Çertifikohet rezultati i garës së fundit për Kongresin Amerikan

Amerika

Çertifikohet rezultati i garës së fundit për Kongresin Amerikan

Më: 9 shkurt 2021 Në ora: 06:11
Claudia Tenney

Ligjvënësi demokrat Anthony Brindisi pranoi të hënën humbjen në zgjedhje duke shtuar se “është koha për ta mbyllur kapitullin e zgjedhjeve”, disa orë pasi zyrtarët në Nju Jork çertifikuan fitoren tepër të ngushtë të rivales së tij republikane, Claudia Tenney në garën e fundit të pambyllur për Kongres.

Deklarata e zotit Brindisi u bë tre ditë pasi një gjykatës i shtetit të Nju Jorkut dha vendimin se zonja Tenney fitoi zgjedhjet për distriktin e 22-të zgjedhor të Nju Jorkut për Kongresin e 109-të Amerikan. Zoti Brindisi përgëzoi rivalen Tenney dhe premtoi ta bënte tranzicionin sa më të lehtë pas sfidave ligjore që vazhduan për muaj lidhur me rezultatin.

"E kam pasur për nderin më të madh të jetës që i kam shërbyer qytetit tim, vendit ku u rrita dhe ku kam ndërtuar familje,” tha zoti Brindisi. “Për fat të keq, zgjedhjet dhe procesi i numërimit ishin të mbushura me probleme, papërputhshmëri dhe shkelje të ligjeve shtetërore e federale për zgjedhjet”.

Gjykatësi Scott DelConte udhëzoi të premten autoritetet e Nju Jorkut të çertifikonin menjëherë rezultatin. Komisionerët e miratuan rezultatin të hënën brenda dy minutash.

Zonja Tenney ishte përfaqësuese e këtij distrikti për një mandat dy vjeçar, pastaj u mund nga zoti Brindisi në 2018. Tani ajo rikthehet në Kongresin amerikan.

Vendimi i gjykatësit DelConte pason tre muaj procese gjyqësore në përgjigje të një numëri problemesh me numërimin e votave. Rezultati ndryshoi kur zyrtarët filluan të numëronin votat në mungesë dhe gjykatave iu kërkuar të japin opinion se cilat vota mund të numëroheshin në bazë të rregulloreve.

Demokratët kontrollojnë Dhomën e Përfaqësuesve me 221 vendenga 435 anëtarë. Me fitoren e zonjës Tenney, republikanët kanë tani 210 vende, pas vdekjes të dielën të anëtarit republikan Ron Wright nga Teksasi.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat