhe jo i detajuar që të përfshijë vetëm problemet e shkaktuara nga pandemia. Demokratët thonë se paketa duhet të kalojë shpejt, duke pasur parasysh krizën ekonomike të vendit.

"Në fund të fundit, duhet të mbështesim sa më shumë amerikanë që të mundemi, aq sa mundemi dhe sa më shpejt që të mundemi. Koha është thelbësore", tha Sekretari i Transportit, Pete Buttigieg.

Gjyqi për ish-Presidentin Trump do të zhvillohet në Senat mbi një akuzë të ngritur nga Dhoma e Përfaqësuesve: se fjalët dhe veprimet e tij nxitën rebelimin në Kapitol më 6 Janar, një pretendim që zoti Trump e ka mohuar. Senatori republikan Roger Wicker, e quajti gjyqin "një veprim partiak pa kuptim".

“Akuza është se ai i vetëm nxiti rebelimin për të pushtuar Kapitolin. Dhe unë nuk mendoj se kjo do të provohet dot në gjyq", tha ai.

Me Senatin e ndarë në mënyrë të barabartë midis 50 republikanëve dhe 50 demokratëve, 17 republikanë do të duhej të votonin me demokratët për ta shpallur fajtor ish-presidentin, diçka që duket e vështirë për t’u realizuar./VOA

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat