Demokratët në Senat: Trump mbolli farën e sulmit në Kapitol shumë më përpara 6 janarit

Amerika

Demokratët në Senat: Trump mbolli farën e sulmit në Kapitol shumë më përpara 6 janarit

Më: 10 shkurt 2021 Në ora: 22:08
SHBA

Në Uashington, demokratët argumentuan të mërkurën se ish-Presidenti Donald Trump mbolli farën për sulmin vdekjeprurës në Kapitol shumë më përpara datës 6 janar, me pretendimet e tij të rreme se zgjedhjet ishin vjedhur.

Në ditën e dytë të gjyqit të ish-presidentit në Senat ata thanë se ligjvënësit kishin detyrimin për ta mbajtur ish-presidentin përgjegjës për ngjarjen.

Dhoma e Përfaqësuesve e ka akuzuar zotin Trump për nxitje rebelimi, duke inkurajuar mijëra mbështetës për të marshuar drejt Kapitolit, në ditën kur Kongresi ishte mbledhur për të çertifikuar fitoren në zgjedhje të demokratit Joe Biden.

Protestuesit sulmuan ndërtesën, duke bërë që ligjvënësit të largoheshin me nxitim dhe duke lënë pesë persona të vdekur, përfshirë një oficer policie.

Nëntë ligjvënës demokratë të Dhomës së Përfaqësuesve, që luajnë rolin e prokurorëve, thanë të mërkurën nxitja e rebelimit filloi shumë më përpara 6 janarit.

"Trump e kuptoi pranverën e kaluar se ai mund t’i humbiste zgjedhjet e nëntorit dhe filloi të mbjellë farën e zemërimit midis mbështetësve të tij, duke thënë se ai mund të humbte vetëm nëse zgjedhjet vidheshin,” tha ligjvënësi demokrat Joseph Neguse.

"Nëse duam të mbrojmë republikën tonë dhe të parandalojmë që diçka e tillë të ndodhë përsëri, ai duhet të shpallet fajtor," tha ligjvënësi.

Ai vlerësoi ish nënpresidentin Mike Pence, i cili më 6 janar drejtoi seancën e çertifikimit zyrtar të fitores së Presidentit Joe Biden, pavarësisht presionit nga zoti Trump për ta ndalur procesin.

Gjatë sulmit vdekjeprurës, disa nga mbështetësit e zotit Trump kishin kërcënuar se do ta varnin nënpresidentin Pence sepse refuzoi të përmbyste fitoren e zotit Biden në Kolegjin Zgjedhor.

Prokurorët demokratë thanë të mërkurën se zoti Trump kërcënoi një simbol dallues të demokracisë amerikane, transferimin paqësor të pushtetit.

"Kjo çështje nuk ka të bëjë me shpalljen fajtor të një spektatori të pafajshëm për dhunën e tmerrshme dhe dëmin që ndodhi më 6 janar," tha ligjvënësi Jamie Raskin në hapje të seancës. "Kjo ka të bëjë me kërkesën e llogarisë ndaj personit që ishte përgjegjës për nxitjen e sulmit."

Demokratët kanë pak shanse që ish-presidenti të shpallet fajtor, gjë që mund të çonte në një votim i cili do ta ndalonte zotin Trump të kërkojë përsëri një post zyrtar. Që ai të shpallet fajtor, do të duhej që për këtë të votonte një shumicë prej dy të tretash në Senat, që do të thotë se të paktën 17 republikanë do të duhej të sfidonin popullaritetin ende të fuqishëm të zotit Trump midis votuesve republikanë.

Të martën, Senati votoi që gjyqi të mund të zhvillohej, edhe pse mandati i zotit Trump kishte përfunduar në 20 janar. Gjashtë nga 50 senatorë republikanë u ndanë nga grupi dhe iu bashkuan demokratëve në këtë çështje.

Gjyqi në Senat nuk është hetimi i vetëm lidhur me veprimet e ish-presidentit. Prokurorët në një qark të Xhorxhias po hetojnë rreth përpjekjeve të zotit Trump për të përmbysur rezultatet e zgjedhjeve në këtë shtet, sipas një letre të parë nga Reuters. Të hënën, zyra e sekretarit republikan të shtetit të Xhorxhias Brad Raffensperger hapi hetimin e saj për një telefonatë të zotit Trump më 2 janar, ku ai i bënte presion zyrtarit për të "gjetur" më shumë vota.

Amendamenti i parë

Avokatët e zotit Trump argumentojnë se retorika e ish-presidentit mbrohet nga garancia e fjalës së lirë të Amendamentit të Parë dhe se individët që hynë në Kapitol dhe jo zoti Trump, ishin përgjegjës për sjelljen e tyre kriminale. Ata thonë gjithashtu se gjyqi synon thjesht t'i japë fund karrierës politike të zotit Trump.

"Në fakt ne jemi sot në këtë gjyq sepse shumica në Dhomën e Përfaqësuesve nuk dëshiron të përballet me Donald Trumpin si rival politik në të ardhmen," u tha senatorëve të martën Bruce Castor, një nga avokatët e zotit Trump.

Udhëheqësit e partive kanë rënë dakord për një plan të shpejtë që mund të çojë në një votim mbi shpalljen fajtor ose pafajësinë deri në fillim të javës së ardhshme. Ende nuk është e qartë nëse palët do të paraqesin dëshmitarë.

Senatori demokrat Richard Durbin tha për CNN të mërkurën: "Ne kemi shumë dëshmitarë. Kemi 100 dëshmitarë të ulur në karrige dhe senatorë."

Disa demokratë kishin shprehur shqetësimin se një gjykim i zgjatur mund të vonojë ecurinë e axhendës së Presidentit Biden, duke përfshirë një paketë të propozuar prej 1,9 trilionë dollarësh të ndihmës për koronavirusin.

Zoti Biden nuk kishte në plan ta ndiqte gjyqin, tha Shtëpia e Bardhë. Ai e kaloi ditën e martë duke u takuar me udhëheqës të biznesit në Zyrën Ovale. I pyetur në lidhje me procedurat, presidenti tha se ishte i përqendruar në punën e tij.

Donald Trump është presidenti i parë i SHBA ndaj të cilit ngrihen dy herë akuza për ta shkarkuar.

Asnjë president amerikan nuk është hequr nga detyra përmes një procesi gjyqësor në Senat. Ndaj Bill Clintonit nisi një proces shkarkimi në vitin 1998, po ashtu ndaj presidentit Andrew Johnson në 1868, por ata u shpallën të pafajshëm. Richard Nixon dha dorëheqjen në vitin 1974 që të mos përballej me akuzat për shkarkim rreth skandalit të Uotergejtit./VOA

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat