Analiza: Rëndësia e plotë historike e gjyqit në Senat ndaj zotit Trump, mund të kërkojë dekada për t'u kuptuar

Amerika

Analiza: Rëndësia e plotë historike e gjyqit në Senat ndaj zotit Trump, mund të kërkojë dekada për t'u kuptuar

Më: 8 shkurt 2021 Në ora: 20:16
SHBA

Presidenti Donald Trump mund të mbahet mend si i vetmi president ndaj të cilit janë ngritur dy herë zyrtarisht akuza në Kongres, por trashëgimia e tij mund të ishte krejt ndryshe, nëse nuk do të kishte ndodhur sulmi ndaj Kapitolit më 6 janar nga mbështetësit e tij.

Historiania Barbara Perry e cila shkruan për presidentët amerikanë, thotë se pavarësisht reputacionit të zotit Trump si thyes i normave, mbajtjen e qëndrimeve raciste, apo sulmet që u bënte të tjerëve në internet, ish-presidenti përmbushi shumë prej premtimeve kryesore që bëri në fushatën e vitit 2016.

"Ndoshta më shumë se shumica e presidentëve ai i mbajti premtimet e tij", thotë zonja Perry, drejtoreshë e studimeve presidenciale në Universitetin e Virxhinias, Qendra Miller.

Image

“Ai uli taksat për të pasurit; kufizoi dhe zvogëloi rregulloret federale, vendosi gjykatës konservatorë, mbi 200 në gjykatat federale dhe tre anëtarë në Gjykatën e Lartë. Ai u angazhua në taktikat e një qasjeje të fortë kundër Kinës. Ndërtoi një pjesë të murit në kufirin jugor dhe u përpoq të ulë, me sukses, imigracionin e paligjshëm", thotë ajo.

Të parashikosh sot se si historianët do ta perceptojnë e trajtojnë presidentin e 45-të, disa dekada më vonë, është një përpjekje e dështuar. Qasjet ndryshojnë me kalimin e kohës. Megjithatë zonja Perry dhe studiues të fushës së politikës bien dakord se gjyqi ndaj zotit Trump nën akuzën për nxitje të rebelimit, i cili fillon të martën, ka të ngjarë të errësojë ose të njollosë arritjet më të dukshme të shënuara gjatë presidencës së tij.

Një nga gjërat kryesore për të cilat ai mund të shquhet në librat e historisë mund të jetë se ishte i presidenti i vetëm që është akuzuar zyrtarisht dhe është gjykuar për nxitje rebelimi kundër qeverisë që ai drejtonte.

Procesi gjyqësor historik

Dhoma e Përfaqësuesve ngriti zyrtarisht akuzën ndaj ish-presidentin 74-vjeçar, më 13 janar, duke e akuzuar atë për nxitje të rebelimit gjatë një fjalimi me tone pasionante para mbështetësve përpara sulmit të dhunshëm në Kapitol.

Mbështetësit e zotit Trump donin të ndërprisnin një sesion të përbashkët të të dyja dhomave të Kongresit për të çertifikuar fitoren në zgjedhje të Joe Biden-it në nëntor 2020. Mes protestuesve kishte anëtarë të grupeve të krahut të djathtë që përqafojnë teoritë e lidhura me supremacinë e bardhë.

"Kjo do të jetë një njollë e zezë e mandatit të tij dhe nëse Kongresi e shpall atë fajtor do të jetë një njollë e rëndë", thotë Susan Low Bloch, profesoreshë e së drejtës kushtetuese në Qendrën për Drejtësi të Universitetit Georgetown. “Do të ketë një domethënie të madhe në jetën e tij, sepse ai nuk do të jetë në gjendje të kandidojë sërish. Do të ketë rëndësi për ndjekësit e tij sepse ata nuk do të jenë në gjendje të votojnë më për të. Dhe mendoj se do të jetë një paralajmërim për zyrtarët e ardhshëm qeveritarë që të mos përfshihen në akte rebelimi".

Image

Zonja Bloch pranon se nuk ka gjasa që një numër i mjaftueshëm republikanësh të Senatit t'i bashkohen demokratëve për ta shpallur fajtor ish-presidentin. Për këtë do të nevojiteshin votat e 67 senatorëve, ose dy të tretat e kësaj dhome. Por 45 republikanë të Senatit kanë votuar tashmë kundër zhvillimit të një procesi gjykimi në Senat që përpara fillimit të tij, një tregues se cili do të jetë rezultati i votimit pas zhvillimit të këtij procesi.

Zoti Trump do të jetë gjithashtu presidenti i parë ndaj të cilit zhvillohet një proces gjykimi në Senat pas largimit nga detyra. Udhëheqësit e demokratëve thonë se ai duhet të mbajë përgjegjësi.

"Trump duhet të gjykohet dhe të dënohet në mënyrë që asnjë president i ardhshëm të mos mendojë se nuk përbën asnjë problem po të nxisësh rebelim", ka thënë Kryetarja e Dhomës së Përfaqësuesve Nancy Pelosi.

Ngritja e akuzës

Ngritja e akuzave për kryerje të akteve të paligjshme është mjeti më i rëndë juridik ndaj një presidenti. Nëse shpallet fajtor, ai mund të hiqet nga detyra ose të skualifikohet nga mundësia për të kandiduar për një pozitë në qeverinë federale në të ardhmen.

Në historinë e vendit janë ngritur akuza vetëm ndaj tre presidentëve: Andrew Johnson-it në vitin 1868; Bill Clinton-it në 1998; dhe Donald Trump-it në 2019 dhe 2021. Tre nga këto katër procese kanë ndodhur brenda 23 viteve të fundit. Asnjë president nuk është dënuar.

Zonja Bloch ka dëshmuar përpara Komisionit Juridik të Dhomës së Përfaqësueve përpara ngritjes së akuzave ndaj zotit Clinton. Ajo ishte e vetmja grua në një panel prej 19 ekspertësh ligjorë. Megjithëse beson se procedurat e ngritjes se akuzave ndaj zotit Trump janë të përligjura, ajo paralajmëron kundër përdorimit të tyre në mënyrë të shpeshtë si një mjet politik, ose formë ndëshkimi, çka mund të rrezikonte sipas saj rëndësinë e peshës së këtij procesi, si një mjet juridik.

“Duhet të përdoret vetëm kur personi duhet të hiqet nga detyra… ose në këtë rast, pasi ai është larguar tashmë, që të lejohet të kandidojë sërish. Këto janë të vetmet raste kur duhet përdorur. Dhe nëse përdoret për diçka që nuk është në këtë lartësi, atëherë ai zhvleftësohet”.

Probleme serioze

Rëndësia e plotë historike dhe ndikimi i ngritjes dy herë të akuzave ndaj një presidenti dhe gjykimi i tij pas largimit nga detyra, mund të kërkonte dekada për t'u kuptuar. Por historianët kanë nisur tashmë të mbledhin të dhënat mbi ngjarjen e 6 janarit dhe problematikën që ajo paraqet. Ata thonë se është e nevojshme që të bëhet një përllogaritje në rang kombëtar pas sulmit ndaj Kapitolit, në mënyrë që të shmangen pasojat shkatërruese afatgjata ndaj kombit.

"Mendoj se është e rëndësishme të theksohet se ky nuk është vetëm një proces i ngritjes për herë të dytë të akuzave, por ka të bëjë me vendin, i cili ndeshet me një shpërthim politik traumatik", thotë Timothy Naftali, profesor i asociuar mbi historinë e shërbimeve publike në Universitetin e Nju Jorkut. "Ishte hera e parë në historinë tonë që një president në detyrë u përpoq të pengonte transferimin paqësor të pushtetit", thotë ai.

Zoti Trump në mënyrë te vazhdueshme kundërshtoi rezultatet e zgjedhjeve të vitit 2020, duke pretenduar se ai humbi për shkak të manipulimit të përhapur të zgjedhjeve dhe korruptimit të disa zyrtarëve të zgjedhjeve. Por Prokurori i Përgjithshëm, i zgjedhur nga vetë ai, William Barr, konfirmoi se Departamenti i Drejtësisë nuk zbuloi asnjë provë për manipulim të gjerë që do të ndryshonte rezultatin e zgjedhjeve. Udhëheqësi i atëhershëm i shumicës në Senat, Mitch McConnell tha gjithashtu se nuk ishin gjetur prova që miliona njerëz të kishin votuar në mënyrë të paligjshme, sikurse pretendonte zoti Trump në mënyrë të përsëritur.

Megjithatë, disa orë pas sulmit në Kapitol, 147 republikanë, tetë senatorë dhe 139 ligjvënës të Dhomës së Përfaqësuesve, votuan për të ndryshuar rezultatin e zgjedhjeve.

Image

"Asnjëherë nuk ka pasur një lëvizje me të qartë në Kongres për t'i bërë të pavlefshme zgjedhjet", thotë James Grossman, drejtori ekzekutiv i Shoqatës se Historianëve Amerikane. “Kjo është e pazakontë. Kjo nuk ka ndodhur kurrë më parë, ngritja e pikëpyetjeve mbi ligjshmërinë e zgjedhjeve nga disa njerëz, ndërsa udhëheqit partiakë të të cilëve apo dhe zyrtarë të zgjedhur kanë thënë se ishin të lira e të drejta. Dhe kur e bashkon këtë gjë me rebelimin, me një turmë që sulmon Kapitolin, qartësisht kemi të bëjmë me një numër të madh amerikanësh që janë larguar nga institucionet politike që janë themeli i demokracisë sonë".

Rebelimi

Trazirat e fundit më domëthënëse në Kapitol kanë ndodhur në vitin 1861, kur senatorët e jugut lanë mandet e tyre në prag të Luftës Civile. Presidenti Abraham Linkoln kishte nxitur miratimin e një platforme që kundërshtonte zgjerimin e skllavërisë në territoret amerikane. Pas zgjedhjes së tij në 1860, zoti Linkoln refuzoi çdo kompromis që do të rezultonte në shkëputjen nga kombi të shteteve të jugut.

Të paktën 620,000 amerikanë humbën jetën gjatë Luftës Civile. Me përfundimin e konfliktit, Jefferson Davis, udhëheqësi i Konfederatës, u akuzua për tradhti dhe u burgos. Por ndaj tij nuk u zhvillua kurrë ndonjë proces gjyqësor dhe ai doli nga burgu pas dy vitesh.

Më 25 dhjetor 1868, Presidenti Andrew Johnson, i cili pasoi presidentin Linkoln pas vrasjes së tij, i fali të gjithë ish-mbështetësit e Konfederatës që luftuan kundër Shteteve të Bashkuara. Disa prej tyre u bënë përkrahës të ligjeve që legalizuan ndarjen racore.

"Fshehja e realitetit të Luftës Civile siguroi një hapje për shtetet e jugut për të imponuar një formë të aparteidit që zgjati deri në mes të viteve 1960", thotë zoti Naftali, i cili është gjithashtu ish-drejtor i bibliotekës presidenciale Richard Nixon ku është hapur dhe një ekspozitë mbi atë që njihet si çëshja e Watergate-t, e cila përfshin të vetmin president amerikan që ka dhënë dorëheqjen.

Në vitin 1877, Kongresi zgjidhi një mosmarrëveshje mbi zgjedhjet presidenciale duke ndërmjetësuar një marrëveshje që çoi në fundin e të ashtuquajturës periudha e Rindërtimit (që pasonte luftën civile) dhe çoi tek rivendosja e supremacisë së bardhë në Jug, e gjitha në emër të një bashkimi politik më të ngushtë.

"Rindërtimi u përmbys përmes terrorizmit nga supremacistët e bardhë dhe shumica e historianëve pajtohen me këtë", thotë zoti Grossman. "Por na u desh një kohë e gjatë për ta kuptuar këtë".

Ai thotë se hapat e gabuar që u ndërmorrën pas Luftës Civile tregojnë se është gabim të përpiqesh të shërosh një komb pa kuptuar dhe pa pranuar atë që çoi tek kjo thyerje.

"Në shekullin e 19-të, kombi shëroi atë që disa njerëz e panë si një plagë dhe arriti një unitet sipërfaqësor duke sakrifikuar të drejtat e afro-amerikanëve", thotë ai. "Ne nuk mund ta bëjmë sërish një gjë të tillë".

Image

Rruga drejt shërimit

Historia e Amerikës tregon se kombi paguan një çmim të lartë kur racistët inkurajohen ose u jepet mundësia të përshaten, në vend që të dënohen, të turpërohen dhe dëbohen.

Riparimi i dëmit të shkaktuar nga rebelimi në Kapitol do të kërkojë një arsyetim më të gjerë rreth asaj se sa shumë gjëra po viheshin në rrezik më 6 janar.

Zoti Naftali thotë se rruga drejt shërimit kalon përmes së vërtetës dhe tek vendosja e bazave për të luftuar në mënyrë efektive kërcënimin e brendshëm terrorist të supremacistëve të bardhë.

"Historia tashmë është shumë më e madhe sesa Donald Trumpi", thotë ai. “Ka të bëjë me atë se si të bëhemi bashkë ne si komb dhe si mund të bindim miliona amerikanë se ata ndoqën një profet të rremë dhe se ai u shiti një botëkuptim që është një marrëzi toksike. Nuk mendoj se gjyqi ndaj një personi, ose përdorimi i një amendamenti të kushtetues, do ta zgjidhte këtë problem shumë më të madh".

Sipas zotit Naftali për shkak se shumica e mbështetësve të zjarrtë të zotit Trump nuk ka gjasa t'i besojnë kurrë demokratët, zyrtarët republikanë dhe personat me ndikim do të duhet të marrin rolin udhëheqës në uljen e temperaturës dhe largimin e ndjekësve nga polarizimi.

"Sfida është për republikanët që të pranojnë se 6 janari ishte një kërcënim për sistemin tonë kushtetues dhe më pas të shpjegojnë se pse qasja e dhunshme është e paligjshme dhe e papranueshme dhe nuk mbrohet nga Amendamenti i Parë", thotë zoti Naftali. “Kjo do të marrë kohë. Kjo do të kërkojë çrrënjosje të radikalizmit tek një pjesë e Partisë Republikane".

Zonja Perry thotë se demokracia është në rrezik kur ekstremet forcohen.

“Shumica e amerikanëve ndodhen në mes të spektrit politik. Por ne kemi ekstreme dhe ato zakonisht janë pakica. Është zakonisht qendra që mban pushtetin, ndaj dhe demokracia jonë është e qëndrueshme”, thotë ajo. “Anëtarja e Gjykatës së Lartë Sandra Day O'Connor thoshte se demokracia nuk është diçka gjenetike, është diçka që duhet t'ua mësojmë çdo brezi, se si të jetojë, punojë e të operojë brenda saj dhe se si të jetë pjesë e saj”, tha zonja Perry./Voa/

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat