Zyrtarët globalë i dalin në mbrojtje AstraZenekës

Amerika

Zyrtarët globalë i dalin në mbrojtje AstraZenekës

Më: 8 shkurt 2021 Në ora: 21:00
Foto ilustrim

Zyrtarët e shëndetësisë në të gjithë botën i dhanë mbështetjen e tyre vaksinës AstraZeneca kundër COVID-19, pas alarmit të përhapur nga një studim që tregonte se ajo ka pak efekt kundër simptomave të lehta të sëmundjes të shkaktuar nga një variant që po përhapet shpejt në Afrikën e Jugut.

Mundësia që variantet e reja të virusit t’i bëjnë të paefekshme vaksinat është një nga rreziqet kryesore që kanëç hedhur hije mbi strategjinë globale për daljen nga pandemia.

Afrika e Jugut, ku një variant i ri tani përfshin pjesën më të madhe të rasteve, fillimisht njoftoi një pauzë në shpërndarjen e një milion dozave të vaksinës AstraZeneca.

Por ajo tha të hënën se ende mund ta lejonte atë në "mënyrë të shkallëzuar", duke dhënë 100,000 doza dhe duke e monitoruar për të parë nëse vaksina parandalon shtrimet në spital dhe vdekjet.

"Është tepër herët për ta refuzuar këtë vaksinë," tha Richard Hatchett, shef ekzekutiv i Koalicionit për Novacione të Gatishmërisë Epidemike, një fondacion që bashkë-drejton programin global COVAX për të siguruar doza vaksinash për vendet e varfra.

Më shumë se 330 milion doza të vaksinës së AstraZeneca përbëjnë shumicën dërrmuese të dozave që COVAX synon të shpërndajë në fazën e parë në vendet e varfra duke nisur qysh këtë muaj.

“Padyshim që bota është plot me viruse të tipit të egër, ndaj të cilit dihet që AstraZeneca funksionon," tha zoti Hatchett.

Profesor Salim Abdool Karim, bashkëkryetar i Komitetit Këshillimor Ministror të Afrikës së Jugut për COVID-19, tha se ishte tepër herët për të arritur në përfundimin se AstraZeneca nuk e parandalon sëmundjen serioze të shkaktuar nga varianti i përhapur atje.

Nëse vaksina nuk funksionon mirë kundër varianteve të reja në zhvillim të virusit, kjo mund të jetë një shenjë ogurzezë edhe për vaksinat e tjera, që mund të tregojë se virusi mund të pengojë përpjekjet e shkencëtarëve për ta luftuar atë.

Mesazhi i përgjithshëm nga Organizata Botërore e Shëndetësisë dhe të tjerët ishte: mos u frikësoni. Disa zyrtarë të shëndetësisë globale vunë në dukje se studimi i Afrikës së Jugut ishte i vogël dhe e kishte testuar vaksinën duke përdorur një interval të shkurtër prej katër javësh midis dozave të para dhe të dyta, megjithë provat që tregojnë se vaksina funksionon më mirë nëse ka një pritje më të gjatë.

Po bëhet "gjithnjë e më e qartë, sa më i gjatë të jetë intervali midis dy dozave aq më i lartë është efikasiteti", tha Kate O'Brien, shefe e imunizimeve në OBSH.

Eksperti kryesor në provat për Afrikës së Jugut tha se ai besonte që vaksina ka një rol të madh për të luajtur në Afrikë dhe në mbarë botën, dhe se 1 milion doza në Afrikën e Jugut, të cilat skadojnë në prill, duhet të përdoren shpejt, e jo të humbasin kot.

Qeveritë perëndimore folën në favor të vaksinës AstraZeneca, për të cilën shumë prej tyre e kanë dhënë miratimin.

Vaksina është shtylla kryesore e programit të vaksinimit në Britani, i cili deri tani ka qenë më i shpejti nga çdo vend tjetër i madh për të vaksinuar publikun. Në Britani është përhapur një variant tjetër mjaft ngjitës, ndaj të cilit vaksina është treguar e suksesshme.

"Ne mendojmë se të dyja vaksinat që po përdorim aktualisht janë të efektshme, në parandalimin e infektimeve serioze dhe të vdekjeve," u tha gazetarëve Kryeministri Britanik Boris Johnson. Britania po përdor gjithashtu vaksinën e Pfizer.

Por nëse vaksinat nuk funksionojnë aq mirë sa shpresohej kundër varianteve të reja dhe në zhvillim, atëherë bota mund të përballet me një betejë shumë më të gjatë - dhe më të shtrenjtë - kundër virusit nga sa mendohej më parë.

Varianti dominues në Afrikën e Jugut po qarkullon në të paktën 40 vende të tjera, përfshirë Shtetet e Bashkuara./VOA

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat