Senati çon përpara gjyqin kundër Trumpit

Amerika

Senati çon përpara gjyqin kundër Trumpit

Më: 10 shkurt 2021 Në ora: 11:28
Ndërtesa e Kongresit amerikan

Senati amerikan ka votuar për të çuar përpara gjyqin e dytë ndaj ish-presidentit amerikan, Donald Trump, mirëpo dënimi duket se është i pamundshëm, përveç nëse një mori republikanësh ndryshojnë qëndrim.

Me 56 vota për dhe 44 kundër, Senati ka votuar për 9 shkurt për nisje të procedurave formale më 10 shkurt, për të vërtetuar nëse Trump është fajtor për “nxitje të kryengritjes” lidhur me sulmet që i janë bërë Kongresit më 6 janar.

Gjashtë republikanë u janë bashkuar demokratëve në Senatin e ndarë, në mbështetje të votës procedurale, çka ka treguar se dy të tretat e nevojshme për të dënuar Trumpin vështirë se mund të arrihen në gjyq.

Në votën rreth procedurave të gjyqit, në qendër të diskutimit kanë qenë argumentet nëse Kushtetuta amerikane mbështet mbajtjen e një gjyqi të tillë pasi Trump ka përfunduar mandatin.

Demokratët që kanë udhëhequr gjyqin, të njohur si menaxherë të procesit të gjyqit, kanë dorëzuar argumente ligjore, bashkë me fjalime emocionale për të fuqizuar rastin e tyre, derisa republikanët besojnë se ekipi i mbrojtjes së Trumpit nuk ka qenë i organizuar dhe koherent.

Mediat amerikane kanë raportuar që Trump, duke shikuar procesin nga prona e tij në Florida, është zemëruar nga prezantimi i argumenteve nga ana e ekipit të tij mbrojtës.

Menaxherët e Dhomës së Përfaqësuesve kanë nisur deklaratat e tyre, duke iu treguar senatorëve, që kanë rolin e jurisë në këtë proces, një material 13-minutësh të trazirave që kanë ndodhur në Kongres.

Përfaqësuesi Jamie Raskin, demokrat nga Merilland, i cili udhëheq këtë proces, ka thënë se hartuesit e Kushtetutës kërkojnë që ish-zyrtarët të mbahen përgjegjës për abuzimet sa kanë qenë në zyrë, duke përfshirë ditët e fundit të mandatit.

“Në fakt, kjo është saktësisht ajo që na duhet më së shumti sepse atëherë sulmohen zgjedhjet”, ka thënë Raskin.

Në video-material është parë se pasi Trump u ka bërë thirrje mbështetësve që të marshojnë afër Shtëpisë së Bardhë për të “ndalur vjedhjen" – referencë për pretendimet e tij të pabazuara se ka humbur zgjedhjet 3 nëntorit sepse janë bërë manipulime – një mori e mbështetësve të Trumpit kanë nisur të marshojnë drejt Kongresit.

Pak kohë më vonë, zyrtarët policorë që ruajnë ndërtesën janë mposhtur nga turmat, në të cilën janë parë persona duke mbajtur kapela dhe flamuj të Trumpit dhe duke thyer dyer dhe dritare.

“Nëse kjo gjë nuk përbën shkelje, atëherë nuk e di çka tjetër”, u ka thënë Raskin senatorëve pasi ka shfaqur videon, në të cilën është përfshirë edhe momenti kur një zyrtar policor ka qëlluar një protestuese, e cila ka tentuar të ngjitet në një dritare të thyer.

Ekipi i mbrojtjes së Trumpit, që drejtohet nga David Schoen dhe Bruce Castor, ka tentuar të argumentojë se gjyqi është jokushtetues sepse Dhoma e Përfaqësuesve ka nisur menjëherë procedurat për shkarkim të Trumpit, një javë pas trazirave, duke ia mohuar të drejtën vetë Trumpit që të prezantojë argumentet.

Ata kanë thënë se zgjidhja për këtë proces është largimi nga zyra, gjë e cila tani është e pamundshme pasi Trump nuk është më president.

Schoen e ka konsideruar gjyqin si partiak, duke përmendur deklarata të disa demokratëve, që kanë bërë thirrje për largim të Trumpit nga zyra, pak pasi ka nisur mandatin ai.

Ekipi i Trumpit ka thënë po ashtu se ky proces i gjykimit mund të ndajë edhe më shumë shtetin, duke hapur “plagë të reja dhe më të mëdha”, ndërkohë që demokratët po shfrytëzojnë këtë proces për t’ia pamundësuar Trumpit garën për president në të ardhmen.

Mes tjerash, ata kanë argumentuar se çfarëdo që ka thënë Trump më 6 janar, është e mbrojtur me të drejtën kushtetuese për liri të shprehjes dhe nuk konsiderohet urdhër për të sulmuar Kongresin.

Prezantimi i mbrojtjes së Trumpit megjithatë është konsideruar se ka pasur paraqitje larg pritshmërive.

Edhe republikanët që kanë votuar për të mbështetur argumentet e presidentit kanë qenë të zhgënjyer.

Senatori nga Teksas, Ted Cruz, një nga aleatët më të ngushtë të Trumpit, ka thënë se nuk mendon që avokatët kanë bërë “punën më të mirë”, derisa senatori nga Karolina e Jugut, Lindesy Grahasm, një tjetër aleat i ngushtë i Trumpit, ka thënë se nuk e ka kuptuar cili ka qenë caku i Castorit, teksa ka preznatuar argumentet.

Senatori republican, Bill Cassidy, i cili ka votuar për të lejuar vazhdimin e gjykimit, ka thënë se ekipi i Trumpit nuk ka qenë i organizuar.

Gjyqi pritet të zgjasë të paktën një javë.

Duke nisur nga 10 shkurti, si prokurorët, ashtu edhe mbrojtja kanë rreth 16 orë për të prezantuar argumentet e tyre, jo më shumë se tetë orë në ditë.

Teksa shumë senatorë republikanë kanë dënuar veprimet e Trumpit gjatë trazirave në Kongres, vetëm një pjesë e tyre ka shfaqur gatishmëri për të dënuar figurën popullore të partisë së tyre, ndonëse disa kanë thënë se do të mbështesnin një votë për ta censuruar atë.

Gjyqi i parë kundër Trumpit ka përfunduar me shfajësim në shkurt të vitit 2020.

Akuzat atëherë kanë qenë të lidhura me abuzim të pushtetit dhe pengim të punës së Kongresit, bazuar në kërkesën e Trumpit që Ukraina të hetojë presidentin e ri të SHBA-së, Joe Biden dhe djalin e tij./Rel/

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat